Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn dhe kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurtin i ndajnë shumë gjëra, por në këto ditë të nxehta të gushtit, Presidenti Hashim Thaçi ja ka dalë mbanë që të ribashkojë dy “miqtë” politikë të shndërruar në “armiq”.
Në një intervistë dhënë për Zërin e Amerikës, Albin Kurti përdori fjalë të tjera, por ideja e përcjellë ishte e njëjtë me atë që përcolli disa ditë më parë Ramush Haradinaj, kur tha se në Ballkan, historia ka provuar që kufijtë ndryshohen vetëm me luftë.
“Diskutimet për shkëmbime territoriale nga përvoja e hidhur e historisë më të re të Ballkanit tregojnë se shpien më parë në zhvendosje të popullsisë se sa në ndryshim të kufijve. Ne e dimë shumë mirë se si dialogu për territore është më afër luftës se sa paqes. Konkretisht, presidentët e Serbisë dhe Jugosllavisë në njërën anë dhe ai i Kroacisë në anën tjetër, përkatësisht Millosheviç dhe Tuxhmani, tërë kohën kanë dialoguar për shkëmbime territoriale e për ndryshime të kufijve dhe kanë dialoguar për territore në përgjithësi dhe paralelisht kanë luftuar. Kanë biseduar atëherë për Bosnjën dhe dialogu i tillë për territore nuk është në kontrast fare me luftën. Dialogu për të drejtat, për interes të qytetarëve mund të jetë tek regjistri i paqes në kontrast me luftën, por dialogu për territore unë nuk besoj që është i tillë”, deklaroi ai.
Propozimin e Hashim Thaçit, Albin Kurti e lexon si një përpjekje të Presidentit për t’i shpëtuar Gjykatës Speciale, që pritet të nisë funksionimin në vjeshtë.
“Për bindjen time, ajo çfarë po ndodh më shumë ka të bëjë me tendencën e tij (Presidentit Hashim Thaçi) që të jetë sa më larg Gjykatës së Posaçme, që e ka imponuar vetë, se sa që Kosova të jetë më afër shtetndërtimit apo integrimeve europiane”, thotë kreu i Vetëvendosjes.
Momentin në të cilin është hapur ky debat e quan tmerrësisht të gabuar dhe që i shërben vetëm Serbisë.
“Kurrë Serbia nuk ka qenë më e varur nga Kosova në rrugën për integrimin europiane se sa tani. Mu në këtë moment del Presidenti i Kosovës,Thaçi, i cili i ofron Serbisë Veriun e Kosovës me Mitrovicën duke mos e përmendur asnjëherë dhe duke ngjallur iluzione për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin. Rruga e Serbisë për në Bashkim Europian kalon nga Prishtina, mirëpo në Prishtinë po e gjejnë një njeri si Presidenti jonë aktual, i cili ka ndihmuar Serbinë si pakkush tjetër në Kosovën e pasluftës.”, deklaron Kurti.
Albin Kurti e cilëson tejet të rrezikshme idenë e propozuar nga Presidenti Thaçi, ndërsa këmbëngul se vëmendja e institucioneve qeveritare në Prishtinë është në drejtim të gabuar.
“Bashkimi i Mitrovicës është më i rëndësishëm se ulësja në OKB, ndonëse edhe kjo tjetra është e rëndësishme, por bashkimi i Mitrovicës është më i rëndësishëm dhe duhet të jetë përparësi i shtetit tonë dhe e dyta është që serbët e Kosovës janë shumë më të rëndësishëm se Beogradi. Ne nuk mund të ndërtojmë një shoqëri kohezive në Kosovë nëse vazhdimisht e konsiderojmë Beogradin më të rëndësishëm se serbët e Kosovës. Bashkimi i Mitrovicës më i rëndësishëm se sa ulësja në OKB edhe serbët e Kosovës më të rëndësishëm se Beogradi, unë besoj që vendosim përparësitë e duhura në politikat tona shtetërore”, thotë ai.
Kryetari i Vetëvendosjes është kundër sakrifikimit të Veriut të Kosovës edhe për të realizuar pikën kryesore të Lëvizjes, që është bashkimi me Shqipërinë.
“Unë jam kundër që për ta bashkuar Kosovën me Shqipërinë ta falim veriun e Kosovës, Trepçën, Ujmanin, apo ta pranojmë ndarjen e qytetit të Mitrovicës. Forcimi i shtetit të Kosovës, përmbyllja e shtetndërtimit, zhvillimi ekonomik, ngritja e Kosovës si të tillë është në funksion të bashkimit me Shqipërinë dhe jo anasjelltas”, thotë Albin Kurti.
Kreu i VV shpreson që të mos ngrihet ekipi negociator me Serbinë nën udhëheqjen e Hashim Thaçit, që e quan aventurier dhe si zgjidhje të vetme sheh zgjedhjet e parakohshme në vjeshtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.