Ne rrjet

Albin Kurti: BE po e braktis Shqipërinë nga frika e populizmit dhe fashizmit!

Albin Kurti është i shqetësuar se mos hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mund të destabilizojë Kosovën.

Në një interviste me gazetën britanike “The Guardian”, kreu i Vetëvendosjes ka dënuar vendimin e BE për të ndalur zgjerimin e mëtejshëm në Ballkan, duke thënë se liderët perëndimorë kishin harruar mësimet e dy Luftërave Botërore dhe në vend të kësaj ishin në tërhequr nga frika e fashizmit dhe populizmit.

Albin Kurti tha se qëndrimi i Francës ka ulur shanset e tij për të arritur një marrëveshje paqësore me Serbinë, pasi Beogradi ka më pak presion për të njohur pavarësinë e Kosovës pa perspektivën e anëtarësimit në BE.

Franca ka shkaktuar jo pak shqetësime në rajon duke bllokuar hapjen e negociatave, duke shkatërruar kështu edhe shanset e Serbisë për t’u anëtarësuar në BE në vitin 2025.

"BE u formua si një përgjigje ndaj fashizmit, por tani po frikësohet përballë populistëve dhe fashizmit," tha Kurti për “The Guardian”.

"Ju nuk mund të thoni se fillimisht vijnë reformat e brendshme të BE-së dhe më pas zgjerimi. Ato shkojnë paralelisht. Europa është një projekt kaq i rëndësishëm historik sa askush nuk mund të jetë autori i saj, duke e drejtuar apo udhëhequr. Kur Jean-Claude Juncker tha se nuk do të kishte një zgjerim të mëtejshëm të BE-së në pesë vitet e ardhshme, situata në Ballkan u përkeqësua”, thotë kreu i Vetëvendosjes.

Sipas Kurtit, Macron ka harruar se Ballkani është shumë i rëndësishëm për BE-në. “Në dy dekada, historianët do të shkruajnë se nuk kishte dy luftëra botërore, por vetëm një luftë botërore me dy episode, dhe e gjitha filloi në Sarajevë ” i thotë ai “The Guardian.

Kurti ka folur edhe për objektivat e tij si kryeministër i ardhshëm i Kosovës, duke premtuar se do t'i japë fund ngërcit ekonomik të vendit.

Ai aktualisht është në bisedime me LDK-në, për formimin e një qeverie, në të cilën ka premtuar se të paktën 30% e kabinetit do të jenë gra. Kurti thotë se marrëveshja me Vjosa Osmanit do të arrihet brenda një muaji dhe thotë se përparësia e tij është hapja e vendeve të punës dhe drejtësia, jo arritja e një marrëveshje me Serbinë.

Kurti premton t'i japë fund kapjes së gjyqësorit nga shteti për të fuqizuar luftën kundër korrupsionit.

Kreu i Vetëvendosjes i tha “The Guardian” se do të kërkonte llogari një më një për pasuritë e pashpjegueshme të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Albin Kurti, Gazeta Si. 21 tetor 2019

"Kemi pothuajse 200 prokurorë, por disa prej tyre i mungojnë njohuritë, disave guximi, dhe disave i mungojnë të dyja. Ata duhet të çlirohen nga kontrolli i shtetit”, thotë Kurti.

Për t’i bërë ballë borxhit në rritje dhe emigracionit, Kurti është i vendosur t’i jap fund hendekut të madh të aftësive në forcën e punës. "Ne duhet ta bëjmë vendin tonë të gjallë dhe bindnim njerëzit që të qëndrojnë në Kosovë ", thotë ai.

Duke folur për rikthimin në tryezën e dialogut me Beogradin, si paralajmëroi se tarifa 100% ndaj mallrat serbe do të hiqen vetëm nëse do të ketë masa të ndërsjella për heqjen e barrierave tregtare nga Serbia. Kurti thotë se Beogradi gjithashtu duhej t’i jepte fund fushatës së tij diplomatike për të bindur vendet e Afrikës që të mos njohin Kosovën. "Nëse ata duan të fillojnë dialogun, ata duhet të ndalojnë në mënyrë eksplicite lotimin kundër pavarësisë" tha ai.

“Serbia, për shembull, ka kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Interpol, Unesco dhe Këshillin e Evropës. Serbia duhet të përballet me të kaluarën e vet, në vend që t'i shikojë Kosovën dhe Shqipërinë përmes dylbive ushtarake”, thotë ai.

Kurti tha se kishte një plan për arritjen e paqes me Serbinë, i cili do të fillonte dialogun me serbët e Kosovës, i ndjekur nga rishikimi i 33 marrëveshjeve të nënshkruara me Serbinë nën kujdesin e BE-së nga 2012 , dhe në fund me një takim me Josep Borrell, shefin e ardhshëm të politikës së jashtme të BE-së. "Ne nuk mund të lejojmë që dialogu të dështojë sërish" tha Kurti.

Kryeministri i ardhshëm i Kosovës tha se ishte plotësisht kundër shkëmbimeve territoriale me Serbinë, një ide e hedhur këtë vit nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. "Çfarëdo kufiri i ri që të formosh, do të ketë serbë nga njëra anë dhe shqiptarë nga ana tjetër. Kështu që është e rëndësishme që marrëveshja të arrihet në mënyrë paqësore”, thotë kreu i VV-së.

Por ndërkohë Beogradi ka ngritur tanimë alarmin se agjenda e tij e vërtetë do të jetë krijimi një lloj konfederate me Shqipërinë, që të margjinalizojë kështu pakicën serbe në veri të Kosovës.

Serbia tashmë ka shprehur shqetësime për vendimin e tij për mbajtur në zyrë flamurin shqiptar gjatë takimeve me diplomatët e huaj. Ai tha se flamuri zyrtar i Kosovës i ishte imponuar Kosovës "sikur të shpallte pavarësinë nga Shqipëria, dhe jo nga Serbia".

Por ai u zotua në cilësinë e tij si Kryeministër se ai do të ruajë dhe respektojë flamurin zyrtar të Kosovës. "Unë kam detyra më të rëndësishme sesa ri-rregullimi i mobiljeve në zyrën e kryeministrit”, përfundoi Kurti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë