Futboll

Alarmi i argjentinasve: Duan të na përjashtojnë nga Botërori

Irani nuk është një rast i izoluar. Rrethana që nuk lidhen me futbollin vendosën fatin e një tjetër ndeshjeje. Argjentina anuloi miqësoren me Izraelin në Jeruzalem dhe zyrtarisht tha se këtë vendim e kishte marrë për arsye sigurie, pas kërcënimeve që kishin marrë lojtarët e saj.

Vendimi i skuadrës amerikano-latine u prit me reagime të forta nga izraelitët, që thanë se nuk kishte asnjë sinjal se siguria e lojtarëve argjentinas ishte e kërcënuar, por akoma më i ashpër është reagimi shoqëria që organizoi miqësoren e dështuar.

Sipas mediave argjentinase, pas tërheqjes në moment të fundit nga ky takim, kombëtarja nuk rrezikon vetëm një gjobë të majme nga FIFA për mospërmbushje të kontratës me shoqërinë Comtec, por ndëshkimi mund të jetë më i ashpër.

“Ole” shkruan se Comtec do të dorëzojë në FIFA kërkesën për përjashtimin e Argjentinës nga Botërori i Rusisë me akuzën e “diskriminimit fetar”.

Artikulli i medias argjentinase "Ole", ku thotë se po kërkohet përjashtimi i kombëtares nga Botërori 2018

“Përfaqësuesit e kësaj shoqërie janë nisur drejt Zyrihut me dosjen e përgatitur dhe një mori avokatësh për të kërkuar përjashtimin e Argjentinës nga Botërori 2018”, shkruan “Ole”.

Në shënjestër të kritikave izraelite është vendosur Lionel Messi, kapiteni i Argjentinës dhe ambasador i paqes në UNICEF. Sipas këtyre mediave, “Pleshit” ka luajtur një rol thelbësor në vendimin për t’u tërhequr nga ndeshja miqësore dhe për këtë përcjellin falenderimet e shumta që lojtari i Barcelonës ka marrë prej palestinezëve.

Përveç kësaj, AFA, federata argjentinase e futbollit i trembet edhe një mase ndëshkuese financiare, që mund të shkojë deri në 2 milionë euro, që Comtec mund t’i përfitojë si dëmshpërblim për ndeshjen e munguar.

Për këtë ndeshje, zyrtarisht u tha se ishin shkaqet e sigurisë që bënë argjentinasit të tërhiqen, por jozyrtarisht thuhet se vendimi është marrë si shenjë proteste për situatën në Gaza dhe për shkak të presionit të palestinezëve dhe popujve të tjerë arabë, që kundërshtonin zhvillimin e miqësore në Jeruzalemin e kontestuar.

Me këtë anulim, Izraeli “provoi” shijen e zhgënjimit që vuajti më parë dy herë radhazi armiku i përbetuar i tij, Irani. Trajneri portugez i kombëtares iraniane shpërtheu në akuza pas anulimit të miqësoreve me Kosovën dhe Greqinë, duke nënkuptuar se faktorë që nuk lidhen me sportin po vendosin që të bojkotojnë përplasjet me skuadrën që ai drejton.

“Është shumë e vështirë për ne që të përgatitemi për botëror, pasi askush nuk dëshiron që të luajë kundër nesh”, tha Carlos Queiroz.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë