Bota

Alarm në Spanjë, 5 pako-bomba të dorëzuara në seli qeveritare dhe diplomatike

Gazeta Si - Në Spanjë, të paktën 5 pak-bomba me zarf janë raportuar në orët e fundit nga autoritetet policore në seli qeveritare, ushtarake dhe diplomatike.

Pas asaj të dorëzuar të mërkurën në ambasadën ukrainase në Madrid, të tjerë kanë mbërritur në një fabrikë armësh në Saragoza, një bazë ushtarake e vendosur në rajonin e kryeqytetit spanjoll, një për kryeministrin Pedro Sanchez dhe një tjetër për Ministrinë e Mbrojtjes.

Kjo e fundit është shpërthyer në mënyrë të kontrolluar nga shërbimet e sigurisë të së njëjtës ministri dhe po vijojnë hetimet për të verifikuar nëse ka lidhje mes pesë zarfeve.

Një zarf me material piroteknik iu dërgua edhe kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez më 24 nëntor në Moncloa (selia e kryeministrisë). Bomba u shpërthye në mënyrë të kontrolluar nga xhenjerët e ministrisë.

“Në pritje të rezultateve përfundimtare të analizave që po kryhen, zarfi mund të përmbajë një substancë të ngjashme me atë të përdorur te fishekzjarrët”, - sqarohet në shënim.

Të mërkurën, një letër drejtuar ambasadorit ukrainas në Madrid, me një pajisje të bërë vetë, shpërtheu në duart e një punonjësi të misionit diplomatik, i cili pësoi lëndime të lehta në dorë. Sipas vetë ambasadorit, Serhii Pohoreltsev, punonjësi i ambasadës tashmë është kthyer në punë.

Përveç asaj në ambasadën e Ukrainës dhe ndaj kryeministrit Sanchez, u dorëzuan edhe tre bomba të tjera me zarf.

Në bazën ajrore Torrejon de Ardoz u gjet një pako, e dërguar me postë në Qendrën Satelitore që ndodhet në këtë objekt ushtarak.

Një paketë e ngjashme iu dorëzua një fabrike armësh në Saragoza të mërkurën.

Sipas gazetës “El Pais”, kompania ka prodhuar armë të dërguara në Kiev për të përballuar pushtimin rus.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme spanjolle, informon se është forcuar siguria e objekteve publike dhe administrative.

Ndërkohë, në një shënim në Twitter, ambasa ruse në Spanjë distancohet nga aktet e fundit: “Në lidhje me pakot bomba të dërguara në ambasadën e Ukrainës në Spanjë dhe në disa institucione qeveritare spanjolle, ne deklarojmë se çdo kërcënim apo akt terrorist është tërësisht për t’u dënuar, aq më tepër nëse drejtohet kundër një përfaqësie diplomatike”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë