Ne rrjet

Alabbar i bashkohet dhëndrit të Trump në projektin e Serbisë. Kushner ‘e detyroi’ të hiqte dorë nga pronat në Bjellorusi

Nga Gazeta Si - Në një artikull ekskluziv, agjencia e lajmeve “Reuters” njofton se dy investitorët me projektet më të mëdha në Shqipëri, do të bashkëpunojnë për një të tillë në Serbi.

Mohamed Alabbar, investitori i projektit të portit të Durrësit po bashkëpunon me Jared Kushner, dhëndrin e Trump, që pritet të marrë në menaxhim ishullin e Sazanit. Projektet e dy biznesmenëve në Shqipëri i kalojnë vlerën e 2 mld eurove.

“Reuters” thotë se Alabbar do t’i bashkohet Kushner në ndërtimin e hotelit luksoz në Beograd, që u shoqërua me shumë kritika, pasi prekte një sit historik për vendin. Marrëveshja ka “detyruar” Alabbar që të heqë dorë nga projekti i tij shumë i dashur në Bjellorusi, “North Waterfront”.

Artikulli i "Reuters"

Mohamed Alabbar, zhvillues i njohur në botën arabe ka nisur të shesë asetet që ka në Bjellorusi, për t’i shpëtuar sanksioneve perëndimore, ndërkohë që planifikon në bashkëpunim me dhëndrin e Trump, në Beograd.

Manjati i real estate ka dakordësuar një marrëveshje paraprake për të shitur të gjitha pronat e tij miliona dollarëshe në Minsk, me anë të mjetit të tij të investimeve, kompaninë “Symphony Global Holdings”. Kështu Alabbar ka hequr dorë nga projekti i shumëpërfolur “North Waterfront”, që kishte nisur në 2021-shin në kryeqytetin bjellorus. Projekti synonte ngritjen e një kompleksi rezidencial gjigand në veri të Minskut.

Alabbar nuk ka komentuar asnjërën nga çështjet e lartpërmendura.

Kushner para një muaji pranoi se po negocionte për një investim miliona eurosh në Serbi, për të ndërtuar një hotel luksoz. Burimet thonë se biznesmeni arab do të shërbejë si këshilltar në projekt dhe nuk është e qartë nëse do të investojë apo jo.

Reuters nuk mundi të zbulojë nëse shitja e pronave në Minsk ishte kusht i kontratës së Kushner.

Minsk nuk është në luftë me Kievin, por presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko ka lejuar trupat ruse të përdorin territoret e shtetit të tij për të sulmuar Ukrainën. Vetë Lukashenko ka qenë i përfshirë në projektin me Alabbar. Një person i njohur me projektin tha se Lukashenko nuk ka dijeni për shitjen e pronave nga ana e Alabbar.

Planet e Kushner për të investuar në Serbi u shfaqën në mes të marsit kur një ligjvënës i opozitës, Aleksandar Jovanoviç, publikoi dokumente që tregonin se autoritetet serbe kishin përgatitur terrenin për një partneritet të pasurive të paluajtshme me biznesmenin amerikan. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, konfirmoi se një partneritet ishte në diskutim.

I pyetur nga Reuters muajin e kaluar nëse projekti i Beogradit ishte lehtësuar nga lidhjet që ai bëri gjatë kohës së tij si këshilltar i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, Kushner tha: "Askush nuk po më 'më jep' marrëveshje speciale".

Burimi:Reuters/Gazeta 'SI'


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë