Para

Çfarë investoi kompania e dhëndrit Kushner që pasi Donald Trump la Shtëpinë e Bardhë dhe lidhja me sauditët

“Affinity Partners”, kompania e dhëndrit të Donald Trump që do të investojë në Sazan nuk ka shumë kohë në fushën e biznesit.

Krijuar në 2021-shin me fonde saudite, dy muaj pas largimit të administratës Trump, kompania e Kushner, nisi investimet vetëm në 2023-shin. Ndonëse qëllimi i kompanisë që operon si fond investimesh është tregu aziatik dhe lindor, e nisi me Europën. EGYM ishte kompania e parë ku Affinity investoi 250 mln euro, me bazë në Mynih.

Në shtator të të njëjtit vit, Kushner u bë pronar i kompanisë automative izraelite Shlomo, në 15% të aksioneve, me vlerë 150 mln dollarë. Kompanitë e tjera i përkasin tregut amerikan ose atij saudit.

Të dhëna të tjera të aktivitetit të Affinity nuk janë të aksesueshme.

Lidhjet me princin saudit

Që në ngjizjen e kësaj firme, Kushner është përballur me akuza për shpërdorim detyre dhe konflikt interesi, të lidhur me princin e kurorës në Arabinë Saudite, Mohammed bin Salman. Ishte Salman i cili i “dhuroi” Kushner 2 mld dollarë për Affinity-n nga fondi Sovran i Arabisë Saudite.

Fillimisht Kushner e kishte regjistruar MBS, si investitor “jorezident”, pasi rregullorja e SHBA-së e lejonte të mos shënonte identitetin e tij. Shpejt u zbulua, se pas 2 mld dollarëshit fshihej princi.

Kongresmenët demokratë atëherë akuzuan se Kushner kishte shfrytëzuar pozitën e tij në qeveri, si këshilltar i lartë i Trump për t’u afruar me princin Salman. Mediat amerikane raportuan se dhurata e princit për dhëndrin e Trump ishte një kthim nderi, pasi ai mbrojti figurën e Salman kur akuzohej për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, duke shtuar këtu dhe një konflikt moral. CIA beson se Salman është vrasësi i gazetarit.

Një vit më vonë, në 2022-shin, senati dhe administrata Biden nisi një hetim për Affinity Partners, Kushner dhe lidhjet me Arabinë Saudite. Të gjitha akuzat u mohuan nga familja Trump, ndonëse nuk është plotësuar asnjë dokumentacion i kërkuar në hetim.

Kushner foli për herë të parë për këtë çështje, në shkurt të këtij viti duke thënë se për të, Salman është një lider vizionar.

Mediat izraelite shkruajnë se financues të firmës së Kushner janë dhe Katari bashkë me Emiratet e Bashkuara Arabe që kanë shtuar miliona të tjera, por nuk ka një konfirmim zyrtar për këtë.

Një ditë më parë, kjo çështje u rikthye në vëmendje nga kongresmeni demokrat i Kalifornisë, Robert Garcia, pas lajmit se kjo firmë do të investojë në Shqipëri.

Kongresmeni Garcia shkroi në X të Premten: “Jared Kushner është kthyer në ndërmjetësimin e marrëveshjeve të mëdha me qeveritë e huaja sipas raporteve të reja sot. Ne kemi ekspozuar tashmë fondin e tij të investimeve prej 2 miliardë dollarësh me sauditët dhe ne po përpiqemi fort për të siguruar që kjo çështje të marrëvëmendjen e merituar. Ky është korrupsion i vërtetë”.

Ndërkohë, Robert Weissman, president i “Public Citizen”, i cili gjurmon marrëveshjet e biznesit që i konsideronte si konflikt interesi gjatë presidencës së Trump, i tha “Times”, “Në këtë pikë të ciklit zgjedhor Jared Kushner duhet të ngrijë çdo plan të ri investimi”.

Kushner deklaroi se Affinity do të jetë i vetmi angazhim i tij dhe se nuk do të kthehet në administratë në rast se Trump fiton. Lajmi se ai do të investojë mbi 1 mld dollar në Serbi dhe Shqipëri, trazoi ujërat në të dy kontinentet, që më shumë se një projekt biznesi, duket projekt politike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë