Ne rrjet

10 mijë firma në 24 orë/Serbët peticion kundër projektit të dhëndrit të Trump në Serbi

Nga Gazeta 'Si'- Një grup opozitar në Serbi ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për një peticion kundër një projekti ndërtimesh që do të financohej nga kompania e dhëndrit të ish presidentit amerikan Donald Trump, në ish selinë e shtabit të ushtrisë serbe, që u shkatërrua në fushatën e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.

Më herët gjatë këtij muaji, Jared Kushner konfirmoi raportet se kompania e tij planifikon të financojë një projekt në qendër të Beogradit, që përfshinë një hotel, një kompleks apartamentesh luksoze si dhe hapësira për zyra dhe dyqane.

Në peticionin e nisur të hënën, i kërkohet qeverisë së Serbisë të respektojë ligjin, i cili thotë se ndërtesa mund t’i kthehet vetëm funksionit të saj fillestar. Organizatorët thanë se aty duhet të ngrihet Muzeu i Historisë Serbe.

Grupi opozitar “Lëviz dhe Ndrysho”, tha se 10.000 veta nënshkruan peticionin në më pak se 24 orë.

“Kjo është çështje e krenarisë së shtetit dhe qytetarëve, dhe ne kemi shembull të mirë kur terroristët rrëzuan Kullat Binjake në Nju Jork, amerikanët nuk ua dhanë atë vend disa investitorëve arabë për të ndërtuar hotelet e tyre. Ata ngritën monument për viktimat”, tha Savo Manojloviç, udhëheqës i grupit.

Zyrtarë pro Trump të qeverisë në Serbi e kanë mirëpritur projektin, por opozita është shprehur kundër tij.

Për shumëkënd, ndërtesa e bombarduar e komandës së ushtrisë serbe është një simbol i fuqishëm i rezistencës së Serbisë kundër atij që ata e quajnë, agresion të NATO-s, 25 vjet më parë.

Një grup protestuesish me flamuj serbë dhe rusë u mblodh të dielën para kësaj ndërtese në përvjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s, që i dhanë fund shtypjes së shqiptarëve të Kosovës nga forcat serbe.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë