Politike

Akuzat për ‘llum’, ‘bishta të korruptuar’ dhe ‘shërbim ndaj Ramës’. Ku po shkon PD-ja?

Nuk është hera e parë. Në një mbrëmje të vonë, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, vendosi të shkarkojë Flamur Nokën si përfaqësues të PD nga funksionet parlamentare pas një debati që të dy ata kishin pasur në mbledhjen e kryesisë së grupit parlamentar.  

Noka tha se shkarkimi ishte pjesë e paktit Basha-Rama.

Basha tha të njëjtën gjë ditën në të gdhirë se Noka po i shërbente axhendës personale të Ramës.

Kësaj here Basha foli më shumë. Duke sqaruar “llumin” për të cilën u ngrit një tymnajë e tërë debati dhe konflikti dy ditë më parë.

Lulzim Basha e shkëputi veten nga ai i do muajve më parë, para se të kërkonte votën e elektoratit për tu bërë kryeministër e të merrte një tjetër mandat për kryetarin.

Ai foli për bishta të korruptuar të ish-qeverisjes Berisha, duke nënkuptuar edhe Nokën të cilin vetë Basha personalisht nuk e kish parë me këtë sy muajt e verës kur e propozoi atë ai si nënkryetar të komisionit të Sigurisë nga PD, as kur e futi në listën e sigurt të kandidatëve për deputet në prill, dhe as kur e katapultoi anëtar të kryesisë me “ofiqin” parlamentar që i dha.

Flamur Noka është i dyti i përjashtuar de facto nga radhët e PD-së nga Basha pas një përplasje të vazhdueshme me njeri tjetrin lidhur me vendimin për Berishën.

Nuk ka rëndësi emri  “Noka” në këtë rast, i cili në zgjedhjet e 25 Prillit u spostua nga Kukësi në Tiranë për shkak të shumë pakënaqësive që kish krijuar në qarkun që përfaqësonte prej vitesh.

Nuk ka rëndësi as përfolja e emrit të tij si “pjesë e korruptuar” e ish-kabinetit Berisha dhe as punësimet politike që komandonte në emër të partisë.

Këto do të kishin rëndësi në një kohë tjetër për PD-në, kur Basha të mos mendonte vetëm për kalkulimet e veta politike.

Lulzim Basha tha do kohë më parë se kishte marrë një vendim personal për të pezulluar Berishën nga grupi me qëllim që të shmangte përçarjen në struktura.

A po ndodh një gjë e tillë? Ata që e mbështesin sot Bashën nuk flasin.

Ata që e kritikojnë, ngrenë zërin për zvogëlim të PD-së deri edhe në “vdekje” politike të saj.           

“Shkarkimi i z. Noka një dëshmi tjetër e traditës së shëmtuar të përjashtimeve.  Opozita zvogëlohet edhe me shumë nga përjashtimi. Një dëshmi e re e kryetarokracisë. Basha e emëroi Kryesinë e grupit dhe gati dy të tretat e Kryesisë si një kryetarokrat dhe e shkarkon po si kryetarokrat. Demokratët duhet të reagojnë kundër modelit jo rastit personal. Basha veproi si Kryetarokrat jo vetëm kur shkarkoi, por edhe kur emëroi.

Përplasja me akuza të ndërsjellta me etiketime “llum” apo “peng” tregon degradim. Kë të besojnë demokratët? Ata meritojnë më shumë nga Kryetari dhe nga ish Kryetari. Kjo klimë përplasjesh dhe përjashtimesh tregon degradim. Idetë dhe propozimet e Manifestit “për një parti më e madhe se kryetari” janë përgjigjja për të dalë nga kjo gjendje si një parti e pastër, e hapur, e bashkuar, fituese”, shkruan Fatbardh Kadilli në emër të lëvizjes iniciativa Demokratike “Ide”.

Reaguan gjithashtu Edmond Spaho dhe Albana Vokshi, të dy të qejfmbetur paraprakisht mbi mënyrën se si Basha mori vendimin ndaj Berishës.

“Lul mjaft me dëbime, fillo internimet tani.

Bjeru deputetëve si në ‘45. Po ndonjë pushkatim nuk do bëjmë?

Nuk e bën dot Enverin ti. I pari ishte historik, i dyti qesharak dhe i mjerë. Po te mblidhet litari, Lul, po te mblidhet”, komentoi Spaho në Facebook.

Albana Vokshi kryetare e Komisionit të Medias dhe bashkëpunëtore ndër vite e Bashës por edhe e Berishës shkruan:  

“Liria dhe demokracia e brendshme janë oksigjeni që mund të mbajnë në jetë PD-në.

Memeceria, bindja e verbër dhe futja në rresht janë asfiksim që e çon PD-në në një vdekje pa zhurmë por të sigurt”

Reagoi edhe Jozefina Topalli ish-nënkryetarja e PD-se e përjashtuar nga Basha me një të rënë të lapsit në zgjedhjet e 2017-ës.

“Luli paska përjashtur prapë me vendim personal sonte në darkë.

Kësaj here radhën e kishte Flamur Noka, që është rritur në Partinë Demokratike.

E paska shpallur armik të brendshem! Në fakt e paska nderuar Flamurin”.

Ai që nuk ka folur ende është Sali Berisha, i cili për ironinë e fatit të martën mbasdite do të jetë në Kukës, bastionin e fundit të PD-së, aty ku deputet ka qenë edhe Flamur Noka, deri para zgjedhjeve të 25 Prillit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë