Futboll

Akuzat ndaj Guardiolës: Është racist! Nuk i do lojtarët afrikanë

Kur Pep Guardiola mori drejtimin e Manchester City-t, mes lojtarëve që gjeti në skuadër ishte edhe Yaya Toure, mesfushor shtatlartë nga Bregu i Fildishtë, që po kalonte një periudhë shumë të mirë në Premier League.

Ky ishte takimi i dytë mes tyre. Më parë, spanjolli e “dëboi” nga Barcelona afrikanin me argumentin se nuk u përshtatej skemave të tij në fushën e lojës.

Edhe në Angli ndodhi e njëjta gjë. Gjërat mes tyre u ftohën dhe kur kanë kaluar disa vite, Yaya Toure jep versionin e tij se përse Guardiola nuk e aktivizonte.

“Unë vazhdimisht marr statistikat e mia pas çdo stërvitjeje, apo loje, për të parë se ku duhet të përmirësohem dhe sa herë që më është dhënë mundësia, kam treguar se jam shumë mirë dhe kam bërë vërtetë mirë në fushë. Gjithsesi kjo nuk i ka interesuar Pep Guardiolës, që më largoi fillimisht nga Barcelona. Më pas te City, unë isha zëvendës kapiten dhe ai vjen një ditë në dhomat e zhveshjes dhe më thotë se nuk më shihte të motivuar dhe se duhej të flisja me pronarët për t’u larguar. Dyshoj se do të bënte të njëjtën gjë me Andres Iniestën, edhe nëse ai do të ishte 40 vjeç”, deklaroi Toure.

Më pas futbollisti nuk ngurron të tregojë edhe shembullin me Samuel Eto’o, që e largoi me ngulm nga Barcelona, pavarësisht se ishte një nga më të mirët.

“Besoj se të gjithë e kujtoni Eto’o. Ishte një sulmues i jashtëzakonshëm, që kontribuoi shumë për të shpallur Barcelonën kampione Europe, por kjo nuk i mjaftonte Guardiolës, që bëri gjithçka për ta larguar, derisa ia doli at shkëmbejë me Ibrën. Të gjithë e patë se koha i dha të drejtë kamerunasit, jo trajnerit, që pas pak javësh uli Ibrën në stol, sepse nuk ishte për stilin e lojës së Barçës”, tregoi mesfushori nga Bregu i Fildishtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë