Politike

Akuzat e “Rithemelimit” për ankimimin e Alibeajt, reagon Apeli: Mos na intimidoni (hidhet edhe shorti)

Gjykata e Apelit Tiranë ka reaguar pas letër ankesës nga "Rithemelimi" drejtuar kryetares së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Pamela Qirko dhe Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, për gjyqtaren Blerina Muça që pak kohë më parë njohu si palë Enkelejd Alibeajn në ankimin për vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri.

‘Rithemelimi’ kërkoi fillimisht hetimin dhe më pas shkarkimin e gjyqtares Blerina Muça me argumentin se, “ka shpërdoruar rëndë detyrën”.

Po pse të martën ky reagim kur ankesa ka ditë drejtuar KPK dhe Inspektoriatit?

Të martën pas mesdite u hodh edhe shorti për të caktuar gjyqtarin që do shqyrtojë kërkesën e Rithemelimit, për të mos pranuar ankimimin e bërë nga kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj.

Pas hedhjes së shortit, çështja i ra gjyqtares Elona Toro për shqyrtim.

Para hedhjes së shortit, Apeli doli me një deklaratë publike.

“... Referuar deklaratave tashmë të bëra publike, që shkojnë përtej debatit të brendshëm partiak, apo edhe opinioneve të shfaqura lidhur me këto zhvillime, Gjykata e Apelit Tiranë, e përgjegjshme për funksionin që i është ngarkuar, konsideron të papranueshëm çdo reagim dhe deklarim paragjykues, sulmues apo denigrues që synon të ushtrojë ndikim në marrjen e një vendimi të caktuar mbi këto çështje.

Për një shtet të së drejtës, sulme të tilla ndaj gjyqtarëve dhe gjykatave, të cilat perceptohen si ndërhyrje e drejtpërdrejtë në veprimtarinë gjyqësore përpara marrjes së vendimeve prej tyre, janë të papranueshme ligjërisht dhe kushtetutshmërisht.

Gjykata është dhe do të mbetet autoriteti i vetëm, që ka pushtetin dhe përgjegjësinë në dhënien e drejtësisë, ndaj si e tillë duhet respektuar”, thuhet në deklaratë.

Më tej Gjykata e Apelit “garanton cilindo se do të shqyrtojë me përgjegjshmëri, objektivitet, drejtësi dhe transparencë çështjet që i janë referuar për shqyrtim, duke mirëpritur çdo vërejtje konstruktive lidhur me veprimtarinë gjyqësore, por duke mos pranuar asnjë sulm denigrues ndaj saj, që lidhet drejtpërdrejtë me ushtrimin e funksionit dhe të misionit për të cilin është ngarkuar nga Kushtetuta”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë