Politike

Akuzat e Metës ndaj SPAK, Shehi: Ata që e sulmojnë kanë halle personale

Kryetari i LZHK-së Dashamir Shehi, i sheh sulmet e kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta ndaj kreut të SPAK Altin Dumani, si pasojë e halleve personale.

“SPAK duhet të vazhdojë të punojë. I dimë defektet që ka drejtësia, elementet që janë vendosur aty, por SPAK është i vetmi që po punon. Do ta shohim deri ku do shkojë, por deri më tani ka bërë diçka. Drejtësia ka defekte të tjera, me dosjet, por me këto nuk merret njeri. Qytetarët kanë halle të tjera, jo do të hyjë në burg Meta. Ky është kurioziteti shqiptar.

SPAK duhet lënë i lirë, ata që e sulmojnë kanë halle personale. SPAK duhet mbështetur. Duhet të mbyllen edhe hallet e qytetarëve të tjerë, ajo është drejtësia e vërtetë. SPAK nuk ka bërë hata të madhe, por SPAK për herë të parë po hap disa dosje”, tha Shehi për Report Tv.

Po ashtu, Shehi theksoi se çdo lëvizje që bën opozita, forcon pushtetin e qeverisë Edi Rama.

“Rama qëndron në pushtet, sepse opozita ka këto krerë. Rama ka 11 vite në pushtet, nëse do të kishte vullnet do t’i kishte goditur këta krerë. Meta është president i Ramës, kryetar i parlamentit të Ramës, bashke qeveritar etj. Kush e bëri? Rama e bëri president të Shqipërisë, ka qenë i interesuar që këta njerëz të jenë aty.  T’i thotë elektoratit: Dëshironi këta njerëz, apo mua. I vetmi ortak që kanë të korruptuarit, kanë Ramën”, tha Shehi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë