Futboll

Akuza e Jovanovic, kundërpërgjigjet Partizani

Situata te Partizani në këtë prag-sezon nuk është nga më të mirat. Pas humbjes në javën e parë në Korçë, te “klubi i kuq” janë shfaqur të tjera probleme. Këtë herë është një ish-pjesëtar i stafit teknik, si Marko Jovanoviç që ka lëshuar akuza shumë të forta në drejtim të Partizanit. Jovanoviç më i ashpër në akuzat e tij ka qenë në drejtim të trajnerit të “demave”, Skënder Gega.

Por menjëherë pas këtyre akuzave shumë të ashpra ka reaguar klubi i Partizanit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Partizani ka sqaruar pozicionin e tij në lidhje me këtë ngjarje.

“SQARIM PËR MEDIAT / Klubi sqaron në lidhje me deklaratat e dhëna nga ish pjestari i stafit teknik Marko Jovanoviç. Klubi bën të ditur se largimi i zotit Jovanoviç nga detyra video analistit, ishte një vendim i përbashkët i drejtuesve dhe trajnerit Gega. Klubi e falënderoi publikisht zotin Jovanoviç për punën gjatë qëndrimit 6 mujor si pjesë e stafit teknik të ekipit. Por, klubi shpreh zhgënjim dhe indinjatë për deklaratat e nxituara, jo korrekte dhe jo profesionale të zotit Jovanoviç dhe i hedh poshtë ato, si të dyshimta dhe të pavërteta. Me këtë rast, klubi konfirmon se trajneri Skënder Gega gëzon besimin e plotë të drejtuesve dhe të ekipit. Klubi e inkurajon trajnerin Gega të vazhdojë punën e nisur në zbatim të projektit për rikthimin e Partizanit në nivelet e kërkuara nga dashamirësit e tij të shumtë dhe arritjen e objektivave të vëna nga Klubi”, shkruhet në njoftimin e shpërndarë nga Partizani në rrjetet sociale.

Partizani në ndeshjen e ardhshme do të luaj kundër Kamzës në transfertë, ku pritet me çdo kusht një reagim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë