Politike

Aksioni i lënë përgjysmë i Metës

Paqja e vendosur me pahir pas 26 nëntorit mes Presidencës dhe mazhorancës socialiste nuk zgjati as tre muaj. Ilir Meta i është rikthyer ditët e fundit aksionit të shpallur që prej korrikut, e të përforcuar në tetor-nëntor të vitit të kaluar, për atë që e quan “mbrojtje e Kushtetutës, sovranitetit të shtetit dhe interesit shtetëror e publik nga grushti i shtetit”, që sipas tij ka ndërmarrë mazhoranca.

Akuzat e Presidentit u riaktivizuan pas miratimit në Kuvend të projektligjit që i heq atij ekskluzivitetin e organizimit të betimeve për anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese. Ai thotë se projektligji është antikushtetues dhe pjesë e përpjekjeve të mazhorancës dhe Kryeministrit Edi Rama për të vënë nën kontroll drejtësinë.

I vetëdijshëm se mjetet e rezistencës dhe mekanizmat kushtetues i ka të kufizuar përballë mazhorancës, Presidenti, ashtu si në nëntor, iu drejtua edhe njëherë qytetarëve. Por, mes thirrjeve të nëntorit dhe shkurtit ka një dallim.

Në nëntor, Presidenti njoftoi ndërmarrjen e një turi popullor nëpër të gjithë Shqipërinë për të ngritur qytetarët për organizimin e një referendumi në mbrojtje të Kushtetutës. Turin njoftoi se do ta niste nga “Qyteti Studenti” më 8 Dhjetor, Ditën Kombëtare të Rinisë. Por, tërmeti tragjik i 26 nëntorit dhe pasojat e tij, e bënë të pamundur këtë.

Në vend të kësaj, Meta la përkohësisht mënjanë aksionin e tij dhe nisi të dekretojë pa vonesa vendimet e Parlamentit që lidheshin me përballimin e pasojave të tërmetit. Mes tyre ishte edhe dekretimi i projektbuxhetit për 2020, megjithëse kishte radhitur një sërë vërejtjesh për të.

Tani, Presidenti u është drejtuar sërish qytetarëve duke i ftuar më 2 mars në një besëlidhje në mbrojtje të Kushtetutës, sovranitetit dhe interesit publik. Termi “besëlidhje” nuk u përdor rastësisht prej tij në komunikimin e fundit për gazetarët. 2 marsi 1444 është data kur është thirrur “Lidhja e Lezhës” nga Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Nuk është hera e parë që Presidenti u referohet figurave historike për të ilustruar këmbënguljen në drejtësinë e kauzës së tij. Në të shkuarën në deklaratat e tij ka sjellë emra si Vojo Kushi, Avni Rustemi e deri tek Salvador Allende nga Kili.

Megjithatë, zbritja në bulevard më 2 mars, (nëse ndonjë forcë madhore natyrore, apo njerëzore nga përtej Atlantikut nuk ia ndryshon mendjen) mund të jetë kulmi i përplasjes. Presidenti tani nuk kërkon më referendum për Kushtetutën dhe as ka folur më për shpërndarje parlamenti.

Ai parlamentin e cilëson si të shpërndarë. E quan gjysmëparlament antikushtetues me dele-deputetë, që aktin final të shpërndarjes do t’ia bëjë populli. Se cila është rruga që populli do ta shpërndajë Parlamentin, Meta nuk e sqaron shumë dhe la enigmë se çfarë dekreti do të firmosë më 2 mars, që thotë se është goditje për çmontimin e grushtit të shtetit.

2 marsin e paraqiti edhe si një sfidë personale në dukje me Edi Ramën, të cilit pa i përmendur emrin i dha një mesazh. “Ata që kërkojnë popullin e Presidentit në whatsapp, të porosisin poture të gjera”, tha Meta.

Në dallim nga aksioni i vjeshtës, aksioni aktual i Presidentit ka një rreze më të gjerë. Në vjeshtë goditjet u përqëndruan kryesisht tek Ardian Dvorani dhe u finalizuan me padinë e ngritur kundër kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ndërsa tani në “grushtin e shtetit”, veç Qeverisë dhe Parlamentit u përfshinë edhe institucione të tjera, deri tek Qendra e Botimeve Zyrtare, të cilën Meta e akuzoi për mosdhënie informacioni.

Ndryshimi tjetër, të paktën deri më tani, është edhe gjuha më e përzgjedhur për të shënjestruar ndërkombëtarët. Në korrik dhe vjeshtë të vitit të kaluar, ai përsëriste termin “PPPd”, ku me “P” nënkuptonte treshen politikanë, propagandë polici dhe me “d” e vogël diplomatë që kanë braktisur parimet perëndimore dhe demokratike. Tani, ky term është modifikuar. Meta i ka hequr “d” e vogël dhe flet vetëm për “PPP” dhe nuk e ka përmendur më “Rrugën e Elbasanit”, duke nënkuptuar Ambasadën Amerikane.

Pikërisht kjo ambasadë përfundoi në shënjestrën e Metës më 21 nëntor të 2019, pasi kishte mbështetur idenë që përplasja për emërimet në Gjykatën Kushtetuese të çohej në Venecia. “Hipokritët që duan të çojë këto akte në Venecia, ata janë hipokritë, sepse duhet të çonin zgjedhjen e Arta Markut me 69 vota në kundërshtim me Venecian, tani duan të shpëtojnë Dvoranin, pasi ka pasur garanci edhe nga disa palaçove ndërkombëtarë për të përdhunuar të gjithë procesin e KED-së”, deklaronte Presidenti.

Ajo që nuk ka ndryshuar që nuk ka ndryshuar përgjatë kësaj periudhe është mbështetja e opozitës për vendimet e Presidentit, mbështetje që Lulzim Basha e konfirmoi edhe në fund të një takimi që pati me Metën së fundmi në Presidencë. Por, edhe këtu ka një dallim. Mbështetja në retorikë duket e njëjtë, por opozita, të paktën pjesa e saj që përfaqësohet nga Lulzim Basha duket më e kujdesshme sesa në nëntor, kur nuk ishte në asnjë proces dialogu me mazhorancën, ndryshe nga tani ku është pjesë e Këshillit Politik për reformën zgjedhore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë