Policia e Tiranës ka vënë në pranga katër shtetas gjatë 24 orëve të fundit, të cilët akuzohen për vepra të ndryshme penale.
Policia thotë se dy prej tyre mbanin me vete lëndë narkotike të llojit kanabis, kurse dy të tjerët janë prangosur për ushtrimin e paligjshëm të lojërave të fatit dhe për dhunë në familje.
Mësohet se janë vënë në pranga për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, shtetasit E. Th., 20 vjeç dhe K. K., 20 vjeç, të dy banues në Tiranë, pasi gjatë kontrolleve fizike të ushtruara ndaj këtyre shtetasve nga Policia, përkatësisht në rrugën “Bill Klinton” dhe “Panorama”, në vendin e quajtur “Liqeni i Thatë”, u është gjetur një sasi lënde e dyshuar narkotike (kanabis).
Ndërsa për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” është arrestuar shtetasi A. N., 46 vjeç, banues në Tiranë, pasi në bar kafen që administronte ushtronte veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit dhe gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia, i është gjetur dhe sekuestruar njësi kompjuterike, e cila shërbente për këtë aktivitet të kundërligjshëm.
Po ashtu është vënë në pranga shtetasi E. B, 31 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën “Zydi Herri” ka ushtruar dhunë fizike ndaj 2 shtetasve, duke u shkaktuar dëmtime fizike.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.