Lajme

“Abuzuesit”, prangosen 17 policë e punonjës bashkie në Durrës e Shijak

17 zyrtarë të policisë dhe të pushtetit vendor në pranga është bilanci i aksionit të koduar “Abuzuesit” të ndërmarrë këtë të enjte nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.

Përmes një deklarate të bërë publike në orët e vona të mbrëmjes, SHÇBA thotë se të arrestuarit dyshohet se kanë lejuar ndërtime pa leje në zonën e Durrësit, Manzës dhe Shijakut. SHÇBA nënkupton se hetimet kanë nisur para tërmetit të 26 nëntorit.

“Pas një hetimi disa mujor, duke aplikuar metoda speciale u dokumentua me prova ligjore veprimtaria e kundraligjshme e subjekteve të këtij procedimi, të cilët duke keqpërdorur atributet që u jepte detyra dhe funksioni, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, por dhe me shtetas të tjerë, kanë konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Ndërtim të paligjshëm, në bashkëpunim”, thuhet në deklaratë.

Personat e ndaluar janë punonjës të Policisë së Shtetit, nëpunës të pushtetit vendor, të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, IKMT dhe të Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Vendor në bashkitë Durrës dhe Shijak. SHÇBA thotë se shpërdorimi i detyrës dhe veprimtaria e kundërligjshme e këtyre personave është shtrirë përgjatë 2019 në kohë dhe vende të ndryshme.

Dyshohet se këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe duke abuzuar me kompetencat e ushtrimit të detyrës kanë krijuar një mekanizëm korruptiv dhe kundrejt vlerave të konsiderueshme monetare, lejonin ndërtime të shumta të paligjshme si objekte banimi, magazina, objekte biznesi, duke shmangur kështu zbatimin e legjislacionit në fushën urbanistike dhe sigurimit teknik të tyre.

Ndaj personave të ndaluar, SHÇBA thotë se ka ekzekutuar në orët e mbrëmjes së të enjtes urdhër-arrestet e lëshuara për personat në fjalë, ndaj të cilëve është marrë edhe masa e arrestit me burg nga ana e gjykatës.

Të arrestuarit:

  • “Arrest në burg” për Komisar B.D., me detyrë Shef i Rendit në Komisariatin e Policisë Shijak, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
  • “Arrest në burg” për Nënkomisar S.Xh., me detyrë Shef i Stacionit të Policisë Manzë, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
  • “Arrest në burg” për Nënkomisar E.P., me detyrë specialist për Hetimin e Krimeve/OPGJ, në Stacionin e Policisë Manzë, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
  • “Arrest në burg” për Nënkomisar N.M., me detyrë specialist për Hetimin e Krimeve/OPGJ, në Stacionin e Policisë Manzë, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
  • “Arrest në burg” për Inspektor A.O., me detyrë ndihmës specialist/SPZ, në Komisariatin e Policisë Durrës, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
  • “Arrest në burg” për Inspektor D.D., me detyrë ndihmës specialist/SPZ, në Komisariatin e Policisë Durrës, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
  • “Arrest në burg” për Inspektor G.D., me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme, në Komisariatin e Policisë Durrës, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, person i shpallur në kërkim;
  • “Arrest në burg” për Inspektor H.Sh., me detyrë ndihmës specialist/SPZ, në Komisariatin e Policisë Shijak, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
  • “Arrest në burg” për Inspektor P.N., me detyrë ndihmës specialist/SPZ, në Stacionin e Policisë Manzë, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
  • “Arrest në burg” për Inspektor N.Sh., me detyrë ndihmës specialist/SPZ, në Komisariatin e Policisë Shijak, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
  • “Arrest në burg” për shtetasin Gj.G., me detyrë Sekretar i Njësisë Administrative Sukth, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
  • “Arrest në burg” për shtetasin J.K., me detyrë specialist në IMT Shijak, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
  • “Arrest në burg” për shtetasin M.Sh., me detyrë Kryeinspektor i IMT Shijak, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
  • “Arrest në burg” për shtetasin D.K. posedues dhe zhvillues i objektit të ndërtimit pa leje, i dyshuar për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”;
  • “Arrest në burg” për shtetasit P.M., posedues dhe zhvillues i objektit ndërtimit pa leje, i dyshuar për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”;
  • “Arrest në burg” për shtetasin Gj.Z., posedues dhe zhvillues i objektit ndërtimit pa leje, i dyshuar për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”;
  • “Arrest në burg” për shtetasin A.L., posedues dhe zhvillues i objektit ndërtimi pa leje, i dyshuar për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”;
  • “Arrest në burg” për shtetasin Q.D., posedues dhe zhvillues i objektit ndërtim pa leje, i dyshuar për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”;
  • “Pezullim nga detyra” për shtetasin A.N., me detyrë specialist i Armatimit në DVP Durrës, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë