Treg

AirBnB po ‘çmend’ çmimet e qirave afatgjata në Shqipëri

Nga Gisela Troplini - Tregu imobiliar në Shqipëri, i turbulluar nga presionet e brendshme, nuk po gjen qetësi as nga ato të jashtme.

Ato që më parë njiheshin si “dhoma ditore” dhe më pas u transformuan në airBnB, po kthehen në konkurrentë të tregut imobiliar. Kërkesa e shtuar për airBnB në Shqipëri po ushtron presion mbi çmimet e qirave dhe po redukton ofertën për banesa. Fajin e kanë turistët.

Në një raport të fundit nga AirBnB.inc, kompania amerikane që menaxhon të gjithë platformën e renditi Shqipërinë si destinacionin e dytë më të kërkuar në botë, me çmime që nisin nga 22 dollarë.

Brokere në kompaninë “Future Home”, Enxhi Mansaku për Gazetasi.al, konfirmon të njëjtën gjë duke ofuar një panoramë nga qyteti i Durrësit, si një ndër më të preferuarit për airBnB nga të huajt.

“Gjithmonë e më shumë po vihet re rritja e kërkesave për qiratë ditore dhe jo vetëm. Së fundmi, në qytetin e Durrësit një pjesë e mirë e pronarëve të apartamenteve po zgjedhin që në sezonin e verës te punojnë me AIRBNB dhe booking me qira ditore, ku nëse do t’i referoheshim para dy viteve,  preferoheshin më shume qiratë afatgjate dhe komode për pronarët  dhe pjesa e qirave ditore nuk shihej në mënyrë të sigurt dhe të leverdishme” sqaron Mansaku.

Enxhi Mansaku, brokere në kompaninë FutureHome.al

Mansaku tregon se nga viti i shkuar, çmimet e qirave në të njëjtat zona është rritur në vlerë me rreth 100 euro.

Shqipëria ka qenë një ndër vendet më të reklamuara nga mediat ndërkombëatre, vitin e fundit, ku si avantazh kryesor listohej “kosto e ulët e jetesës”.  Sipas një ankete të një viti më parë nga Instat, turistët e huaj që vizitojnë Shqipërinë nuk janë simpatizantë të restoranteve, por zgjedhin të gatuajnë vetë, duke kërkuar kështu alternativa të tjera përveç hotelit...pra airBnB.

Por kjo po redukton edhe më shumë stokun e paktë të banesave në Shqipëri.

Emon Sila, ekspert i tregut imobiliar nga kompania “Inf 93” thotë për se ky trend në rritje ka rrezikuar ofertën e apartamenteve për qira afatgjatë, duke lënë më pak banesa të disponueshme për qiramarrësit. Dhe këtë herë “trendi” i kushton përsëri konsumatorëve.

“Kjo gjë po ndodh në Tiranë, Durrës, Gjirin e Lalëzit  dhe Vlorë, ku po ndikon në rritjen e çmimit të qirave, por edhe të blerjes. Ka rritur po ashtu kërkesën e blerjeve nga investitorë, që më pas duan t’i kthejnë apartamentet në airBnB”, shpjegon Sila.

Emon Sila broker në kompaninë "Inf-93.com"

Si derivat i tregut të qirave afatgjate, airBnB po bëhet tërheqës dhe për investitorët.

“Një trend tjetër që po vihet re është edhe zhvillimi i biznesit nëpërmjet airBnB, po vihet re sidomos nga moshat e reja që janë duke aplikuar këtë biznes, dhe nga të huajt që vijnë marrin apartamente me qira afatgjatë dhe e punojnë në booking airBnB për qira ditore për të huaj përsëri”, thotë Mansaku. 

Sila konfirmon të njëjtin fenomen. “ Shumë pronarë apartamentesh i menaxhojnë vetë për Airbnb ose ia japin kompanive të specializuara. Kjo ka ndikuar dhe në një rritje të kërkesave të blerjeve të pronave në ndërtim që të kenë mundësi t’i kthejnë në apartamente të vogla për këtë lloj modeli”.

Edhe pronarët individualë e konfirmojnë këtë. F. një shqiptar që jeton prej vitesh në Angli, por ka 3 apartamente në pronësi në zonën e Tiranës së Re, thotë për Gazetasi.al se modeli airBnB i ka ofruar atij më shumë të ardhura se sa një qira mujore fikse dhe shumë më pak stres. “Unë i menaxhoj vetë. Kam pasur shumë kërkesa për blerje nga persona që kanë qëllimet e qarta: të investojnë dhe ta kthejnë në një airBnB”, thotë F., 40 vjeç, që nuk dëshiron t’i përmendet emri i plotë.

Agjentë të tjerë imobiliarë tregojnë në anonimitet për Gazetasi.al se ka dhe një rritje të dukshme në marrjen e qirave afatgjate për airBnB. “Ata marrin një apartament që i kushton rreth 400 euro në muaj qira dhe e kthejnë në një airBnB, me apo pa dijeninë  e pronarit. Fitimi është shumë më i madh se detyrimi që kanë”.

Listimi i disa banesave të disponueshme për airBnB në Tiranë në platformën "AirBnB.com"

Në ekonomitë e zhvilluara, presioni i modelit të qirave ditore në qiranë afatgjatë njihet si “efekti i AirBnB” dhe paralelizohet me gentrifikimin e ekonomive lokale; presioni që ushtrojnë të ardhurit e pasur tek vendasit më të varfër, duke rritur kështu koston e jetesës për to. Sipas studimit të bërë nga Harvard për efektin e AirBnB në tregun e qirave, për çdo 1% rritje të ofertës airBnB, çmimi i qirave rritet me 0.018% dhe i blerjes 0.026%. Efekti duket i papërfillshëm, por banesat që futen në këtë model pritet të arrijnë 1 miliardë në pak vite.

Në ndërtesat e qyteteve portugeze, si një ndër vendet më të preferuara nga turistët dhe nomadët digjitalë ( dhe me kosto të ulët jetese), gjenden letra me mbishkrime “Nuk jemi hotel, nuk ka qira ditore”, apo “nuk pranojmë të huaj”.  Formë kjo që shpreh zemërimin e vendasve me të huajt atje, ego e të cilëve po kërcënon jetesën e tyre.  Autori Tim Ferris e emëron këtë fenomen si “gjeo-arbitrazh”.

Lisbona ashtu si Tirana është shumë pranë një krize strehimi, ku banesat e disponueshme për shitje/qira janë të pakta dhe ata që flasin një tjetër gjuhë po i zaptojnë dhe ato pak të mbetura.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë