Treg

‘Biznesi i mikpritjes’/ Shqipëria numëron mbi 30 mijë apartamente me qira ditore për turistët e huaj

Nga Gazeta ‘Si’-Deri para ca kohësh, tur-operatorët ankoheshin se strukturat hoteliere në Shqipëri ishin të pakta dhe nevojiteshin më shumë shtretër për të akomoduar turistët.

Së fundmi, bashkë me rritjen e prurjeve turistike janë zhvilluar edhe forma të tjera të biznesit të mikpritjes.

Nga apartamentet me qira, bujtinat, kampingjet e posaçme e deri tek shtëpitë e tyre që vendasit lirojnë për turistët gjatë periudhës së sezonit turistik, shqiptarët kanë hapur dyert për të huajt.

Aktualisht, vetëm në një nga platformat e turizmit, atë Airbnb, janë listuar mbi 17 mijë njësi akomoduese, kryesisht me qira ditore.

Pjesa më e madhe e tyre, mbi 7 mijë gjenden në Vlorë, ndjekur nga Tirana, Saranda, Durrësi, Himara, Shkodra, Berati dhe Lezha.  

Ndërsa të dhënat nga AirDNA, një motor kërkimi që analizon statistikat për strukturat e akomodimit me qira ditore, tregojnë se në qershor të këtij viti kishte 15.375 banesa/apartamente të listuara për qira ditore në Shqipëri. Rritje prej 133% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

Sipas një analize të saj, një natë-qëndrim në Vlorë kushton mesatarisht 52 euro. Në Tiranë çmimi ulet në 42 euro, në Sarandë shkon në 58 euro, ndërsa në Durrës 51 euro.

Çmime të larta ofron edhe Himara ndërsa në Shkodër, Berat e Lezhë çmimet mesatare për një natë luhaten nga 30 deri në 40 euro. 

Bashkë me të dhënat e platformës tjetër Booking, numri i njësive akomoduese në listën e qiradhënies ditore shkon në mbi 30 mijë në gjithë vendin.

“Rritja e kërkesës për Shqipërinë si destinacion pushimesh kërkon angazhim serioz edhe në rritjen e kapaciteteve të duhura akomoduese. Aktualisht turistët vihen përballë një morie zgjedhjesh dhe biznesi i qiradhënies është në ditët e tij më të mira”, thotë për Gazetasi.al Besnik Vathi, kreu i Shoqatës së Tur-Operatorëve.

“Rritja e kërkesës për Shqipërinë si destinacion pushimesh kërkon angazhim serioz edhe në rritjen e kapaciteteve të duhura akomoduese"

Shtimi i listimeve është nxitur nga kërkesa e lartë për net-qëndrime. Po sipas të dhënave të AirDNA, kërkesa për net-qëndrime ishte 76.801 këtë qershor, me rritje të ndjeshme prej 147% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Koha mesatare e qëndrimit luhatet në rreth 3 ditë, ndërsa në korrik dhe në gusht, u afrohet katër ditëve.

Ndërsa sipas të dhënave të INSTAT norma e shfrytëzimit të dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” në  maj ishte 18.7 %, kundrejt 16% që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Norma e shfrytëzimit të shtretërve të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 21.1 %, kundrejt 15.3 % që ishte në maj të 2022-shit.

Vendasit po lirojnë shtëpitë e tyre

Një trend që po vihet re sëfundmi është dhënia me qira e shtëpive të tyre nga banorët vendas të fshatrave bregdetarë.

Gjatë muajve të verës, ato zgjedhin të akomodohen diku tjetër ndërsa i kthejnë shtëpitë e tyre tërësisht në biznes.

“Anash shtëpisë time kam ngritur një strukturë tjetër më të vogël ku fle bashkë më bashkëshortin. Që në fund të majit deri në fund të shtatorit, shtëpinë time e jap me qira për turistët. Në dimër, rikthehemi sërish.

Ka dy vite që e kemi praktikuar këtë lloj biznesi”, tregon për Gazetasi.al Shpresa Runa, e cila jeton në Qeparo.

“Në fillim druhesha pasi është një shtëpi e zakonshme që nuk ka kushtet e hoteleve por vumë re një kërkesë të lartë nga grupe turistësh të cilët donin një hapësirë më të madhe, me ambient gatimi dhe dhoma gjumi.

Një natë qëndrimi është 60 euro”, vijon më tej ajo ndërsa shton se nuk kanë patur ankesa për çmimet pasi përgjithësisht akomodohen më shumë se katër persona.

“Turistët duket se e pelqejnë për hapësirën. Përgjithësisht vijnë familjarë, çifte që kanë edhe fëmijë”, shton mandej ndërsa thekson se është detyruar që të ndryshojë edhe kushte të vogla në shtëpi, që te jetë sa me e përshtatshme për turistët.

Si Shpresa, ka edhe banorë të tjerë që zgjedhin të japin shtëpitë e tyre, duke 'sakrifikuar' për disa muaj, për të mos i lënë fshatrat e tyre piktoreske të plaken me ëndrrën për zhvillimin e turizmit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë