Sport

Aikido, “dashuria e re” që neutralizon kundërshtarin

Sportet luftarake me origjinë nga vendet e largëta të Azisë sa vjen dhe po gjejnë më shumë hapësira tek të rinjtë shqiptar që  duan të merren me aktivitet fizik. Përveç karatesë apo xhudos që janë disiplinat luftarake më të njohur dhe të përhapura në të gjithë botë, ka edhe shumë të tjera që po fillojnë të pëlqehen dhe masivizohen në vitet e fundit. Fjala këtë herë është  për një sport që quhet Aikido. Është një disiplinë e arteve marciale japoneze, e trashëguar nga vlerat dhe traditat më të shquara të samurajëve të vjetër të Japonisë Feudale.

Në Shqipëri kjo disiplinë ka disa vite që është futur dhe e gjithë kjo falë një zonjë që quhet Genta Susaj.

Lidhja e saj me këtë sport është shumë interesante, pasi ajo e ka sjellë atë në Shqipëri nga Ekuadori i largët në Amerikën Latine. Genta Susaj ka jetuar për disa vite në Ekuador, ku u njoh me këtë sport të veçantë dhe filloi ta praktikojë. Pas shumë viteve larg Shqipërisë, Genta u kthye në Shqipëri me një mision, që t’ua mësojë këtë sport edhe të tjerëve në vendin tonë.

Fillimisht ajo tregon për eksperiencën e saj se si u njoh me këtë sport që më pas filloi ta ushtronte. “Unë kam jetuar për shumë vite në Ekuador me familjen time, ku të parët që e ushtruan këtë sport ishin djemtë e mi. Për mua tashmë u bënë më shumë se 5 vite që e ushtroj.” Prej më shumë se dy vitesh, Gentiana Susaj ka hapur në Tiranë, qendrën “Aikido Albania”.

Më tej Gentiana Susaj na tregon për dallimin që ekziston mes këtij sporti dhe arteve të tjera marciale. “Është një sport apo art marcial, jo si të tjerët. Pra nëse artet e tjera marciale janë me fokus mbrojtjen dhe eliminimin e kundërshtarit, Aikido është një art marcial mbrojtës, por që e neutralizon kundërshtarin.”

Në rrëfimin e saj, Genta na  tregon se Aikido është një lloj sporti që kthehet në mënyrë jetese, i praktikuar vazhdimisht, pra nuk bëhet fjalë vetëm për një lloj përgatitje fizike, siç ndodh zakonisht në sportet e tjera. Me Akidio mbajmë trupin në formë, por njëkohësisht edhe zhvillojmë mendjen, tregon Genta.

Në qendrën që ajo ka hapur në Tiranë çdo ditë shtohen kureshtarët që duan të mësojnë më shumë për këtë sport. Por gjithashtu vijnë edhe shtohen personat që e mësojnë dhe e praktikojnë këtë disiplinë shumë të veçantë. Ata janë të profesioneve nga më të ndryshme, nga bankierë, menaxherë marketingu apo profesionistë të fushave të tjera, por te Aikido duket se kanë gjetur veten në shumë aspekte.

Kur flitet për sporte marciale, mendimi i parë që shkon ka të bëjë me vetëmbrojtjen fizike, por Genta na tregon se nuk është vetëm i tillë. “Për mua dhe stafin tim është shumë prioritare që femrat dhe jo vetëm të dinë vlerën madhe që ka vetëmbrojtja, jo vetëm në aspektin fizik, por edhe atë mendor.”- tregon ajo.

Si në pjesën më të madhe të sporteve, numrin më të madh të interesimeve edhe në Aikido, e zënë fëmijët. Në qendrën “Aikido Albania”, janë disa fëmijët e regjistruar, të cilët marrin aty bazat e këtij sporti të ri në vendin tonë. Sipas Gentës, por edhe pjesëtarëve të tjerë të stafit të saj, Aikido është shumë tërheqës për fëmijët, pasi gara është ndryshe nga sportet e tjerë. Nëse në sport e tjera luftarake zakonisht gara është për t’u bërë më i mirë së kundërshtari dhe për të mposhtur, Aikido është ndryshe. Te ky sport gara është me veten për ta bërë në mënyrë sa më të përsosur një ushtrim. Ky sport në Japoni në vitet e fundit është duke fituar shumë terren, por edhe në vende të tjera të botës, çdo ditë ka praktikues të rinj që e kthejnë Aikido në mënyrë jetese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë