Në debatin e ndezur nga Hashim Thaçi e që ka përfshirë politikën mbarëkombëtare shqiptare është përfshirë edhe kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni, Ali Ahmeti.
Për idenë e Presidentit të Kosovës, Ahmeti u përgjigj gjatë një interviste të dhënë për Radiotelevizionin e Kosovës. Në komentin e tij lë të kuptohet se debati i hapur për ndryshim kufijsh më shumë se sa real në terren është më tepër “imagjinar e fushatë mediatike”.
“Kosova ka institucione të qëndrueshme dhe të përgjegjshme, që dinë të drejtojnë dhe menaxhojnë dhe Kosova ka partnerët e vet, NATO-n, SHBA, BE-në. Ka një opozitë të mirëorganizuar, kështu që tani për tani nuk mund të bëjmë një vlerësim derisa nuk ka materie”, ka thënë ai.
Për Ahmetin, problemin me kufijtë nuk e ka Kosova, por Serbia.
“Çështja e pazgjidhur akoma është në Serbi sa i përket demarkacionit dhe kjo duhet të ketë një epilog, që nuk është e lehtë”, ka vijuar ai.
Propozimi i Hashim Thaçit është komentuar edhe nga kreu i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti. Përmes një postimi në rrjetet sociale ai thotë se pasojat e para të debatit të hapur nga Presidenti i Kosovës po shfaqen duke dëmtuar vetë përpjekjet shtetndërtuese në Kosovë.
“Propozimi kontravers i Presidentit për korigjim kufijsh i ka dëmtuar në thelb përpjekjet e kahmotshme, tonat dhe të bashkësisë ndërkombëtare, për të krijuar rrethana të favorshme për komunitetin serb që të jetë pjesë aktive dhe e barabartë e jetës institucionale në Kosovës. Propozimi për korrigjim kufijsh po ndihmon drejtëpërdrejt politikën refuzuese të përfaqësuesve politik të komunitetit serb ndaj institucioneve të Kosovës, si dhe po i ushqyen shpresa e tyre se Kosova mund të ndahet dhe një pjesë e saj mund t’i bashkangjitet Serbisë”, deklaron Hoti.
Zyrtari i lartë i LDK-së është në linjën e Vetëvendosjes kur flitet për zgjidhjen, që është vetëm një.
“Zgjedhjet e reja do të nxjerrin një qeveri dhe Kuvend legjitim, që marrin në dorë fatin e vendit dhe nuk e lejojnë Presidentin të bëjë pazar me shtetësinë e Kosovës. Qeveria e re do të eliminojë pasigurinë politike që ka kapluar shtetin e Kosovës dhe ka çorientuar miqtë tanë ndërkombëtar lidhur me atë se çfarë duan qytetarët e Kosovës”, shkruan kreu i grupit parlamentar të LDK-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.