Arben Ahmetaj thotë se programi ekonomik i Partisë Demokratike do të favorizojë ata persona, që deri më tani opozita i ka quajtur në zhargonin e saj politik si “oligarkë”.
“Taksa e sheshtë është e ndërtuar në filozofi dhe shifra për të shkatërruar shtresën e mesme. Sot Partia Demokratike duhet të japë llogari se përse kërkon të taksojë biznesin e vogël dhe qytetarin e zakonshëm me të ardhura mesatare dhe të ardhura të ulta dhe të lirojë biznesin e madh me 590 mln dollarë në katër vite”, deklaroi ai.
Ministri i Rindërtimit foli në seancën plenare të Kuvendit këtë të hënë, ku në rend të ditës është edhe miratimi i marrëveshjes me koncesionarin e ri të aeroportit të Rinasit, që zgjatet me 13 vjet. Ahmetaj hodhi dyshime se pas programit të Partisë Demokratike qëndrojnë kompanitë e mëdha.
“Cila është arsyeja që favorizon 3 për qind të qytetarëve dhe penalizon 97 për qind tjerë?”, pyeti ai.
Ish-ministri i Financave përsëriti bindjen e tij se me programin e PD-së, në vitin e dytë të mandatit të saj, nëse do të fitojë zgjedhjet e 25 prillit shteti do të falimentojë.
Ai sulmoi edhe premtimet për rritjen e pensioneve dhe uljen e kontributeve. Ahmetaj u shpreh se me propozimin e PD-së për uljen e kontributeve dhe rritjen e pensioneve me 5 për qind rreth 600 mijë pensionistë rrezikojnë të mbeten pa pension.
“Programi tregon që Shqipëria me ta do të falimentojë që në vitin e dytë”, deklaroi Ahmetaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.