Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, prezantoi programin e PD-së për Mirëqenien Sociale. Ashtu siç është shprehur me herët, Basha u angazhua për rritjen e pensioneve dy herë më shumë se norma e inflacionit dhe të paktën 5% në vit.
“Angazhohem të dyfishojmë menjëherë asistencën ekonomike për të gjitha familjet në nevojë. Nën qeverisjen tonë, askush nuk do të braktiset, shpërfillet dhe nëpërkëmbet.
Angazhohem që njerëzit me aftësi të kufizuara do të jenë pjesë reale e vendimmarrjes të qeverisjes tonë dhe jo thjesht përfitues pasivë apo viktima të indiferencës, përbuzjes apo korrupsionit qeveritar. Ata do të jenë pjesë e këshillimeve dhe vendimeve mbi hartimin dhe zbatimin e reformave sociale që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë.
Angazhohem për subvencionim të plotë të interesave për kredi për shtëpi për 20 000 familje dhe çifte të reja... Po ua them fare qartë, ne do të paguajmë 100%të interesave bankare, për çdo kredi që një çift i ri apo një familje e re merr për të blerë një banesë. 5000 të tilla në vit gjatë katër viteve të para, 20 000 çifte dhe familje të reja do të përfitojnë subvencionimin 100% të interesave të kredive që do të marrin për banesën e tyre”, premtoi Basha.
Në anën tjetër, ish-deputetja demokrate, Grida Duma tha gjatë takimit se te gjitha pikat e programit janë të realizueshme.
“I gjithë buxheti vjetor i ndihmës ekonomike është sa vetëm 2 km të vjedhura të rrugëve të unazës;
I gjithë fondi i pensionit në vit për 645 mijë pensionistë është sa vetëm një km i vjedhur i rrugëve...
Ne kemi punuar për një plan konkret dhe të detajuar që siguron një të ardhme shumë më të mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.