Gazeta Si - Pas dështimit të negociatave për një kandidat, Partia Demokratike zyrtare, ka nisur fazën e ristrukturimit të saj dhe procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet vendore të 14 majit.
Agron Kapllanaj, i mbështetur nga grupi i Enkelejd Alibeajt, ka konfirmuar kandidaturën për Bashkinë Mallakastër, ndërsa në fundjavë do të prezantohet zyrtarisht para strukturave.
"Vendimi për të kandiduar nuk është ambicie as ofiqe personale, por detyrim ndaj qytetarëve që më kanë besuar ndër vite dhe fatkeqësisht i braktisëm në vitin 2019", - tha ai për “Ora news”’
Kur pyetet për përçarjen brenda PD-së, Agron Kapllanaj, i largohet gjuhës akuzuese ndërsa deklaron se emri i tij në Mallakastër bashkon demokratët.
"Demokratët do të dinë të zgjedhin. Unë e kam dëshmuar në ditë të vështira se iu kam shërbyer atyre. Ju kam shërbyer demokratëve dhe socialistëve pa dallime. E kur nuk kam bërë këto dallime, nuk mund të shoh dallime brenda familjes time politike".
Por a ka negociuar apo do të negociojë me "Rithemelimin", Agron Kapllanaj jep një përgjigje të prerë:
"Unë do të jem kandidat. Partia ime, siç e thashë dhe e kam thënë, janë qytetarët mallakastriotë. Atyre u detyrohem dhe do jem aty për ta".
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.