Politike

Alibeaj: Javën tjetër shpallim kandidatët për kryetar bashkie në zgjedhjet e 14 majit

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, i ftuar në studion e “Debat” në A2 CNN, zbuloi se javën e ardhshme do të prezantohen kandidatët për kryetar bashkie në zgjedhjet e 14 majit.

“Në vitin 2020, PD u përfshi në një proces të gjerë të identifikimit të kandidaturave. Kandidatët janë gati dhe do të nisë shpallja e tyre bashki më bashki që nga java tjetër. Këta kandidatë janë zgjedhur nga anëtarësia e Partisë Demokratike, që është përfshirë në një proces në detaj të propozimeve dhe në një proces votimi, ku ka pasur dy komisione që bënë filtrimin dhe që shikonin çështjen e etikës”, tha Alibeaj.

Në lidhje me primaret në PD, Alibeaj tha: “Nuk është ajo anëtarësia e PD-së. Statuti i PD-së është vetëm një dhe unë nuk di që të ketë një të dytë. Shumica dërrmuese e deputetëve të PD-së qëndrojnë fort pas vlerave të kësaj partie”.

Alibeaj deklaroi se ka pasur takime me aleatët, duke theksuar se kanë pasur të njëjtin qëndrim mbi kandidatët për zgjedhjet e 14 majit.

“Për të qenë fitues kandidati i PD-së, aleanca që duhet bërë është me njerëzit dhe me vlerat. Ne nuk detyrojmë askënd dhe as nuk lusim njeri që t’i qëndrojë vlerave tona. Unë kam pasur kontakte me të gjithë kryetarët e partive aleate dhe nga këto diskutime me zotin Mediu, me zotin Duka dhe me PDIU, kërkesa e tyre është: na duhet një kandidat fitues dhe për të nxjerrë këtë është sondazhi. Duke qenë se këta kolegë aleatë është i arsyeshëm, edhe ne kemi adoptuar të njëjtin qëndrim”, tha Alibeaj.

Ai foli për Lulzim Bashën, Sali Berishën dhe protestën e 6 dhjetorit.

“Zoti Basha është anëtar i grupit parlamentar të PD-së dhe unë kam komunikim me të gjithë anëtarët. Basha ka dhënë dorëheqjen, me një arsye politike fisnike besoj unë. Ai tha se po largohet për të hequr problemin në parti. Për të njëjtën arsye duhet të largohej edhe zoti Berisha, por nuk është larguar. Nuk ka ndodhur asgjë që të mund të ndryshonte qëndrimin tonë apo të zotit Basha. Nëse i kthehemi memories, shkaku i pretenduar nga Berisha në atë kohë ishte dualizmi. Basha u dorëhoq që të dorëhiqej edhe zoti Berisha”, tha Alibeaj.

Kur u pyet nëse do të merrte pjesë në protestën e 6 dhjetorit, Alibeaj u përgjigj: “Jo. Nuk jam kundër protestave, por protestat duhet të jenë të tilla që të sjellin një produkt në të mirë të qytetarëve. Deputetët kanë mjete të tjera për të qenë më efikas për shqiptarët, me një luftë të sinqertë në Parlament, dhe pasi i kanë ezauruar këto mjete, duhet të nisin protestat. Ka çështje të mëdha ku mund të bëhet luftë e madhe në Parlament”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë