Qeveria ka çelur tenderin për ndërtimin dhe operimin e Aeroportit të Vlorës. Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku u shpreh se eskavatori i parë do të aksesojë zonën ku do të nisin punimet më 31 maj.
Por ajo nuk përjashtoi mundësinë që punimet për nisjen e ndërtimit të këtij aeroporti me impakt të madh në sektorin e turizmit dhe në ekonominë e vendit në tërësi, të nisin më parë.
Balluku theksoi se tenderi ndërkombëtar që do ti hapë udhë ndërtimit dhe operimit të VIA për një periudhë 35 vjeçare sapo është çelur dhe është disenjuar bazuar mbi parimet e transaprencës dhe barazisë së konkurrencës në tender. Procesi për përzgjedhjen e fituesit është konform standarteve më të larta të zhvillimit të Prokurimeve Publike BIO T. Afati i fundit për të aplikuar është 12 marsi.
“Kemi punuar 4 muaj, ditë e natë. Ky material dhe proceduras e ndjekur për këtë tender ndërkombëtar do të jetë standard për investimet e tjera. Por investimet që do të jenë në mbështetje të turizmit nuk përfundojnë këtu. Shumë shpejt do të çelet edhe tenderi për rrugën Thumanë-Rrogozhinë. Tuneli i Llogorasë do të krijonte mundësinë, që për të gjithë pasagjerët të kalonin shumë shpejt në anën tjetër të bregut dhe të shijonin bukuritë e rralla të vendit tonë. Ky aeroport do të shndërrojë Shqipërinë si një hot spot për turizmin e Ballkanit" u shpreh Balluku.
Sipas ministres, përpos heqjes së monopolit, Vlora do të sjellë një tjetër standard në ndërtim dhe operim, do të rrisë numrin total të pasagjerëve dhe ulë çmimet e shërbimit, do të bëjë promovimin e jugut dhe përthithë investitorët e huaj.
Kur i referohemi aviacionit, u shpreh Balluku, duhet të kemi parasysh edhe shqiptarët vendas dhe ata të diasporës. Sipas saj, aeroporti i Vlorës do të shërbejë edhe për linjat transoqeanike.
Në aspektin ekonomik, VIA, tha ministrja nuk do të rrisë dhe promovojë vetëm sektorin e turizmit, por do të jetë një motorr për rritjen e ekonomisë në tërësi.
“Këshilli Botëror i Turizmit parashikon 6,2 % rritje të drejtpërdrejtë të PBB-së në 2027 nga një investim i tillë, më lart se vendet e tjera si Turqia, etj. Po ashtu parashikohet që VIA të sjellë 30 mln euro të ardhura në vit. VIA do të rrisë nivelet e performancës dhe shërbimeve aeroportuale”- tha ajo.
Ministrja e Financave Anila Denaj konfirmoi se aeroporti i Vlorës do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi që sapo të nisë nga ndërtimi.
Impakti i menjëhershëm tha ajo, është rritje me 10% të asaj zone, 0,5% të PBB për frymë, 20-25 % rritje të punësimit.
“Investimi në këtë aeroport është vetëm fillimi i një dimensioni të tërë investimesh.
Investitorët e huaj i kanë kthyer sytë nga Shqipëria. 1 bln euro investime të huaja të drejtpërdrejta për vitin e dytë radhazi. 810 mln këtë nëntëmujor”- tha Denaj duke nënvizuar në këtë drejtim rëndësinë e rritjes dhe zhvillimit të arsimit profesional.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.