Shkencë

ADN-ja e njeriut gjendet në ujë, ajër dhe rërë. Çfarë do të thotë kjo?

Shkencëtarët kanë qenë në gjendje të mbledhin dhe analizojnë të dhëna të detajuara gjenetike nga ADN-ja njerëzore nga çdo vend, duke ngritur pyetje rreth privatësisë kur bëhet fjalë për informacionin tonë biologjik.

Studiuesit nga Universiteti i Floridës, të cilët po përdornin ADN-në e gjetur në rërë për të studiuar breshkat e detit të rrezikuara, thanë se ADN-ja ishte e një cilësie kaq të lartë sa shkencëtarët mund të identifikonin mutacionet që lidhen me sëmundjet dhe të përcaktonin prejardhjen gjenetike të popullatave që jetonin aty pranë.

Ata gjithashtu bënë prova dhe me njerëzit dhe përfundimi ishte i njëjti, sipas studimit të botuar në revistën shkencore “Nature Ecology” të hënën.

"Të gjitha këto të dhëna shumë personale, stërgjyshore dhe shëndetësore janë të disponueshme lirisht në mjedis dhe thjesht po lundrojnë në ajër tani," thotë David Duffy, profesor në Universitetin e Floridës.

ADN-ja mjedisore është marrë nga ajri, toka, uji, ngrica e përhershme, bora dhe akulli. ADN-ja njerëzore që ka depërtuar në mjedis përmes lëkurës, djersës dhe gjakut tonë mund të përdoret për të ndihmuar në gjetjen e personave të zhdukur, për të ndihmuar në hetimet mjeko-ligjore për të zgjidhur krimet, për të gjetur vendndodhje me rëndësi arkeologjike dhe për monitorimin e shëndetit përmes ADN-së së gjetur në ujërat e zeza.

Megjithatë, aftësia për të kapur ADN-në e njeriut nga mjedisi mund të ketë një sërë pasojash të padëshiruara, si të paqëllimshme ashtu edhe me qëllim të keq, shtuan studiuesit. Këto përfshinin shkelje të privatësisë, gjurmimin e vendndodhjes, mbledhjen e të dhënave dhe mbikëqyrjen gjenetike të individëve ose grupeve.

“Është e rëndësishme të ruhet autonomia njerëzore, dinjiteti dhe e drejta për të vendosur mbi të dhënat personale. Kjo është e vështirë kur ADN-ja mund të mblidhet në mjedis, sepse ndoshta nuk ka asnjë mënyrë për të shmangur humbjen e ADN-së në mjedis nëpërmjet lëkurës, flokëve dhe frymëmarrjes”, thotë Matthias Wienroth, studiues.

Ekipi në Laboratorin Whitney të Universitetit të Floridës po përdorte ADN-në mjedisore, të gjetur nga gjurmët e breshkave të bëra në rërë, për të studiuar breshkat e detit të rrezikuara, kur vunë re se ishin gjithashtu duke marrë ADN-në e njeriut nga rëra dhe deti.

Ata gjithashtu morën ADN-në nga gjurmët e bëra në rërë nga katër vullnetarë. Më pas, studiuesit morën mostra ajri nga një dhomë prej 280 metrash katrorë në një klinikë kafshësh, ku punonin gjashtë persona ndërsa bënin rutinat e tyre të përditshme. Ekipi gjeti ADN-në që përputhej me vullnetarët e stafit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë