Muzike

AC/DC – Udhëtimi i egër në Autostradën drejt Ferrit

AC/DC në fund të viteve ’70: nga e majta Malcolm Young, Cliff Williams, Phil Rudd, Angus Young dhe Bon Scott

Të ribashkuar, me një album të ri, grupi flet për klasikun e hard-rock, turneun  dhe atë uniformën e shkollës

Ndërsa rroku i përgjithshëm  u zbut më 1978-n, banda australiane AC / DC u shty nga shtëpia diskografike për të ndjekur trendin në albumin e ardhshëm. Banda rezistoi, duke regjistruar “Highway to Hell” (Autostradë për në Ferr). Titulli i këngës dhe transmetimet në FM, e çuan albumin të renditej i 17-ti, në toplistën e Billboard.

Kohët e fundit, bashkë-themeluesi i AC/DC dhe kitaristi kryesor Angus Young, basisti Cliff Williams dhe bateristi Phil Rudd i hodhën sërish sytë nga kënga. Grupi do të nxjerrë albumin e ri, “Power Up”, të premten.

Angus Young: Ne ishim në Majami në fund të vitit 1978 për të shkruar këngë, për të bërë prova dhe për të regjistruar albumin tonë të gjashtë, në studio. Shtëpia jonë diskografike, Atlantic, donte një hit të madh për radio, kështu na bashkuan me një producent të ri.

Nuk isha i lumtur. Deri në atë kohë, albumet tona ishin prodhuar nga Harry Vanda dhe George Young, një nga vëllezërit e mi më të mëdhenj.

Të dy ishin rrokerë që kishin qenë me “Easybeats” të Australisë në vitet  ’60  dhe kishin bërë një punë fantastike me ne. Por ne nuk kishim  ende një album apo singëll të fortë në radio,  në Amerikë.

Megjithatë, patëm një vijim. Pas turneut tonë të parë në ShBA më 1977-n, albumet tona filluan të shiten në të gjithë botën. Për të na shtyrë përpara, “Atlantic” solli një producent , i cili donte që të bënim cover-ë të materialeve Brit-pop.

Pas disa javësh në Majami, duke mos pasur asgjë për t’i  treguar,  e morëm një të premte pushim. Malcolm – vëllai dhe bashkëthemeluesi i grupit - dhe unë ishim të irrituar. Ai tha që ne të dy duhet ta kalonim  të shtunën,  në hapësirën e zbrazët të provave.

AC/DC në një koncert në Boston, 1978

Të nesërmen, shkuam atje. Unë pata  një ide dhe e luajta atë në kitarën time Gibson SG për Mal-in. Ishte një hyrje me dy akorde: “Dah-dah-dah, dah-dah-dah”. Mal-i u ul në bateri dhe hodhi një ritëm bazik. Gumëzhiva  për t'i dhënë atij  drejtim mbi ç’ka  kisha në kokë.

E kam këtë gjë të çuditshme, sidomos me baterinë,  ku edhe  dëgjoj saktësisht se si duhet të tingëllojë një këngë. Nuk është muzikore. Është intuitive.

Pastaj sajova  diçka në kitarë për refrenin. Mal-it i pëlqeu dhe pyeti nëse kisha tekst për ta kënduar me  atë copëz që na ngjiti. I thashë të më jepte pesë minuta.

Hyra në tualet dhe po mendoja. Po këndoja atje brenda dhe nxora fletoren time të vogël,  ku shkruaja gjërat.

Duke parë faqet, pashë një rresht që kisha shkruar kur ishim duke bërë turne në Shtetet e Bashkuara,  muaj më parë: “Autostrada për në Ferr”.

Kur isha fëmijë në Australi, gjëja ime e madhe ishin kinematë në makinë,  të mesnatës. Në atë orë, i kishe të garantuar   filma me Bela Lugosi ose Vincent Price. Vargu  dukej si një nga ata titujt e filmave me buxhet të ulët.

Por titulli nuk ishte një jehonë për autostradat e Amerikës apo udhëtimet e  gjata midis shesheve të koncerteve. Ne ishim të rinj, të shëndetshëm dhe argëtoheshim.

https://www.youtube.com/watch?v=l482T0yNkeo&feature=emb_logo

Përkundrazi, vargu ishte për destinacionin. Në ato ditë, ne kemi shkuar ngado, përfshirë vendet që nuk mendoj se kanë shkuar bandat amerikane. Kur arritëm atje, puna jonë ishte të ngrinim ferrin.

U ktheva në hapësirën e provave dhe i thashë Mal-it se e kisha, se vargu  “autostrada për në ferr” ishte një gjë e sigurt. Luajta  dhe këndova atë që kisha. Mal-i  buzëqeshi dhe tha: “Po ndodh”.

Unë dhe Mal-i regjistruam atë që sajuam, por gati sa nuk e humbëm. Inxhinieri e mori kasetën në shtëpi për ta ruajtur. Kur u kthye të nesërmen, fëmija i tij kishte hequr një pjesë të mirë të shiritit të kasetës.

Bon Scott, vokalisti ynë kryesor në atë kohë, mori një laps të verdhë, e vendosi nëpër njërën nga dy vrimat e mbështjellësve të kasetës dhe e futi  shiritin përsëri. Pastaj bëmë një dubël  për siguri.

Bon-i  mori një kopje dhe shkroi lirika për dy vargje. Nëse i jepje udhëzime, ai mund të përpunonte fjalët dhe sesi do t’i këndonte ato.

Vargu i parë është një përshkrim në miniaturë i jetës sonë në rrugë:

“Të jetosh lehtë, të jetosh i lirë  / Biletë sezonale në një udhëtim me një drejtim / nuk  kërkoj asgjë, më lër të jem /  Të marr gjithçka në hapin tim”.

Sa i përket vargut të dytë, shumë njerëz mendojnë se bëhet fjalë për një autostradë në Australi, nëpër të cilën Bon voziti për të arritur në një lokal rroku,  në fund. E pavërtetë. Ishte e gjitha për rrugët drejt skenave,  ku ne do të ngjiteshim  dhe do të ngrinim ferrin:

“Asnjë shenjë ndalimi, kufizim i shpejtësisë / Askush nuk do të më ngadalësojë / Ashtu si një timon, do ta rrotulloj / Askush nuk do të më merret me mua përreth”.

Unë dhe Mal-i  ramë  dakord se kishim nevojë për një producent  të ri. Kështu që i telefonuam  menaxherit, Michael Browning. Ai mori Mutt Lange, i cili në fillim të atij viti kishte prodhuar hitin No. 1 në Britani  të Boomtown Rats “Çarku i miut”.

Cliff Williams: Atëherë ishim të gjithë në të 20-tat. Në një turne në ’78, ne thjesht ishim të lumtur që kishim një autobus. Kur ne të pestë erdhëm për herë të parë në Amerikë një vit më parë,  udhëtonim me një furgon, që e kishim marrë me qira.

Në “Highway to Hell”, unë përdora një bas Fender Precision,  të luajtur përmes një Ampeg SVT. E lashë në hije atë që Mal po luante në kitarë dhe atë që Phil luante  në bateri.

Phil Rudd: Nuk kishte asgjë të errët në titullin e këngës. Do të thoshte se ishim të gjithë së bashku, duke ngarë të njëjtin kalë.

Ne kemi punuar vërtet shumë rrugëve,  për të ngritur turmën. Mbaj mend që ishte një koncert në ShBA  ku  turma ishte e rrafshët. Bon tha me atë zërin e rrëmbyeshëm, “Çfarë doni, gjak?”

Angus Young, 1979

Z. Young: Kur nisëm  në Australi më ’73, ne ishim një grup i bareve  hard-rock. Ne nuk do të ndryshonim. Ne nuk donim që muzika jonë të shkonte mbi kokën e njerëzve. Siç thoshte vëllai im, “Ne i marrim ata,  para se t’i marrë Pink Floyd”.

Kur Mutt hyri si producent,  nuk donte të ndryshonte stilin ose muzikën tonë. Ai na pëlqente në mënyrën se si tingëllonim live. Ai thjesht donte t’u jepte rezultateve pak  lustrim me tinguj më të mirë dhe tekste  më të mirë nga Bon.

Në janar ’79, ne fluturuam në Londër për të regjistruar në “Roundhouse Studios”, ku Mutt kishte regjistruar grupe.

Z. Rudd: Dëgjimi i kasetës së provës së Angus dhe Mal-it në studio,  më dha një kuptim të asaj që nevojitej. Unë thjesht hyra në ritëm dhe u rrëmbeva. Tingulli ynë ka të bëjë me ndjesinë dhe mënyrën sesi i theksojmë këngët. Mutt ishte një maniak, që kapërcente  dhe bënte ndarje të muzikës. Kjo na dha energji. Ai gjithashtu tregoi shumë respekt për Malcolm dhe Angus, gjë që ndihmoi. Ata mund të jenë të sertë. Nuk u pëlqente t’u thoshin se çfarë të bënin. “Autostrada”  ishte një pikë kthese. Kur kënga doli në korrik, albumi ishte i madh dhe grupi lulëzoi.

Z. Young: Kur bëmë turne me  albumin, turmat e koncerteve u rritën dhe ata u lidhën me uniformën e shkollës,  që vishja në skenë.

Kjo ishte ideja e motrës sime të madhe Margaret në Australi, si një risi për të dalë në pah. Edhe sjellja  përreth skenës siç bëja  unë,  gjithashtu nisi atje. Në baret që luanim, unë me uniformën  e shkollës, nuk doja të goditesha nga kritikët.

Kam qenë  gjithmonë ëndërrimtar. Unë me të vërtetë kaloj në ekstazë kur luaj në skenë. Duke veshur uniformën e shkollës, unë futem në karakter. E di kush jam. / WSJ. Përktheu: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë