Lajme

Abuzuan me ndihmat, arrestohen 2 policë dhe 1 zjarrfikës

Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave ka vënë në pranga mbrëmjen e djeshme 2 punonjës policie, 1 punonjës të Shërbimit Zjarrfikës, ndërsa ka proceduar penalisht 2 shtetase të tjera për veprat penale të “Mashtrimit” dhe “Shpërdorimit të detyrës”.
Policia thotë se janë vënë në pranga shtetasit:
A. Z., me detyrë Shef i Seksionit të Rendit pranë Komisariatit të Policisë Rinas, për veprën penale të “Mashtrimit në bashkëpunim”;
E. H., me detyrë Komandant skuadre në Seksionin e Rendit pranë Komisariatit të Policisë Rinas për veprën penale “Shpërdorim detyre”;
A. T., me detyrë punonjës i shërbimit zjarrfikës pranë PMNZSH Kombinat, për veprën penale të “Mashtrimit, e kryer në bashkëpunim”.
Gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë shtetaset V. Z. dhe Sh. T. për veprën penale të “Mashtrimit”, kryer në bashkëpunim.

Siç njofton policia, arrestimi i tyre u krye pas hetimeve të zhvilluara në lidhje me publikimin e një video në media, ku shfaqeshin pamje të transportimit e përvetësimit të një sasie të konsiderueshme pakosh ushqimore (të sekuestruara në cilësinë e provës materiale) të destinuara për banorët e prekur nga situata e tërmetit.
Materialet hetimore proceduriale do t’i dërgohen Prokurorisë Tiranë për hetime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë