Drejtësia

Abuzimi me tenderët, shkon në gjyq dosja ndaj dy zyrtareve të Ministrisë së Shëndetësisë

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim dosjen në ngarkim të ish-Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro si dhe specialistes, Laureta Shteto.

Këtë të mërkurë, togat e zeza të GJKKO-së pranuan kërkesat e të pandehurave për gjykim të shkurtuar.

Sipas prokurorisë, Joana Duro, në cilësinë e Sekretrares së Përgjithshme, ka kryer veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.

Ndërsa Laura Shteto akuzohet për “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.

Duro akuzohet se ka marrë ryshfet shumën prej 330 mijë lekë për të favorizuar kompaninë “Dricons” që garonte për një tender.

Sipas SPAK, shumën e parave e ka marrë si ryshfet nga Vladimir Topi administratori i kompanisë me qëllim për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga tenderi i zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, me objekt “Lot 1 “Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës”.

Shuma e parave i është dërguar në zyrë Joana Duros nga Laura Shteto. Kjo shumë parash është dhënë nga i pandehuri Vladimir Topi, me detyrë administrator i kompanisë, që ka përfituar në mënyrë të paligjshme nga tenderi në fjalë.

Gjithashtu, rezulton se i pandehuri Silvi Shehi, me detyrë inxhinier pranë kompanisë në pronësi të Topit, ka marrë shumën e parave dhe ia ka dërguar Shtetos.

Duro nuk ka pranuar akuzën dhe ka deklaruar se ka kryer vetëm detyrën, por ndryshe arsyetoi organi i akuzës që thotë se disponon prova ndaj ish-zyrtares.

Në seancë, Joana Duro, përveç faktit se nuk ka pranuar akuzën, ka kërkuar rikualifikim të veprës penale, nga korrupsion të funksionarëve të lartë shtetëror në korrupsion të funksionarëve publik, duke sjellë si situatë krahasuese Alqi Bllakon që akuzohet për inceneratorët.

Gjykata e rrëzoi kërkesën e Duros, duke arsyetuar se për rikualifikimin e veprës penale nuk mund të sillet si referencë rasti i Alqi Bllakos pasi nuk ka një vendim unifikues të Gjykatës së Lartë lidhur me këtë çështje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë