Rend dhe Ligj

A reagoi policia në kohë? Hetim i SHÇBA për veprimet e dy shefave dhe Shqiponjave në Elbasan

Një hetim administrativ i Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave do të zbulojë nëse policia e Elbasanit e kreu detyrën siç duhet, përse nuk e parandaloi dhe a ka shpërdorim detyre, sa kohë përplasja me armë ndodhi në prani të uniformave blu dhe autorët më pas u arratisën. Sipas burimeve shumë të sigurta të gazetës Si, përderisa policia ndodhej në rrugën 5 Maji dhe po ushtronte kontrolle për të sqaruar situatën, për të cilën ishte njoftuar të dyja grupet u përplasën edhe pse aty-aty gjendeshin dy zëvendës drejtorë policie dhe forcat Shqiponja. E gjitha ka hedhur disa pikëpyetje hetimore ndaj reagimit jo efektiv të policisë, në një lagje që njihet se kontrollohet nga një grup influent kriminal i qytetit të Elbasanit.

“Natyrisht që policët kanë treguar që po pyesnin shtetasin Arjan Hoxha në çastin kur ka ndodhur përplasja. Por sidoqoftë ata ndodheshin aty dhe kjo nuk shpjegon aspak se përse policia nuk vuri nën kontroll të gjithë të pranishmit, përse nuk u kontrolluan ata nëse kishin apo jo armë?”, pohon një zyrtar i ShÇBA.

Ajo që raportohet zyrtarisht është se policia u telefonua nga ish-zyrtari Arjan Hoxha, pjesë e vullnetarëve për mbrojtjen e votës pranë Partisë Demokratike, pasi kishin dyshime se shtetasi M. G po shpërndante para. Derisa policia mbërriti në vendngjarje Greca u mbaj nga 10 mbështetës të PD. Ky kontroll në automjetin e tij dhe mbajtja e tij derisa të mbërrinte policia u kategorizua si heqje e paligjshme e lirisë. Por burimet e Gazetës Si shtojnë se veprimet e policisë nuk kanë qenë sipas standardeve të duhura. Ata kanë kontaktuar vetëm denoncuesin Arjan Hoxha, kurse gjithë të tjerët ku gjendej dhe Klement Xhaferri mjaft i njohur prej tyre as që janë verifikuar dhe as kontrolluar.

Shqetësimi i zyrës që kontrollon veprimet e policisë lidhet pikërisht me faktin se përse shërbimi policor u shfaq inekzistent në këto dy momente.

“E para procedura kur shërbimet njoftohen, ato duhet të administrojnë vendngjarjen, duke kontrolluar dhe shoqëruar shtetasit që janë në konflikt. Shkelja e dytë që dyshojmë është përse policia ndonëse e pranishme, nuk reagoi mbas përplasjes me armë, ku dy të dyshuarit u larguan nga vendngjarja. Si Klement Xhaferri, që është një person problematik dhe i njohur për policinë ashtu edhe ish-oficeri Arbër Paplekaj, që qëlloi për vdekje Pjerin Xhuvanin”.

Me gjithë dyshimet e shërbimit kontrollues ndaj policisë deri në orët e fundit nuk ka pasur asnjë masë ndaj tyre. Njëkohësisht pritet që dy patrullat Shqiponja dhe dy zëvendës drejtorët e qarkut të thërriten dhe nga drejtoria e standardeve që e ka selinë në Drejtorinë Qendrore të Policisë.

“Në vendngjarje ka disa rrethana ende të pasqaruara pavarësisht se janë arrestuar 11 persona dhe Klement Xhaferri është shpallur në kërkim. Dhe kjo lidhet me veprimet e ngathëta të policisë, sidomos kur ajo mbërriti në lagjen pesë maji dhe pavarësisht se konstatoi shtetas me probleme, kontaktoi vetëm me personin që kërkoi ndihmë dhe që në këtë rast ishte Arjan Hoxha ish oficer”, përshkruan për gazetën Si zyrtari I drejtorisë së standardeve

Por…

Por ndonëse të dyja strukturat tregohen këmbëngulëse ta zbardhin këtë ngjarje me detaje edhe në drejtim të policisë, e shumë mundësi hetimi administrativ do të mbyllet vetëm me paralajmërime. Sakaq hetimi penal ka vënë para akuzave 11 persona, 10 prej tyre pjesë e mbështetësve të PD, dhe vetëm njëri me inicialet E. B mbështetës i Partisë Socialiste. Ai dyshohet për veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës, meqenëse veç tre automjeteve të PD, dhe mjetit tip ML të Muhamet Grecës u gjet edhe një makinë tip Benz që i përkiste atij. “Ai u largua nga vendngjarja, duke pretenduar se po ikte nga frika e armëve, por në të vërtetë ai ka kryer veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës pohoi një anëtar i grupit të hetimit. Burimet e Gazetës Si pohojnë se i riu që është djali i një biznesmeni të cilët pak muaj më parë jug jet arsenal armësh në fshatin Papër, është marrë në pyetje për të shpjeguar praninë e mjetit Benz që u gjend në vendngjarje. Ai nuk ka treguar që makinën benz ia kishte dhënë Klement Xhaferrit dhe të dhënat hetimore vërtetojnë se Klement Xhaferri erdhi në vendngjarje dhe qëlloi, kurse i riu u përpoq ta mbulonte këtë fakt, duke nxjerrë pretendimin se kishte qenë ai me këtë makinë dhe më pas ishte larguar nga frika, pas shkëmbimit të armëve të zjarrit ku për palën tjetër gjendej Xhaferri, që mbërriti  njëkohësisht me policinë për t’u hequr nga duart demokratëve Muhamet Grecën.

Papleka

Ish-oficeri i RENEA-s së bashku me nëntë shokët e tij aktualisht në paraburgim po presin të dalin para gjykatës. Por ndonëse ai u vetëdorëzua duke këmbëngulur se i drejtuan armën dhe u pozicionua për qitje për tu mbrojtur, personi që akuzohet prej tij ta ketë kryer këtë veprim, vijon në arrati. Klement Xhaferri nën akuzë për vrasje në rrethana cilësuese të mbetur në tentativë u largua qetësisht nën hundën e policisë, edhe pse ai njihej prej tyre si anëtar i grupit të Suel Çelës e njëkohësisht një personazh që ishte përplasur me ta në hyrje të tregut agro-ushqimor në vitin 2017. Policia nuk saktëson se cili prej grupeve qëlloi së pari me armë zjarri, ndërkohë që ka kontrolluar kamerat e sigurisë dhe ka marrë dëshmi, kryesisht të banorëve të Elbasanit, të cilët pas konfliktit që u mbyll me një të vrarë dhe katër të plagosur u shoqëruan në komisariat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë