Ne rrjet

A po dështon diplomacia e përbashkët Shqipëri-Kosovë?

Pak javë pasi u vendos në krye të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, një nga premtimet e para të ministrit në detyrë Gent Cakaj ishte unifikimi i misioneve diplomatike mes Kosovës dhe Shqipërisë. Cakaj ka njoftuar se Shqipëria do të ngrejë një Task-Forcë diplomatike për njohjen nga sa më shumë vende të Pavarësisë së Kosovës, një vendim që ka ardhur si kundërpërgjigje ndaj fushatës diplomatike të Beogradit kundër Prishtinës.

Gazeta "Si" mëson se këta diplomatë janë përzgjedhur tanimë nga kabineti i Ministrit në Detyrë dhe se janë pajisur me pasaportat e Republikës së Shqipërisë. Ky vendim i Cakajt i jep mundësinë Kosovës të ketë një përfaqësim diplomatik edhe në vendet që nuk e njohin pavarësinë e saj, përfshirë edhe shtetet anëtarë të BE-së si Spanja, Greqia, Qipro, Rumania e Sllovakia. Po ashtu mësohet se Cakaj planifikon të dërgojë edhe diplomatë shqiptarë në Ambasadat e Kosovës, në vendet ku Shqipëria nuk ka konsullatë ose ambasadë.

Por ende pa filluar zbatimin e marrëveshjes për unifikimin e misioneve diplomatike e konsullore midis Kosovës dhe Shqipërisë, në Prishtinë është shtuar konfuzioni nëse një marrëveshje e tillë është e nevojshme. Hezitimet për këtë marrëveshje vijnë pikërisht nga brenda Ministrisë së Jashtme të Kosovës, pasi zyrtarët e kësaj ministrie mbajnë qëndrime të ndryshme.

Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli, thotë se marrëveshja e arritur është ratifikuar dhe se Cakaj dhe Pacolli kanë filluar veprimet për zbatim para dy javësh, duke autorizuar Sekretarët e Përgjithshëm, që të fillojnë zbatimin e marrëveshjes.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli dhe ai i Shqipërisë, Gent Cakaj. Gazeta Si, 12 shtator 2019

Por zëvendësministri i Jashtëm Anton Berisha ka një qëndrim tjetër, duke thënë Kosova nuk mund t’ia dërgojë të gjitha kompetencat e saj diplomatike Shqipërisë.

"Nuk është e mundur që ministri i Jashtëm t’ia delegojë kompetencat shtetërore një shteti tjetër, pavarësisht se është Shqipëria. Do të thotë, duhet të ketë një vendim të një niveli më të lartë që t’i jepen kompetencat Tiranës zyrtare”, tha Berisha. "Duhet të rishqyrtohen të gjitha vendimet e ministrit Pacolli, sepse ka marrë shumë prej tyre duke mos i analizuar, mos i studiuar dhe duke mos u konsultuar. Vendimet që merren prej Ministrisë së Jashtme kanë efekte ndërkombëtare dhe si të tilla është i domosdoshëm konsultimi me të gjitha institucionet. Duhet të jemi të kujdesshëm, pasi ne nuk mund t'iu delegojmë kompetencat tona shteteve tjera, pasi i i takon shtetit sovran. Ne në Kushtetutë e kemi të definuar shtetësinë", tha Berisha për “Radio Evropa e Lirë”.

Nga anën tjetër, Zyberaj thotë se Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka respektuar të gjitha procedurat paraprake për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje. Sipas tij, në muajin mars të vitit 2019, Qeveria e Kosovës ka miratuar nismën për fillimin e negocimit të kësaj marrëveshje.

"Kjo marrëveshje është ratifikuar sipas nenit 18.2 të Kushtetutës nga presidenti i Republikës së Kosovës dhe është shpallur në gazetën zyrtare. Marrëveshja në fjalë është hartuar nga një grup punues ndërmjet dy ministrive të Jashtme i udhëhequr nga Sekretarët e Përgjithshëm", është shprehur Zyberaj.

Por sa efektive do të jetë kjo marrëveshje dhe si duhet të bashkëpunojë Kosova dhe Shqipëria në fushën e politikës së jashtme?

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli dhe ai i Shqipërisë, Gent Cakaj. Gazeta Si, 12 shtator 2019



Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni thotë se koordinimi i Kosovës dhe Shqipërisë në politikën jashtme është shumë i nevojshëm. Por, sipas tij, marrëveshjet e bëra mes dy shteteve, përfshirë edhe atë për unifikimin diplomatik, "janë marrëveshje për të mbuluar ngecjet dhe dështimet".

"Nuk mund të mbulohet dështimi me krijimin e ambasadave të përbashkëta. Nuk mendoj se ka nevojë për marrëveshje formale, nuk mendoj se ka nevojë që diplomacia e Tiranës të detyrohet me ndonjë marrëveshje formale që të punojë në interes të Kosovës dhe që diplomacia e Kosovës të punojë në interes të Shqipërisë. Pra, unë nuk kam besuar asnjëherë në këso marrëveshjesh. Ato janë veprime për të mbuluar deficitet e këtij bashkëpunim ", tha Hyseni.

Cakaj dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, kanë nënshkruar marrëveshjen për unifikimin e misioneve diplomatike dhe konsullore dhe bashkëpunimin strategjik në fushën e politikës së jashtme më 2 korrik të vitit 2019.

Vetë Pacolli deklaroi se nënshkrimi i marrëveshjeje të tillë është "është një hap i madh përpara në integrimin kombëtar të Kosovës, ndërkohë që për Cakaj marrëveshja “hap horizonte të reja për veprime të përbashkëta institucionale”.

Marrëveshja për bashkëpunim strategjik në fushën e politikës së jashtme mes Kosovës dhe Shqipërisë thuhet se është e ndërtuar mbi disa shtylla.

E para është shtylla politike, e cila synon të përmirësojë nevojën për zgjerim të rrjetit politik dhe ngritjen e përfaqësimit diplomatik për t’iu përgjigjur sfidave të vendeve tona në arenën ndërkombëtare.

E dyta është shtylla diplomatike, ku është rënë dakord për ngritjen e fondit të përbashkët për zhvillimin e ambasadave dhe konsullatave të përbashkëta në botë.
E treta është shtylla profesionale, e cila synon rritjen e aftësive në shërbimin diplomatik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë