Politike

A po amniston PS korrupsionin? Plarent Ndreca: Propozuam barazi para ligjit për të gjithë

Nga Gazeta Si - Amnistia penale nuk u votua në parlament për shkak të mungesës së 84 votave të nevojshme për ta miratuar atë. “Sa kohë nuk u gjet konsensusi në numrat e nevojshëm për të miratuar këtë ligj, ishte pa sens që të kalonin në votim këtë akt”- tha në një intervistë për Gazeta Si relatori i çështjes në Komisionin e Ligjeve, Plarent Ndreca. Por ka edhe diçka tjetër përtej votave të munguara.

Ministria e Drejtësisë dhe PS në Komisionin e Ligjeve kanë ndryshuar variantin e  parë të qeverisë, ku veprat e korrupsionit nga zyrtarët e lartë përjashtoheshin nga çdo përfitim. Me variantin e ri, të propozuar nga zoti Ndreca dhe të mbështetur nga Ministri Manja, zyrtarët apo të zgjedhurit e dënuar nga Gjykata kundër Korrupsionit, mund të përfitojnë ulje dënimi. Një propozim ky për të cilin kryeministri Rama nuk është konsultuar përpara miratimit.

“Jemi konsultuar dhe kemi diskutuar me Ministrin e Drejtësisë që përfaqëson qeverinë në këtë projektligj.”- tha Plarent Ndreca për Gazetën Si, kur u pyet për dijeninë e kryeministrit. Për shkak të propozimit sensitiv që ka vënë në lëvizje përfaqësitë diplomatike në vend, tërheqja nga seanca plenare e 22 Shkurtit, mund të jetë parathënie për ndryshimin e pikës tolerante ndaj zyrtarëve dhe të të zgjedhurve të dënuar nga GJKKO.

Gazeta Si: Zoti Ndreca, Kuvendi nuk e kaloi në votim Amnistinë Penale. Ishte vetëm çështje e mungesës së votave?

Plarent Ndreca: Sigurisht që ishte çështje e mungesës së votave. Ky ligj kërkon shumicë të cilësuar dhe, sa kohë nuk u gjet konsensusi në numrat e nevojshëm për të miratuar këtë ligj, ishte pa sens që të kalonin në votim një akt, i cili nuk e kishte mbështetjen e kërkuar nga Kushtetuta.

Gazeta Si: A pati PS përpjekje për të bindur deputetë të opozitës që ta votojnë amnistinë? Nëse po, me kë keni kontaktuar?

Plarent Ndreca: Kishte një përpjekje në Komisionin e Ligjeve që kërkesat e përfaqësuesve të opozitës Alibeaj dhe Nallbati të merreshin në konsideratë duke presupozuar se këto kërkesa mbështeteshin edhe nga grupimet ku bëjnë pjesë. Në shumicë dërrmuese u morën në konsideratë këto propozime dhe gjykuam se në këtë përpjekje optimale kishim gjetur konsesusin e kërkuar nëpërmjet amendimeve të kërkuara. Por me sa duket, përfaqësuesit e opozitës ishin akoma të pakënaqur dhe, për rrjedhojë, nuk dhanë sot mbështetjen për projektin e miratuar në komision.

Gazeta Si: Kryetari i grupit PS tha se amnistia u tërhoq për respekt të traditës për ta votuar me konsensus të plotë. Do të kërkoni vota nga grupi i PD?

Plarent Ndreca: Po është e vërtetë. Ky ligj, siç e thashë më lart, kërkon shumicë të cilësuar. Është një ligj që afekton kategori qytetarësh që nuk janë as të PS e as të PD, por qytetarë të dënuar ndaj të cilëve parlamenti tregon një akt mëshire. Për rrjedhojë, e mira dhe tradita e do që ky akt të kalojë me sa më shumë vota. Ne do të bëjmë ç’varet nga ne, që ky ligj i shumëpritur, i kërkuar si nga institucionet e drejtësisë për shkak të ngarkesës që kanë, por edhe për shkak të atyre personave që meritojnë mëshirë legjislative, të kalojë me sa më shumë vota.

Gazeta Si: Ju jeni relator në Komisionin e Ligjeve për ligjin e Amnistisë Penale. Pse u krijua idea që ju propozuat përfitim nga amnistia të të zgjedhurve dhe zyrtarëve të lartë të shtetit, të dënuar ose në ndjekje penale për veprat e korrupsionit, shpërdorimit të detyrës, abuzimit me tenderat etj?

Plarent Ndreca: Është një ide e gabuar që hidhet në tregun mediatik nga ata që histerinë dhe jo arsyen e kanë mjet të të bërit politikë. Asnjë zyrtar i lartë subjekt i SPAK që është nën hetim, në gjykim dhe që vendimi nuk ka marrë formë të prerë nuk përfiton nga kjo amnisti. Asnjë subjekt i posaçëm i SPAK, i dënuar deri ne 4 vite meshkujt dhe 5 vite gratë nuk përfiton falje të pjesës së mbetur të dënimit. E vetmja kategori që, nga komisioni, në rakordim me Ministrinë e Drejtësisë, u gjykua që duhet t’i nënshtrohej parimit të barazisë para ligjit (neni 18 i Kushtetutës) është kategoria e të dënuarve me vendim të formës së prerë që u ulet dënimi 1 vit burrave dhe 1.5 vit grave. Për ta konkretizuar. Ishte pa sens dhe nje pabarazi e dukshme që një i dënuar për “vrasje” që e ka marzhin e dënimit minimumi 10 vite burg dhe maksimumin e denimit 20 vite burg, të përfitonte ulje dënimi me 1 vit, ndërsa dikush që thjesht është dënuar nga GJKKO me 4 vite apo 5 vite të mos përfitonte një ulje të barabartë. Besoj është e qartë që krimet ndaj personit janë shumë më të rënda se ato ndaj autoritetit të shtetit. Pra, qëllimi ishte të barazonim subjektet në përfitimin e një ulje prej nje viti burg. Kuptohet përveç veprave penale të rënda të kryera ndaj subjekteve me cilësi të posaçme.

Gazeta Si: Ministri i Drejtësisë pohoi se kishte patur një propozim prej jush dhe pranim prej tij që të shfuqizohej ndalimi që amnistonte të zgjedhurit dhe zyrtarët e lartë. Si shkuat në këtë përfundim?

Plarent Ndreca: Ka pasur një diskutim mbi parimin kushtetues te barazisë para ligjit për t’u aplikuar në këtë projektligj, parim të cilin kërkonte të zbatohej edhe nga zoti Nallbati nëpërmjet amendimeve të tij. Nuk është diskutuar vetëm ky nen, por i gjithë projektligji, pasi është një akt që ka rreth tre muaj në parlament dhe për të janë bërë verejtje e kërkesa të ndryshme, të cilat, në cilësinë e relatorit, i kam përmbledhur në diskutimet me Ministrinë e Drejtësisë për të gjetur dakortësi. Dakortësi e cila u arrit.

Gazeta Si: A jeni konsultuar me kryeministrin Rama për propozimin që sipas kryeministrit krijoi keqkuptime?

Plarent Ndreca: E shpjegova më lart, jemi konsultuar e diskutuar me Ministrin e Drejtësisë që përfaqëson qeverinë në këtë projektligj.

Gazeta Si: Çështja e amnistisë, a nuk është një rast që grupi PS të ulet në negociata me grupin PD për të gjetur një gjuhë të përbashkët dhe për rikthimin e normalitetit në parlament?

Plarent Ndreca: Jo vetëm. Çdo çështje në parlament është një çështje ku opozita mund të marrë pjesë në mënyrë institucionale në diskutime dhe ne sigurisht do të dëgjojmë, ashtu siç bëmë në rastin e amnistisë, qëndrimin e opozitës. Ne jemi aty për të punuar për qytetarët e këtij vendi dhe opozita është e ftuar ta bëjë këtë gjë. Por, sigurisht, nuk mundet që në të njëjtën kohë të fishkëllesh me bilbila, të ndezësh flakadanë apo të hedhësh miell e njëkohësisht të bësh punë të mira institucionale. Opozita duhet të zgjedhë në mes sjelljes së rrugës dhe asaj parlamentare, të dyja bashkë nuk shkojnë. Në momentin më të parë që opozita do të ulet në karriget e parlamentit ne kemi detyrim kushtetues të dëgjojmë çdo gjë që ajo thotë e të vendosim më pas se çfarë mendojmë se është më e mira për qytetarët e vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë