Politike

A paralajmëroi Meta konsensus, dhe mesazhi i ftohtë për Bashën…

Ilir Meta nuk veshi kostumin e Presidentit “danez” të premten në konferencë për shtyp.

Me një kostum ngjyrë neutral, gri, fiks sipas protokollit, Meta bëri distancimin (si nga veshja) ashtu edhe në qëndrim kur foli me një mesazh të qartë dhe të drejtpërdrejtë për Lulzim Bashën.

Tha se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me të, të premten në mëngjes. Nuk foli për detajet, por mesazhi ndaj tij ishte i qartë. 

“Mesazhi im për opozitën, gjithçka për konsensus, mos bini pre e provokimit të radhës për tu larguar nga tryeza e reformës, mos paraqisni një listë dëshirash por qëndroni qartë tek ato elementë bazikë për të cilat do keni përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë dhe miqve që janë vërtet të shqetësuar e kërkojnë zgjidhje”

Meta nuk doli për mediat në orën e paralajmëruar.

Takimi më herët me ambasadoren e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, zgjati përtej parashikimit.  

Dhe rezultati nga ai takim ishte i qartë.

Ilir Meta foli me gjuhë konsensusi, me tone të qeta dhe gishtin e drejtoi aty ku topin e ka deleguar vetë ambasadorja amerikane per zgjedhjet; tek Lulzim Basha.

Prej tre ditësh, Basha  jep e merr me Kryemadhin në selinë e PD-së mbi rolin që vëshguesit politik duhet të kenë në KZAZ-të dhe KQV-te e depolitizuara, por edhe tek numërimi i votave...  

Për Ilir Metën debati po fokusohet në disa çështje që nuk duhet të ekzistonin, duke nënvizuar rëndësinë e një marrëveshje në thelb për vetë shqiptarët.

Dhe kur flet për shqiptarët, Meta bën distancimin në qëndrim nga “arroganca” e Ramës dhe “hezitimi” i Bashës

“Mesazhi im është jepuni shqiptarëve atë që drejtë që u takon që e kemi detyrim të gjithë që të kenë besim te zgjedhjet e demokracia, mos i intimidoni më as me arrogancë e as hezitime, të gjithë duhet të tregojnë besim te demokracia dhe ajo fillon te vota dhe zgjedhjet e lira...”, tha ai.

Ndoshta opozita e ka humbur një betejë në këtë debat për zgjedhjet, por Presidentit Ilir Meta i pëlqen që në kësi rastesh të kujtojë eksperiencën e famshme të Uinston Çërcill, se pas çdo humbje, vjen edhe një fitore     

 “Çërcilli fitoi Luftën e dytë Botërore, humbi zgjedhjet, por përsëri u rikthye, dha shembull të shkëlqyer se si duhet të jemi të përulur para votës së lirë të qytetarëve tanë”, - tha Meta

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë