Mendim

A ndërhyn ende ShBA në zgjedhjet e huaja?

Nga Jack Goldsmith* - Katër vjet pas ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale të ShBA 2016, më shumë vende duket se po i bashkohen lojës në prag të votimit të këtij viti,  më 3 nëntor. Në gusht, William Evanina, drejtori i Qendrës Kombëtare të Kundërzbulimit dhe Sigurisë së ShBA, paralajmëroi rreth përpjekjeve “të vazhdueshme dhe të mundshme” të ndikimit zgjedhor nga Rusia, Kina dhe Irani. Javën e kaluar, Drejtori i Inteligjencës Kombëtare John Ratcliffe dhe Drejtori i FBI Christopher A. Wray zbuluan se Rusia dhe Irani kishin marrë të dhëna për regjistrimin e votuesve në ShBA.  “Të dy vendet po ndërhyjnë për të provuar të ndikojnë në zgjedhjet presidenciale,  ndërsa futemi  në dy javët e fundit”,  dilte në përfundim New York Times.

Amerikanët janë indinjuar dhe alarmuar dukshëm  për ndërhyrjet e huaja zgjedhore. Por praktika nuk është e re; në të vërtetë, Shtetet e Bashkuara ishin për një kohë e gjatë eksponenti i tyre kryesor. Siç tregon Dov Levin në librin e tij, “Të Përzihesh në Kutinë e Votimit, ShBA. dhe Bashkimi Sovjetik (më pas Rusia) u përfshinë në 117 ndërhyrje të fshehta ose të hapura elektorale të huaja, për të ndihmuar ose penguar kandidatët dhe  partitë midis  viteve 1946 dhe 2000, me ShBA-në që llogaritej  për 81 nga këto raste (ose 69% të totalit).

Një nga shembujt më të famshëm të ndërhyrjes elektorale të huaj në SHBA erdhi në agimin e Luftës së Ftohtë më 1948-n, kur CIA (në veprimin e saj të parë të fshehtë) subvencionoi fshehurazi përpjekjet publike për të siguruar që kandidatët komunistë të mundeshin në zgjedhjet e Italisë. Ajo gjithashtu shpenzoi miliona dollarë në përpjekjet propagandistike dhe mbështetjen e politikanëve të favorizuar italianë. Këto dhe praktika të ngjashme, të fshehta dhe të hapura, vazhduan gjatë gjithë Luftës së Ftohtë. Historiani i CIA-s David Robarge i tha David Shimer-it, autor i librit “Të manipuluar”, se gjatë kësaj periudhe, Agjencia “zor se i ndryshoi votat drejtpërdrejt”, gjë që nënkuptonte se me raste  e kishte bërë.

Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, qeveria amerikane filloi të kishte skrupuj rreth ndërhyrjes në zgjedhjet e vendeve të tjera. Komitetet e inteligjencës së Kongresit filluan të tërhiqen dhe ndarjet u bënë të dukshme brenda ekzekutivit. Por praktika vazhdoi. Në vitin 2000, Presidenti Bill Clinton autorizoi CIA-n  për të siguruar mbështetje të fshehtë për kundërshtarët e përpjekjeve të rizgjedhjes së Presidentit të atëhershëm Jugosllav Slobodan Milosheviç. Administrata e George W. Bush kishte plane të përparuara për të ndërhyrë fshehurazi në zgjedhjet parlamentare të Irakut në janar 2005 - e para që nga rënia e Presidentit Saddam Hussein - para se rezistenca e ashpër e Kongresit të prishte veprimin. Administrata e Presidentit Barack Obama konsideroi propozime të ngjashme, sipas Shimer-it, por i refuzoi ato.

Këto ngjarje relativisht të kohëve të fundit, të kombinuara me zemërimin amerikan për ndërhyrjen në zgjedhjet e veta, ngrenë pyetjen e rëndësishme nëse ShBA ende ndërhyn në zgjedhjet e huaja, ose të paktën mban të hapur opsionin për ta bërë këtë.

Disa zyrtarë i thanë Shimer-it  se ShBA i  braktisur ndërhyrjet elektorale në shekullin 21. Të tjerët bishtnuan. “Inteligjenca nuk ndërhyn me ndjenja të tilla si fleksibiliteti dhe liria, siç mund të ketë pasur në Luftën e Ftohtë të hershme”, tha ish-zëvendës drejtori i CIA-s John McLaughlin. Avril Haines, i cili mbajti të njëjtin rol një dekadë më vonë, tha se, “nuk është e pranueshme të manipulosh votat në zgjedhje”, por (sipas Shimer) nuk pranoi “të komentonte se si CIA ende mund të kërkojë të ndikojë tek mendjet e votuesve ”. Siç e tha ish-drejtori i Inteligjencës Kombëtare James Clapper, “E gjitha është çështje mase”.

Ish-drejtori i CIA-s Leon Panetta tha se agjencia nuk ndryshon votat apo përhap  dezinformim, por ndikon në media të huaja për të “ndryshuar qëndrimet brenda vendit”. Panetta i tha Shimer se CIA herë pas here “do të merrte media brenda një vendi, ose brenda një rajoni që shumë mirë mund të përdorej… për të dhënë” mesazhe, ose do të përpiqej të “ndikonte në ata që mund të kenë elementë të medias për të...bashkëpunuar, për të punuar me ty  në dërgimin e atij mesazhi. ” Është e vështirë të dihet saktësisht se cilat lloje të aktiviteteve kishte në mendje Panetta - ndoshta ai po fliste për përpjekjet tradicionale të propagandës së CIA-s,  që kryqëzohen me politikën elektorale. Por ato tingëllojnë të ngjashme me disa nga operacionet e mediave sociale ruse më 2016-n.

Këto rrëfime të ndryshme nga zyrtarët amerikanë ndoshta kthehen në dallime përkufizuese. Ndërhyrja elektorale mund të marrë forma të ndryshme, përfshirë ndryshimin e votës, dezinformimin, propagandën dhe mbështetjen financiare. Shimer më dha pikëpamjen e tij se ku ka të ngjarë të qëndrojnë ShBA sot: “Nuk e ka ndaluar praktikën e ndërhyrjeve të fshehta elektorale, por është një opsion që nuk ekzekutohet me shumë frekuencë. Dhe kjo është ndryshe nga Lufta e Ftohtë, por është gjithaq  ndryshe nga të thënët se kjo është diçka që Shtetet e Bashkuara kategorikisht nuk do ta bëjnë më, pasi në fakt gjërat nuk janë ashtu”.

Shimer gjithashtu raporton se qeveria e ShBA. është e ndarë më dysh  se si të veprojë. Disa zyrtarë mendojnë se Amerika duhet t'i japë fund një herë e mirë praktikës, por të tjerët nuk pajtohen. Panetta mendon se ShBA duhet të mbajë të hapur opsionin për të ndihmuar aktorët e huaj politikë me para, propagandë dhe mjete të tjera në përgjigje të operacioneve të ndërhyrjes elektorale të Rusisë. Në mënyrë të ngjashme, McLaughlin thotë se, “Unë nuk do të doja ta hiqja [ndërhyrjen e fshehtë zgjedhore] nga tryeza”.

Por a mundet Amerika ta mbajë opsionin në tryezë dhe të ankohet kur vendet e tjera ndërhyjnë në zgjedhjet e ShBA? Përgjigja ka rëndësi, sepse Interneti - i cili u shfaq pikërisht kur ShBA po zbuste fazën e saj agresive të ndërhyrjes elektorale - i ka bërë aktivitetet e tilla dukshëm më të lehta, më të lira dhe më efektive. Demokracitë janë veçanërisht të kërcënuara sepse zgjedhjet e tyre kanë më shumë rëndësi dhe sepse mezi rregullojnë shprehjen dhe shtypin. Dhe, siç kemi mësuar në katër vitet e fundit, ndërhyrja e zgjedhjeve të huaja përmes internetit është jashtëzakonisht e vështirë të ndalet. Në epokën para-Internetit, Bashkimi Sovjetik shpesh përpiqej dhe dështonte të ndërhynte në zgjedhjet e ShBA-së. Në vitin 2016, Rusia pati çmendurisht sukses.

ShBA sa po nis të kuptojë se si të adresojë avantazhin e madh asimetrik që Interneti u jep kundërshtarëve të tij autoritarë , në ndërhyrjet elektorale. Një përgjigje - e quajtur “mbro përpara” - është të jetosh në rrjete kundërshtare dhe të ndalosh ndërhyrjen para se të nisë. Një tjetër është të përpiqesh të zhvillosh norma ndërkombëtare,  kundër ndërhyrjeve të fshehta të zgjedhjeve të huaja. Por, duke pasur parasysh historikun e saj të shekullit 20, ShBA  ka pak shpresë për vendosjen e  normave  të tilla,  derisa të njoftojë publikisht se nuk do të përfshihet më në praktika, gjë që deri më tani nuk ka qenë e gatshme të bëjë./ Project Syndicate. Përktheu dhe përgatiti në shqip Gazeta Si.

*Jack Goldsmith është profesor i së drejtës, në Shkollën e Drejtësisë në Harvard dhe anëtar i vjetër në Institutin Hoover.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë