Politike

A ndalohen apo jo memet? Zbardhet drafti i Kodit Penal për montazhet dhe shpifjet

Nga një grup ekspertësh në Ministrinë e Drejtësisë, po jepet dora e fundit e një dokumenti plot 160 faqesh që përfshin ndryshime të rëndësishme në Kodin Penal.

Në dokumentin që nuk është ende përfundimtar (një kopje të së cilës e disponon edhe gazeta “Si”) përfshihet edhe një debat kryesisht i lindur nga rrjetet sociale mbi parashikimet që grupi i punës ka paraqitur për një nen që lidhet me cenimin e imazhit të personit, që në rrjetin e gjerë të komentuesve po interpretohet si ndalimi i memeve. Dhe bëhet fjalë për nenin 238 të draftit paraprak, ende jo përfundimtar.

Një nen që për nga përmbajtja sjelle interpretime të ndryshme dhe për pasojë lë vend për kontestime nga pala e ankimuar.

Në nenin 238 të variantit paraprak thuhet se,  “publikimi në çdo formë, mënyrë apo mjet i një montazhi të realizuar me fjalët ose imazhin e një personi pa pëlqimin e tij, nëse kryhet për qëllime përfitimi material ose jo material, apo kur ka qëllim të dëmtojë reputacionin e një personi, kur materiali nuk shfaqet dukshëm që është një montazh ose nëse nuk përmendet shprehimisht se është i tillë, përbën kundravajtje penale dhe dënohet me burgim deri në 1 vit. Ndjekja penale fillon me ankim të viktimës ose përfaqësuesit ligjor të saj dhe pushon me tërheqjen prej saj”.

Meme e shpërndarë në rrjetet sociale

Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama tha se nuk bëhej fjalë për atë që rëndom në rrjetet sociale quhen meme, por ministria e Drejtësisë që ka hartuar dhe draftin në fjalë, pati një reagim krejt tjetër, duke lënë të hapur gjithçka po debatohet, duke qartësuar vetëm faktin se drafti nuk është ende përfundimtar.

Në draftin paraprak përfshihen edhe dy nene të tjera të ndryshuara për mediat, ai 227 duket më i prekshëm, që lidhet me shpifjen. Në këtë nen thuhet se, “përhapja e qëllimshme e deklaratave rreth një fakti specifik të rremë dhe ofendues ndaj personit si dhe/apo çdo informacioni tjetër të rreme, që cenojnë nderin dhe reputacionin e personit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë deri në një milion e pesëqind mijë lekë dhe dënimin plotësues të përgënjeshtrimit dhe faljen publike ndaj viktimës”.

“Nëse vepra penale është kryer nëpërmjet shtypit ose ndonjë mjeti tjetër komunikimi mediatik, elektronik, nëpërmjet rrjeteve sociale në internet, ose nëpërmjet një akti publik, dënimi shtohet në dyfishin e parashikuar në paragrafin e parë...

Procedimi penal fillon me kërkesën e viktimës dhe çështja pushohet kur ajo tërheq ankimin.

Kur vepra penale e shpifjes është kryer me anë të shtypit, përgjegjësia shtrihet edhe për drejtorin administrues ose, sipas rastit, zv/drejtorin, botuesin dhe printuesin në rastet e dijenisë se tyre rreth faktit penal. Dënimi penal shoqërohet edhe me dënimin plotësues të përgënjeshtrimit të deklaratës/faktit/informacionit të rremë me të njëjtën mënyrë dhe me të njëjtin mjet sikundër është realizuar përhapja e tij, dhe detyrimin e publikimit të vendimit gjyqësor penal nëpërmjet medias apo në komunitet.

Procedimi penal nuk pengon viktimën t’í drejtohet edhe gjykatës civile”.

Në nenin 228 mund të veçojmë dy paragrafe;

“Cilido që për qëllime përfitimi material ose jo material, apo kur ka qëllim të dëmtojë reputacionin e një personi, pa autorizim fotografon, filmon, regjistron me video apo audio këtë person në banesën e tij personale ose në ndonjë vend tjetër ku personi gëzon ligjërisht privatësi, apo vendos aparatura që shërbejnë për fotografim, transmetim apo regjistrim të fjalëve ose të figurave, i të dhënave që ekspozojnë një aspekt të jetës private të personit, pa pëlqimin e tij, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim nga deri ne 1 vit.

Shpërndarja, ofrimi për publikim apo publikimi me çdo mjet ose formë të komunikimit publik apo mënyrë tjetër i të dhënave të marra në mënyrën dhe qëllimin e përcaktuar në paragrafin e parë të këtij neni, dënohet me burgim nga 2 deri në 3 vjet....

Kur vepra penale e parashikuar sa më sipër është kryer nëpërmjet shtypit të shkruar ose audioviziv, dispozitat specifike të ligjeve që rregullojnë këto çështje janë të zbatueshme edhe ndaj personave përgjegjës që kanë bërë të mundur publikimin e të dhënave private”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë