Politike

Kodi Penal për “memet” që po kthehet në meme më vete

Mesditën e të enjtes, rrjetet sociale “vluan” me akuza e kundërakuza dhe gjithfarëlloj interpretimesh kur u shpërnda një nen i supozuar si i ndryshuar në Kodin Penal nga grupi i punës në Ministrinë e Drejtësisë që lidhet me cenimin e imazhit të personit. Po nga rrjetet sociale po artikulohet konkretisht se publikimi në çdo formë, mënyrë apo mjet i një montazhi të realizuar me fjalët ose imazhin e një personi pa pëlqimin e tij nëse kryhet për qëllime përfitimi material ose jo, apo kur ka qëllim të dëmtojë reputacionin e një personi... përbën kundravajtje penale dhe dënohet deri në një vit heqje lirie.

Rrjetet sociale e zbërthejnë shkoqur se me pak fjalë do të ndalohen memet. Një debat i tillë tërhoqi edhe vëmendjen e kryeministrit Edi Rama. ”Shih shih qenkan revoltuar ca analistë se do u dënokan memet me Kod Penal, duke u nisur nga s'di ç'material jozyrtar! Po si mund të ndalohen memet me ligj na e thonë dot këta orakuj të kombit? Asnjë shans s'ka, ku ta gjenim që dhe këta të merreshin me meme që të vlenin për diçka!”, komentoi Rama në Twitter.

Por ndryshe nga Rama, ministria e Drejtësisë jep një reagim tjetër shumë më ftohtë, ku lë të hapur gjithçka. E vetmja gjë që kuptohet qartazi nga reagimi i ministrisë është se drafti nuk është ende final.

“Në lidhje me kërkesat e vazhdueshme të ardhura nga gazetarët në lidhje me draftin final të Kodit të Ri Penal, duam t'ju sqarojmë se materialet që po qarkullojnë në media janë ende një dokument pune, nga grupi i ekspertëve, propozime këto të cilat janë zbardhur si pjesë e diskutimeve në seancat e konsultimit publik. Sqarojmë se dokumenti që po qarkullon nuk është draft final, pasi po punohet në vazhdimësi.

Ministria e Drejtësisë ka përmbyllur procesin e konsultimit publik dhe tani ekspertët dhe praktikantët e ligjit të grupit të punës do të finalizojnë projektligjin, i cili pasi të konsultohet teknikisht, do të depozitohet në Këshillin e Ministrave”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë