Futboll

A mund ta fitojë Anglia Botërorin?

Loja dhe rezultatet e deritanishme të Anglisë në Kupën e Botës i kanë siguruar kualifikimin, por ato nuk tregojnë asgjë nëse skuadra është në gjendje që të fitojë këtë trofe apo jo.

Që prej gjysmëfinaleve të vitit 1990, Anglia ka fituar vetëm dy ndeshje në fazën pas grupeve me eleminim direkt, 3-0 ndaj Danimarkës në Japoni në Botërorin e 2002 dhe 1-0 ndaj Ekuadorit katër vite më vonë në Botërorin e Gjermanisë. Në Afrikën e Jugut u mposht nga Gjermania në fazën e 1/8, ndërsa në Brazil u eleminua që në fazën e grupeve.

Rekordi negativ vazhdon më tej dhe këtyre statistikave u shtohet edhe ajo që Anglia nuk ka mposhtur asnjëherë një skuadër të pozicionuar më mirë në renditjen e FIFA-s në ndeshjet e eleminimit direkt prej 16 vitesh tashmë. Hera e fundit që kjo ka ndodhur ishte në Japoni, kur me penallti eleminonte Argjentinën.

Në atë kohë, Anglia pozicionohej e 12-ta në renditjen e FIFA-s, ndërsa Argjentina e treta, për ironi të fatit ashtu si Belgjika, me të cilën ishullorët do të testohen vërtetë.

A mund të ndalojë mbrojtja e Anglisë sulmues cilësorë?

Portieri Jordan Pickford ka patur një detyrë të thjeshtë deri më tani në dy ndeshje kundër Tunizisë dhe Panamasë. U angazhua shumë pak dhe topin eka nxjerrë nga rrjeta e tij dy herë, nga një për secilën ndeshje dhe pa faj në asnjërin rast.

Si me Tunizinë, ashtu edhe me Panamanë loja e Anglisë ka patur momentet e saj të shkujdesura, por rivalët nuk ishin në lartësinë e duhur në sulm për t’i ndëshkuar. Gjërat ndryshojnë tani. Belgjika vërtet mund të luajë ndryshe dhe pa shumë motivim, por sërish në sulm do të jetë kërcënimi dhe testi më madhor që mbrojtja angleze është përballur deri më tani.

Sistemi i mbrojtjes me tre lojtarë i Southgate do të provohet fort nëse është i duhuri apo do të sjellë dështimin e radhës në një Kupë Bote për Anglinë.

Kyle Walker është ende i paambientuar me pozicionimin e ri, ndërsa John Stones dhe Harry Maguire u duhet punë për të fituar durimin dhe vendosmërinë që të mos përfshihen në aventura sulmuese që mund të pasojnë ndëshkimin në prapavijë.

Kieran Trippier ka dhuruar një paraqitje të shkëlqyer gjatë sezonit në të djathtë, ndërsa Ashley Young ka bindur në të majtën. Por edhe për mbrojtësin 32-vjeçar të Manchester United vendosja që i bën në fushë Southgate është një risi dhe sfidë krejt më vete që nuk ka kohë për t’u ambientuar.

Më shumë topa për Harry Kane

Mund të tingëllojë e çuditshme nisur nga fakti që Anglia ka shënuar 8 gola në dy ndeshjet e para dhe pesë prej të cilëve nga kapiteni Harry Kane, por nëse Anglia synon që të vazhdojë këtë rrugëtim deri në fund, duhet që klasi dhe cilësia e Harry Kane të mbështetet edhe më shumë.

Kapiteni i Anglisë, Harry Kane

Sulmuesi i Tottenham ka shënuar dy gola nga godijet këndore dhe dy nga penalltitë dhe të fundit nga një devijim për t’u ngjitur në krye të golashënuesve me pesë të tillë. Kjo sugjeron se në të gjitha rastet ka patur një kombinim mes fatit dhe aftësisë dhe cilësisë së lojtarit për të gjetur rrugën e rrjetës.

Megjithatë, Anglia gjithmonë ka patur një sulm të mirë, por sërish deri më tani Harry Kane nuk është mbështetur ashtu siç duhet me topa gjatë aksioneve apo kundërsulmeve të skuadrës, përkundër asaj që ka ndodhur me Romelu Lukakun tek Belgjika, që ka shënuar katër gola.

Është urgjente që edhe Raheem Sterling, talenti dhe klasi i të cilit nuk mund të vihen në diskutim të gjejë golin. 22 ndeshje me kombëtaren pa shënuar janë shumë dhe sa më parë të ndryshojë kjo statistikë, aq më mirë është për Anglinë.

Belgjika, testi i karakterit

Si asnjëherë më parë, Anglia ka zhvilluar një fazë përgatitore të qetë, pa skandale që i paraprinë dhe larg vëmendjes dhe bujës mediatike. Edhe kur zbriti në Rusi, kjo situatë vazhdoi. Dy ndeshjet e para, nisur edhe nga emrat e kundërshtarëve nuk e trazuan këtë. Por Belgjika është një tjetër histori.

Është ndeshja vendimtare e grupit dhe në të nuk ka rëndësi vetëm rezultati, por edhe forma, momenti, vetëbesimi dhe karakteri që do të tregojnë në fushë skuadrat.

Deri më tani duket gjithçka në rregull dhe e qetë, por mbetet për t’u parë nëse kjo qetësi do të ruhet edhe në rast të një presioni kundërshtar, e pse jo ndëshkimi. Është një testim për të gjithë skuadrën, që është e relativisht e re në moshë dhe me lojtarë që u mungon përvoja në të tilla nivele.

Megjithatë, në ajër ka një ndjesi ndryshe këtë herë. Në skuadër ka më shumë vetëbesim dhe mjedisi sugjeron që kjo skuadër mund të shkojë shumë larg këtë kompeticion.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë