Nga Gazeta ‘Si’-Të paktën 69 persona janë infektuar dhe tetë persona kanë vdekur për shkak të virusit të Nilit Perëndimor, i cili po arrin pikun në Europë.
Sipas Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) rastet me Ethet e Nilit pritet të rriten në javët dhe muajt e ardhshëm duke patur parasysh motin e nxehtë dhe faktin që mushkonjat shkaktare Culex pipiens janë të pranishme në të gjithë Europën.
"Sezoni i transmetimit është ‘në rrugë të mbarë’" -tha ECDC.
Si është zgjeruar harta e shpërndarjes së virusit
Që nga 31 korriku 2024, rastet janë raportuar nga Greqia (31), Italia (25), Spanja (5), Austria (2), Hungaria (2), Serbia (2), Franca (1) dhe Rumania (1).
Tetë vdekje u raportuan nga Greqia (5), Italia (2) dhe Spanja (1).
Në nivel europian, numri total i rasteve të raportuara deri më tani këtë vit është brenda kufijve të pritur, edhe pse numri i rasteve në Greqi dhe Spanjë është më i lartë se në vitet e mëparshme. Treguesit klinik dhe të ashpërsisë janë gjithashtu të ngjashëm me vitet e mëparshme. Të gjitha rajonet e prekura këtë vit ose kanë qenë të prekura më parë ose kanë pasur rajone fqinje që kanë raportuar raste.
Rreth 80% e infeksioneve njerëzore nuk kanë simptoma dhe shumica e rasteve tek njerëzit ndodhin midis korrikut dhe shtatorit, kur mushkonjat janë aktive.
Cilat janë simptomat e virusit të Nilit Perëndimor?
Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, virusi i Nilit Perëndimor është shkaku kryesor i sëmundjeve të transmetuara nga mushkonjat në SHBA kontinentale.
Shumica e njerëzve të infektuar me virusin e Nilit Perëndimor nuk përjetojnë simptoma. Rreth një në pesë persona të infektuar sëmuren me simptoma të ngjashme me gripin dhe rreth një në 150 njerëz të infektuar zhvillojnë sëmundje serioze dhe potencialisht fatale nga virusi.
Simptomat e sëmundjes së virusit të Nilit Perëndimor tek njerëzit përfshijnë:
- Temperaturë e lartë
- Skuqje e lëkurës
- Lodhje
- Dhimbje koke
- Ngurtësia e qafës
- Dobësi muskulore
- Në raste ekstreme, konvulsione, mpirje, paralizë dhe koma
Simptomat e lehta të sëmundjes së virusit të Nilit Perëndimor zakonisht zgjasin disa javë, por lodhja, dobësia e muskujve dhe dhimbja e kyçeve mund të zgjasin për muaj të tërë.
Si të mbroni veten
Ndërsa popullatat e mushkonjave në përgjithësi lulëzojnë pas reshjeve të mëdha, ato që bartin virusin e Nilit Perëndimor arrijnë popullata më të larta gjatë kushteve të thata. Uji i grumbulluar bëhet i ndenjur dhe i përshtatshëm për bartësit e virusit që të lëshojnë vezët e tyre.
Ndaj rekomandohet heqja e ujit nga çdo send afër shtëpive, si vazot me lule, kova dhe karroca dore. Pishinat e oborrit të shtëpisë që nuk janë në përdorim duhet të kullohen ose të mbulohen si masë paraprake.
Mushkonjat që transmetojnë virusin e Nilit Perëndimor ushqehen në muzg dhe gjatë gjithë natës, duke pasur aktivitet maksimal nga ora 21:00 deri në orën 2 të mëngjesit.
Shmangni sa më shumë që të jetë e mundur të dilni në ato momente dhe përpiquni të monitoroni mushkonjat që hyjnë brenda natës vonë.
Këmisha me mëngë të gjata me ngjyra të çelura dhe pantallonat e gjata ndihmojnë gjithashtu në mbrojtjen nga pickimi i mushkonjave, së bashku me produkte farmaceutike ose vaj eukalipt limoni, të cilat janë të regjistruara në Agjencinë e Mbrojtjes së Mjedisit dhe të miratuara nga CDC për të mbrojtur kundër pickimit të mushkonjave.
Burimi: MSN/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.