Politike

A ka konsensus për rezolutën e Kosovës? Pëllumbi: Shpresoj të enjten të kemi një draft të përbashkët   

Kryeministri Edi Rama do të jetë të enjten në Kuvend, ku pritet miratimi i një rezolute për Kosovën. Kjo është konfirmuar nga deputeti dhe anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Arben Pëllumbi.

Ajo që pritet të ketë debat është përmbajtja e rezolutës

Demokratët propozojnë një rezolutë gati identike me atë të miratuar nga Parlamenti i Kosovës, ndërsa socialistët mbështesin hartimin e statusit të asociacionit nga amerikanët.

Ideja fillestare e Ramës që KFOR të marrë kontrollin e Veriut, është tkurrur në një thirrje për të rritur prezencën, duke afruar qëndrimet. Dakordësi duhet gjetur edhe sa i përket hetimeve për sulmin e 24 shtatorit.

Sipas Pëllumbit, parlamenti shqiptar duhet të dalë me një rezolutë të përbashkët, për të treguar në këtë mënyrë mbështetjen që Shqipëria duhet t’i japë Kosovës

“Shpresoj shumë që parlamenti shqiptar të tregojë pjekurinë e duhur dhe të ketë një rezolutë të përbashkët. U kërkua nga opozita që të kemi një seancë me debat, ne e pranuam. Dhe në fund të pranojmë një draft të përbashkët final, që do të jetë si drafti i të gjitha palëve në Kuvend.

Shpresoj që në këto orë që kanë ngelur të mund të kemi një draft të përbashkët. Kjo pasi ne nuk duam që politika të jetë e shpërndarë dhe që politika të luajë me interesat e Kosovës. Ky është një mesazh i qartë për të gjithë kombin shqiptar dhe për mbështetjen që ne duhet ti japim në këto momente të vështira Kosovës”, tha Pëllumbi i ftuar në emisionin “Debat” në A2CNN.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë