Shendet

A janë vërtet protestat shkaku i shtimit të rasteve me Covid-19?

Pak ditë më parë një mjek në qytetin e Durrësit, u njoftuar se ishte riinfektuar nga Covid-19, ndërsa në 24 orët e fundit, kemi numrin më të lartë të të prekurve gjatë gjithë kohës së pandemisë: 36 raste të reja me Covid-19, nga 359 testime të kryera. Sipas deklaratës së autoriteteve shëndetësore, rritja e rasteve ka ardhur për një sërë faktorësh, si mosrespektimi i masave të distancimit dhe grumbullimeve që kemi pasur kohët e fundit.
Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino deklaroi se një ndër arsyet e shtimit të rasteve janë grumbullimet masive dhe tubimet e tilla si protesta e Teatrit më 17 maj dhe protesta kundër pedofilisë dhe përdhunimit përpara një jave.
Silva Bino i tha Gazetës “Si” se ISHP kishte të dhëna qëpersonat e infektuar kanë qenë në grumbullime dhe protesta e parë ka ndodhur relativisht 2 javë më parë, koha e mjaftueshme që duhet për t’u shfaqur simptomat e Covid-19. Gazeta “Si” kërkoi informacion zyrtar se sa prej të infektuarve kanë qenë në protesta, apo se sa ka qenë numri i “të infektuarve protestues” në raport me të gjithë numrin e rasteve pozitive të publikuara sot. Por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, nuk morëm përgjigje.
Mjekët epidemilogë gjithashtu theksojnë se, përveç grumbullimeve, faktorë të tjerë që kanë ndikuar në rritjen e rasteve janë edhe mosrespektimi i distancimit social, mosmbajtja e maskave në publik etj. Ndërkohë, që edhe mjekët e Spitalit Infektiv i kanë bërë thirrje qytetarëve të respektojnë distancimin social në mënyrë që të mos vijojmë me një trend rritjeje të të infektuarve.

Silva Bino

Por çfarë po ndodh në Shqipëri? Pse nuk po vijojnë të respektohen masat si gjatë kohës së izolimit?
Mjeku epidemiolog Erion Dasho ka edhe një shpjegim tjetër që justifikon rritjen e rasteve. “Iu mëshua masave kufizuese edhe kur u kuptua se këto ishin shumë më të ashpra se sa e justifikonte situata epidemiologjike, qytetari nuk u bindën më, sepse nuk besonin më. Sot nuk është koha për më tepër testime, por koha për të rifituar sa më shpejt besimin e qytetarit dhe për ta bërë atë partner në parandalimin e mëtejshëm të përhapjes së Covid-19,” shpjegon epidemiologu Dasho.
Sipas tij, fakti që sa më shumë testime të të bëhen, aq më shumë raste pozitive zbulohen, nuk është më as i rëndësishëm tashmë. Dashoshprehet se problemi tek ne tashmë kuptohet që nuk kanë qenë testet, por qasja e gabuar strategjike. Sipas tij, situata do të vijojë të jetënë mëshirë të virusit. Dasho thotë se masat e marra deri tani mund të konsiderohen të dështuara pasi nuk kanë arritur as edhe të parandalojnë transmetimin e Covid-19 në strukturat shëndetësore.

Erion Dasho

“Nuk u arrit asnjëherë të bëhej qytetari partner dhe të ftohej të merrte përgjegjësi për parandalimin e Covid-19. Uroj që disa elementë shpresëdhënës që kemi mësuar ditët e fundit, si rënia e virulencës së virusit, roli relativisht i parëndësishëm i pacientëve pa simptoma në transmetim, apo edhe ardhja e stinës së verës; të nisin dhe të japin rolin e tyre pozitiv. Por këto mbeten në kufijtë e shpresës. Qytetarëve me moshë mbi 65 vjeç dhe atyre të prekur nga sëmundje kronike, do t’u bëja thirrje të merrnin masa për të mbrojtur veten. Kolegëve mjekë dhe infermierë të zbatojnë me rigorozitet masat për parandalimin e Covid-19 në strukturat e kujdesit shëndetësor”, shton Dasho.

Copyright © Gazeta "Si" Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës "Si", në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë