Analize

A ikën bashkë me antishqiptarin Bolton edhe pazaret mbi kufijtë Kosovë-Serbi?

Me shkarkimin e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, presidenti Donald Trump duket se ka bërë të mundur që paragjykimi antishqiptar i John Bolton të përfundojë në pluhurin e historisë.

I cilësuar si arkitekti i skenarit për ndryshimin e kufijve të Kosovës, John Bolton u shkarkua të hënën duke marrë me vete edhe këtë ide fatkeqe. Si zyrtari i parë amerikan që mbështeti idenë e shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës, John Bolton ka fituar zemrat e zyrtarëve në Beograd dhe ka rritur ndjeshëm presionin ndaj Prishtinës për të arritur një marrëveshje me Serbinë.

Ideja se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të shqyrtojnë çdo lloj marrëveshjeje për të cilën do të binin dakord të dyja palët, përfshirë edhe ndryshimin e kufijve, vazhdon të shqetësojë shumë ekspertë, por me Boltonin jashtë Shtëpisë së Bardhë, shanset e Kosovës për të mos qenë humbësja më e madhe e paktit me Serbinë, janë ulur.

John Bolton, Gazeta Si, 11 shtator 2019

Gati një vit më parë, John Bolton ishte zyrtari i parë amerikan që doli pro kësaj teze, duke shënuar pa dyshim ndryshimin më të madh të politikës së jashtme amerikane në Ballkan.

Bolton deklaroi se SHBA-ja nuk do të bëhej pengesë për arritjen e një marrëveshjeje të tillë, duke nënvizuar gjithashtu se nuk mendonte se dikush në Europë do të qëndrojë në mes, nëse të dyja palët arrijnë një marrëveshje të kënaqshme. Ka mjaftuar kjo deklaratë dhe disa takime të njëpasnjëshme me zyrtarët serbë, që ideja e shkëmbimit të territoreve të merrte një mbështetje dhe lobim të jashtëzakonshëm në Uashington dhe një sërë kryeqytetesh europiane.

Kosova ka gëzuar gjithnjë mbështetje të gjerë në Shtetet e Bashkuara. Presidenti Bill Klinton drejtoi ndërhyrjen e NATO-s për të ndaluar gjenocidin e Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999. Presidenti George W. Bush koordinoi njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Por deri më tani, administrata Trump ka pasur shpesh një qasje të paqartë për të mbështetur Kosovën dhe Bolton duket të ketë qenë pjesë e kësaj strategjie.

John Bolton takon ministrin e Jashtëm serb Ivica Daçiç, Gazeta Si, 11 shtator 2019

Ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare të presidentit Trump është akuzuar shpesh se ka një paragjykim antishqiptar që minon sovranitetin e Kosovës, si dhe interesat e SHBA-së në rajon.

Për dekada të tëra, Bolton nuk e ka fshehur afrimitetin me Serbinë. Paragjykimi antishqiptar i Bolton daton që nga vitet 1990 kur ai quajti "ilegale" ndërhyrjen e Amerikës për të ndaluar gjenocidin ndaj shqiptarëve. Ndërkohë që ishte ambasador i SHBA-ve në OKB, ai mohoi vrasjen e më shumë se dhjetë mijë shqiptarëve të Kosovës dhe shpërnguljen me forcë të një milion kosovarëve në Shipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi. Sipas Bolton, SHBA-ja nuk kishte interes të mjaftueshëm për të marrë anën e shqiptarëve ose të serbëve.

Bolton vazhdoi të kundërshtojë njohjen e Kosovës në vitin 2008 dhe kritikoi të gjitha adminsitratat amerikane për ruajtjen e politikës "anti-serbe". "Unë mendoj se SHBA-ja do të bënte një gabim nëse e njohin Kosovën në mënyrë të njëanshme. E vetmja zgjidhje e arsyeshme do të rezultonte nga bisedimet midis serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Një zgjidhje e mundshme e imponuar mund të çojë në dhunë, e cila nuk është në interes të askujt”, deklaroi Bolton në një interviste me “Rusia Today” në vitin 2000, duke paralajmëruar se pavarësia e Kosovës do të rrisë rrezikun e paqëndrueshmërisë dhe do të inspironte ekstremistët islamikë nga e gjithë bota."

Askush nuk i kushtoi shumë vëmendje komenteve të Boltonit në të kaluarën, deri në momentin që ai u ngjit në Shtëpinë e Bardhë. Si Këshilltar i Sigurisë Kombëtare të presidentit Trump, Bolton mund të shkaktonte dëme të mëdha.

David L. Phillips, Gazeta Si, 11 shtator 2019

Profesori amerikan David l. Philips ka treguar së fundmi në një shkrim se Bolton reagoi ashpër pasi Kosova vendosi tarifën ndaj eksporteve serbe, duke e kërcënaur liderët e Kosovës në takimet dy-palëshe se ata nuk mund të veprojnë pa lejen e SHBA-ve.

“Ndërkohë që Bolton lobonte në Bruksel për korrigjimin kufijve, Serbia po luante një lojë të ndyrë duke bindur vendet që e njohin Kosovën të tërhiqeshin. Mungesa e diplomacisë efektive amerikane, bëri që Kosova mos të pranohej në INTERPOL”, shkruan profesori i Universitetit të Columbias. “Bolton thotë se ai është i paanshëm, por në të vërtetë favorizonte ndarjen e Kosovës. Ai premtoi një ceremoni madhëshore në Shtëpinë e Bardhë nëse Kosova i bindej presionit të huaj dhe binte dakort me ndryshimin e kufijve. Qasja e tij vjen si rezultat i pikëpamjeve antishqiptare që ka shfaqur gjatë dy dekadave të fundit. Kur bie fjala tek Kosova dhe Serbia, ai nuk e bën ndryshimin midis agresorit dhe viktimës”, thotë Philips.

Një kritik edhe më i madh i Bolton është Marti Ahtisaari, diplomat i klasit botëror që shërbeu si president i Finlandës dhe mori Cmimin Nobel për Paqen në vitin 2008 për punën e tij si i Dërguari Special i OKB-së për Kosovën. Sipas Ahtisaarit, pavarësia duhet të jetë rezultati i vetëm i bisedimeve Kosovë-Serbi.

"Treni është larguar nga stacioni dhe ne e dimë se ku do të arrijë”, shprehet ai. "Në të gjitha negociatat e mia, unë e dija që në fillim se cili do të ishte rezultati: pavarësia e Kosovës".

Ndërmjetësimi i Ahtisaari udhëhiqej nga tre parime: mos kthimi në status quo; asnjë ndarje e Kosovës dhe mosformimi i Shqipërisë së Madhe. Ai e kuptoi rëndësinë e Amerikës që në fillim të negociateve. "Udhëheqja e SHBA-ve ishte aq e qartë dhe e fortë sa fitoi mirënjohjen e përjetshme të shqiptarëve”, shprehet ai.

Por me largimin e tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se kanë hequr tanimë dorë nga skenari i ndryshimit të kufijve të Kosovës, duke ia lënë në dorë marrëveshjen e ardhshme Beograd-Prishtinë diplomatit amerikan Mathew Palmer.

Sipas një prej analistëve më të njohur serbë, Dusan Janjiç, shkëmbimi i territoreve është hedhur tanimë poshtë nga Administrata Trump.

John Bolton dhe Presidenti Donald Trump, Gazeta Si, 11 shtator, 2019

Gazetari, i cili është pjesë e disa paneleve ndërkombëtare dhe diskutimeve për arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se njerëzit e Trump kanë dalë aktualisht kundër këtij skenari.

Duke iu referuar qëndrimit të John Bolton, Janiç thotë se edhe vetë ish-këshilltari e kishte pranuar se e kishte të vështirë të biente në një mendje me pjesën tjetër të kabintetit tyë presidentit Trump për shkëmbimin e territoreve.

“Cili është plani i ri i Trump. Me sa e di unë, në konsultimet e fundit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ideja e ndryshimit të kufijve është hedhur poshtë, së paku tani për tani, pasi zyrtarët amerikanë nuk po bien dakord rreth këtij procesi”, ka theksuar ai duke folur në një emision televiziv në Serbi.

Sipas analistit, i cili është edhe drejtues i Forumit për Marrëdhëniet Ndëretnike, Trump do të kundërpërgjigjet ashpër nëse Serbia dhe Kosova nuk arrijnë një marrëveshje deri në shkurt.

“Pra, këtu bëhet fjalë për nevojat e Trumpit, që ai ta ketë situatën të qartë për Ballkanin kur të dalë para demokratëve në zgjedhjet e 2020-ës. Trumpit nuk i intereson se çfarë kanë nënshkruar Thaçi e Vuçiç. Dhe nëse nuk arrihet një marrëveshje deri në shkurt, ai do të ketë ndonjë përgjigje të fortë, siç ka bërë me Meksikën, brenda natës do të ketë sanksione edhe ndaj njërës edhe ndaj palës tjetër (Prishtinës dhe Beogradit)” ka theksuar ai.
Por a ka marrë fund ideja ndryshimit të kufijve? Sipas analistit serb Berlini dhe Parisi po në thelb marrëveshja po ndërtohet tani. “Ka ekipe që janë duke e bërë këtë, ka zyrtarë, OJQ dhe ministri. Në Gjermani ka një ekip në Bundestag që po harton marrëveshjen e ardhshme, sëbashku me një tjetër ekip në kabinetin e kancelares Merkel dhe një në Uashington. por fjalën e tyre duhet ta thonë edhe Thaçi dhe Vuçiç”, thotë analisti serb.

Ndërkohë, pas largimit të Bolton, Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engel bëri thirrje që Presidenti Donald Trump të emëronte sa më shpejt në vend të John Boltonit, një Këshilltar të ri Kombëtar të Sigurisë që respekton vlerat tradicionale amerikane.

“Presidenti duhet të caktojë menjëherë një zëvendës të kualifikuar, i cili respekton të drejtat e njeriut, mbështet diplomacinë dhe zhvillimin, si dhe që e kupton se aleancat dhe angazhimi janë shtylla të politikës së jashtme amerikane”, shkroi një nga mbështetësit më të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës në Twitter.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë