Politike

Shkarkimi i Bolton, festë në Kosovë, “zi” në Serbi

Shkarkimi i Këshilltarit të Sigurisë se Presidentit amerikan, Donald Trump, John Bolton, duket se ka shkarkuar një tërmet politik jo vetëm në Uashington, por edhe në Ballkanin Perëndimor.

Edhe pse vendimi i papritur i kreut të Shtëpisë së Bardhë nuk nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me rajonin, largimi i tij ka sjellë reagime të shumta në Prishtinë dhe Beograd.

Largimi i Bolton është ka shkaktuar një bum festimesh në rrjetet sociale në Kosovë, me shumë ekspertë që janë të bindur se presidenti Trump ka shkarkua zyrtarin e vetëm anti-shqiptar në kabinetit e tij. John Bolton njihet si kundërshtar i ashpër i ndërhyrjes ushtarake në Kosovë, e cila i dha fund gjenocidit ndaj shqiptarëve. Shumë shqiptarë e panë me dyshim ngjitjen në detyrë të ish-diplomatit John Bolton për shkak se kishte qenë një nga zërat e rrallë amerikanë që kishin folur publikisht kundër Kosovës.

Por në Beograd, largimi i tij është parë si humbje e madhe diplomatike për Serbinë. Gazeta serbe ‘Kurir’ shkruan se me shkarkimin e Bolton, Beogradi humbi kundërshtarin më të madh të pavarësisë së Kosovës.

John Bolton takon ministrin e Jashtëm serb Ivica Daçiç, Gazeta Si, 11 shtator 2019

“John Bolton, ish ambasadori amerikan në OKB, njihet si një kundërshtar i hapur i pavarësisë së Kosovës, duke venitur kështu shpresat e Serbisë për arritjen e një marrëveshjeje që do të ishte në favorin e saj”, shkruan gazeta serbe.

Por për të njëjtën arsye, ky lajm ka shkaktuar çlirim në mesin e medieve shqiptare. Gjatë qëndrimit prej një viti e gjysëm në detyrë, Bolton ka pasur disa takime me zyrtarë të lartë të Serbisë, duke bërë që shumë ekspertë në Prishtinë ta lidhnin me të, ndoshta gabimisht, skenarin e ndryshimit të kufijve të Kosovës, si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë, që do të sillte njohjen nga Beogradi.

Gazeta shqiptaro-amerikane “Iliria Press” sjell në vëmendje të gjitha deklaratat e Bolton kundër pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar largimin e tij si një ogur të mirë për shqiptarët.

“Dyshimet e shqiptarëve ndaj Boltonin u shtuan kur pas takimit të Këshilltarit me ministrin e Jashtëm Ivica Daçiç, ky i fundit deklaroi se Serbia nuk është kuptuar ndonjëherë më mirë në Uashington. Pavarësisht nga këto dyshime e besime, politika e jashtme amerikane gatuhet në Departamentin e Shtetit dhe jo nga Këshilltari i Sigurisë, kur binte fjala tek Kosova, Bolton duket se ushtronte pak ndikim mbi presidentin”, shkruan gazeta.

Megjithatë, pas largimit të tij, mbetet për t’u parë sesa ndikim ka pasur vërtet Bolton, apo nëse ka ndryshuar vërtet nga ardhja, e sidomos ikja e tij në qendrimet amerikane për marrëveshjen e ardhshme Kosovë-Serbi. Bolton, në disa raste, ka përsëritur se Shtëpia e Bardhë e mbështet fuqishëm arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve.
Në gusht të vitit 2018, Bolton ka thënë se SHBA nuk e përjashton as idenë e korrigjimeve territoriale, nëse Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje për një gjë të tillë.
“Çështja e arritjes së stabilitetit në Ballkan është shumë e rëndësishme për ne”, ka thënë asokohe Bolton.

Përse u shkarkua Bolton?

Shkak për shkarkimin e Bolton duket të jenë bërë mosmarrëveshjet e shumta lidhur çështje të sigurisë kombëtare, duke filluar nga Irani dhe Afganistani, e duke përfunduar me Venezuelën, apo Korenë e Veriut.

Trump kishte qenë për shumë vite kundërshtar i afrimit me Iranin dhe e shihte marrëveshjen gjashtëpalëshe për çështjen e armëve bërthamore si tepër favorizuese për Teheranin. Nën këshillën e Boltonit, ai deklaroi se SHBA nuk e njihte këtë marrëveshje. Po ai nuk gjeti përkrahje as nga vendet e BE-së e as nga Rusia e cila ka marrëdhënie shumë të mira me Iranin. Teherani është gjithashtu shumë i përfshirë në konfliktin e Sirisë.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe këshilltari i shkarkuar John Bolton. Gazeta Si, 11 shtator 2019

Një sinjal padyshim do të ketë qenë pranimi nga Presidenti Trump i një nisme franceze për rivendosjen e një dialogu mes SHBA-së dhe Iranit. Po ashtu për herë të parë është lënë hapësirë për një takim të mundshëm të Presidentit Trump dhe homologut iranian, Hassan Rouhani. Bolton ka udhëtuar në Shqipëri për t’u takuar me një grup të qëndresës së armatosur kundër regjimit fetar në Iran. Me zgjedhjen e tij rëndësia e këtyre muxhahedinëve që ka pranuar të strehojë Shqipëria ishte rritur shumë.

Bolton ishte radikal edhe ndaj Koresë së Veriut, duke besuar se vetëm linja e fortë e kërcënimeve dhe e përplasjes funksionon me diktatorë si Kim, Putin, apo Ajatollahët. Orvajtja e Presidentit Trump për të vendosur linja komunikimi dhe për të arritur marrëveshje historike me këto vende kundërshtare kanë dobësuar pozitën e tij. Përjashtimi duhej se do të ishte Irani, një temë shumë për zemër e Këshilltarit Bolton.

Në deklaratat e tyre dukej një dallim i madh. Ndërsa Trump takohej me Kim, Putinin dhe së fundi hapi rrugën e bisedimeve me Iranin, Bolton ka treguar rregullisht mosbesim të hapur.

Një tjetër temë që mund të ketë ndikuar në largimin e Boltonit është Venezuela, ku ai përdori linjën e fortë duke mbështetur tërësisht opozitën në Venezuelë, kundër diktatorit Maduro që mbështetej nga Rusia. Sipas medias amerikane, Trump kishte besuar në një fitore të lehtë e të shpejtë të opozitës, po në fund, diktatura mbeti në këmbë.

Një tjetër dështim ishte anulimi në momentin e fundit të një takimi sekret me Talibanët në Kampin presidencial Davis, në SHBA, ku do të vendosej paqja mes tyre dhe qeverisë në Kabul dhe SHBA do të fillonte më në fund tërheqjen e plotë prej nga ky vendi ku kishte ndërhyrë pas 11 Shtatorit 2001.

Në fund, dallimet u bënë më të forta se besimi i Presidentit Trump ndaj Këshilltari i tij të Sigurisë.

Më Shumë