Muzike

A i urren Opera gratë?

Nga klisheja e tejshkuar e “zonja e shëndoshë këndon”, tek dhuna e hapur seksuale, e përhapur deri në skenë, bota e operas nuk ka qenë gjithmonë vend i rehatshëm për të qenë grua. Vitin që vjen, kjo mendohet të ndryshojë, ndërsa Opera Mbretërore e Londrës po punon për t’i dhënë fund stereotipit mizogjin për një brez të ri, me debatin publik “A i urren opera gratë?” Opera Mbretërore, e cila është kritikuar fort mbi mënyrën sesi i trajton gratë, është zotuar të drejtojë rrugën për ta bërë shprehjen e artit të përshtatshëm me të ardhmen, me një seri debatesh rreth mizogjinisë në skenë. Ndërsa premtojnë të ruajnë “kanunet historike”, stafi është dukur i zellshëm në përfshirjen e regjisoreve dhe ekipe krijuese femërorë, për të pasur një “perspektivë të re”, mbi klasikët, si edhe prodhimin e veprave më bashkëkohore, të përshtatshme për shekullin e 21-të. Nga janari, do të nisë një seri ngjarjesh nën programin “Insight”, me synimin për të prekur çështjet e vështira, me të cilat përballet kjo industri në epokën e #MeToo. Një nga diskutimet, drejtuar kryesisht të rinjve, do të ngrejë pyetjen “A i urren opera gratë?” me premtimin për të hedhur pikëpyetje serioze: A janë heroinat e operas thjesht viktima të mizogjinisë apo të kremtuara në historitë e fuqishme, që i vendosin ato në qendër të skenës? A u ofron opera kompozitoreve ferma, regjisoreve dhe këngëtareve mundësi unike për të shkëlqyer? Dhe ç’ka rezervuar e ardhmja për gratë në opera?

Il trovatore në Operan Mbretërore të Londrës
Opera "Rigoletto"

Më 2015-ën, kompania e gjeti veten në qendër të një debati rreth mizogjinisë në opera, pas një produksioni të Vilhelm Telit, kur një personazh femëror zhvishej me dhunë dhe turpërohej seksualisht, si pjesë e skenarit. Të tjera opera klasike të vëna në skenë në botë, i shfaqin gratë të përdhunohen, gjymtohen, martohen me dhunë, të vrara dhe shpesh, duke vrarë veten për dashuri. Sarah Crabtree, producente krijuese në Operan Mbretërore, ka thënë se ristrukturimi i sheshit të Convent Garden, me synimin e shpejtë për ta bërë publikun e ri të ndihet i mirëseardhur, ishte “mundësia e përsosur për të rikonceptuar, rifreskuar dhe ripërcaktuar shumë nga ato ç’ka po bëjmë. Mendoj se e dimë se opera, në veçanti, ka pasur marrëdhënie të vështirë me gratë dhe gjininë dhe ka qenë për një kohë shumë të gjatë, mizogjine”, ka thënë ajo. “Në vend tëpretendojmë se nuk po ndodh, mendoj se duam të nisim një bashkëbisedim dhe të adresojmë ato çështje historike. Është shumë e vështirë, sepse ka shumë pjesë në të.

Opera Carmen, produksion i 2008-ës.

“Jemi rojtarë të këtij kanuni historik, të cilin duam ta ruajmë, ta mbështesim dhe zhvillojmë, por në të njëjtën kohë, kemi një detyrë të vendosim lentet bashkëkohëse në atë vepër dhe të shohim specifikisht se çfarë duam të bëjmë në të ardhmen.” Në veçanti, thotë ajo, Opera Mbretërore, po kërkon më shumë krijuese gra për të ndërtuar dhe zhvilluar produksione, duke i dhënë formë kështu një narrative për brezin e ri, për të cilin kjo problematikë është “urgjente”. “Problemi që kemi është se ka shumë pak role modele: historikisht jo shumë vepra të porositura, nga një perspektivë femërore apo nga ekipe krijuese të përbëra nga femra”, ka thënë ajo. “Kemi nisur të bëjmë përparime me ekuilibrin gjinor, por kemi ende shumë rrugë për të bërë, që të shkojmë në të gjithë sektorin. Nuk është problem vetëm i Operas Mbretërore dhe as nuk mund të jetë zgjidhje vetëm e Operas Mbretërore, nëse duam të krijojmë një model për të ardhmen dhe të sigurohemi se në 20, 30 apo 40 vjet më pas, nuk do të kemi të njëjtin diskutim.”

Rigoletto në Operan Mbretërore të Londrës.
Opera Vilhelm Teli

E pyetur, nëse opera apo skena të veçanta, do ta kishin të vështirë vënien në skenë në dritën e këtyre diskutimeve, ajo thotë se nuk bëhet fjalë për të ndryshuar klasikët, por “gjetjen e një perspektive të re për t’i dhënë udhë sfidës”, sesi janë vendosur në skenë më parë. Përveç diskutimit “A i urren opera gratë” , pranvera do të shohë gjithashtu evente të veçanta, dedikuar “Grave në opera”, “Super Grave të Operas Mbretërore” dhe “Skandal dhe Joshje – Prezantim i Operas Kontroverse të Verdit”. Në korrik të 2019-ës, diskutimi do të kulmojë me “Engender”, një festival në fundjavë i fokusuar tek talenti femëror. Opera tani i bashkohet industrive të tjera krijuese në reflektimin publik të rolit të grave në epokën pas Lëvizjes Me Too, duke ndjekur filmin, televizionin dhe teatrin, me premtimin e trajtimit të çështjes. “Për mua, personalisht, mendoj se jemi në një vend shumë ngacmues”, ka thënë Crabtree. “Këto diskutime kanë nisur dhe po rriten duke fituar mbështetje. Ndihet si një erë ndryshimi në mënyrën sesi po e mendojmë dhe llojet e pyetjeve që po i bëjmë vetes, rreth llojit të veprës që duam të paraqesim. Edhe pse nuk e vë në dyshim se ka diskutime të tjera më të vështira për t’u ngritur dhe, është me rëndësi të sigurohemi se nuk është imitues. Mendoj se diskutimi ka nisur. Jam e emocionuar rreth potencialit për të ardhmen.” *Hannah Furness/ The Telegraph.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë