Editoriali i hapur i New York Times, që për autorësi kishte një “zyrtar të lartë të Shtëpisë së Bardhë”, emrin e të cilit media prestigjoze amerikane refuzon ta bëjë publik, ka nxitur rrjetet sociale që të hamendësojnë dhe hulumtojnë se kush mund të jetë ky zyrtar misterioz.
Emrat e lakuar, sidomos në Twitter janë të shumtë, por numrin më të madh e ka zv.presidenti, Mike Pence. Komentuesit e lidhin bindjen e tyre me një fjalë të vetme të përdorur në editorialin që fshikullonte ashpër Donald Trump, si të papërshtatshëm dhe të paqëndrueshëm mendërisht për të drejtuar Shtetet e Bashkuara.
Fjala është “Lodestar”, që e shqipëruar do të thotë “ylli prijës, yll orientues, yll polar, pra një shembull për t’u ndjekur”. Me këtë term, autori i shkrimit kujton senatorin e ndjerë, John McCain dhe punën e tij “të palodhshme duke qenë një “lodestar” e shembull për t’u ndjekur për amerikanët”.
Kureshtarët kanë hapur arkivat dhe kanë vënë re që i vetmi nga administrata e Donald Trump që e përdor dendur këtë term është pikërisht krahu i tij i djahtë, zv.presidenti Mike Pence. Në Twitter qarkullon një video përmbledhëse e disa fjalimeve të Pence ndër vite, në të cilat haset “lodestar”.
"lodestar" (h/t @danbl00m) pic.twitter.com/SqKFlBTR0f
— David Mack (@davidmackau) September 5, 2018
Po në këtë rrjet social, hashtagu “Lodestar” është shndërruar në viral edhe pse për një pjesë të mirë të publikut amerikan e atij botëror kjo teori ngjason më shumë me një teori konspirative sesa e vërtetë.
Producenti Dan Bloom sheh tre fije që e lidhin Mike Pence me shkrimin në fjalë. Së pari, ai thotë është termi “lodestar”, së dyti është njohja e tij me John McCain dhe së treti vetë termi, mendon ai, është i pazakontë, aq më tepër për një editorial që shpërndahet për masat.
“Kështu, kërkova për John Kelly (shefi i Shtabit të Shtëpisë së Bardhë) dhe James Mattis (Sekretari i Mbrojtjes së SHBA) nëse e kanë përdorur termin “Lodestar” në fjalimet e tyre. Asgjë, por gjeta këtë (Mike Pence)”, shkruan ai.
Bloom shkruan se zv.Presidenti Pence ka një marrëdhënie të ngushtë me “lodestar”, të cilën vetëm përgjatë 2017 e ka përdorur të paktën në gjashtë fjalime publike. Po ashtu, producenti thotë se në fjalorin e Pence, ky term daton të paktën prej vitit 2001.
Në editorialin e gjatë, Donald Trump kritikohet si i paaftë dhe një President që po përçan SHBA dhe që po i prish asaj imazhin ndërkombëtar si vend udhëheqës i demokracisë.
New York Times thotë se vetë është në dijeni të autorit, por nuk mund të publikojë identitetin e tij për shkak se do të minonte detyrën që ai mban në administratën e Donald Trump, detyrë që sipas kësaj medie, është “e një zyrtari të lartë”.
Vetë zyra e Mike Pence mohoi këto hamendësime. “Të tilla akte nuk janë në nivelin e detyrës dhe zyrës sonë”, thuhet në reagim.
Megjithatë, Shtëpia e Bardhë nuk përjashton mundësinë që autori të jetë një prej personave të afërt me zv.Presidentin Mike Pence, që ka luajtur bukur me termin “lodestar”.
Vetë Donald Trump e cilësoi disa ditë më parë editorialin si trillim të New York Times dhe kërkoi me forcë prej gazetës që të publikojë emrin e autorit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.