Mendim

A është ky momenti i duhur për të pasur pasaporta vaksinimi?

Nga Ranvir S. Nayar* - Komisioni Evropian ka njoftuar në internet një platformë të unifikuar, që do t’i lejojë shtetet anëtare të lëshojnë një certifikatë të përbashkët shëndetësore. Ideja është pasja e një sistem të përbashkët për verifikimin e statusit të banorëve të BE-së në raport me sëmundjen e koronavirus (COVID-19). Aty do të përfshihet një përditësim i statusit të vaksinimit, një test i fundit negativ apo një provë e shërimit nga virusi. Këto të dhënat do të paraqiten nga të gjithë ata do të kalojnë kufijtë brenda bllokut,dhe do të ndihmojnë për t’i bërë udhëtimet më të sigurta. Një pjesë e vendeve të tjera jashtë Bashkimi Evropian, sidomos Britania e Madhe dhe një pjesë e SHBA-së, kanë luajtur me idenë e lëshimit të pasaportave të vaksinave, për t’i lejuar njerëzit të kalojnë kufijtë dhe madje të udhëtojnë brenda një vendi, si dhe për të përfituar nga shërbime të caktuara apo për të hyrë në disa institucione. Diskutimi mbi pasaportat e vaksinave ka nisur prej disa muajsh.
Komisioni tha se 7 vende i ishin bashkuar tashmë platformës dhe mund të fillonin menjëherë lëshimin e të ashtuquajturave “pasaportat e vaksinave”. Deri më tani 10 nga 27 vendet anëtare të BE-së, kanë rënë dakord që t’i bashkohen skemës, e cila pritet të jetë plotësisht efektive nga data 1 korrik, pikërisht në kohë për fillimin e sezonit të pushimeve verore, ndërsa vendet anëtare të BE-së po përpiqen që të ringjallin industritë e tyre të turizmit, të goditura rëndë nga pandemia.

Ka shumë kundërshtime mbi lëshimin dhe përdorimin e këtyre pasaportave ose certifikatave dixhitale. Që në muajin shkurt, Organizata Botërore e Shëndetësisë u shpreh kundër përdorimit të tyre për disa arsye. OBSH theksoi se qeveritë nuk duhet të vendosin kriterin e provës së vaksinimit ndaj Covid-19 për udhëtime ndërkombëtare, duke përmendur “të panjohurat e mëdha në lidhje me efikasitetin e vaksinimit në zvogëlimin e transmetimit të virusit. Meqë nuk dihet ende plotësisht nëse një person i vaksinuar mund ose nuk mund ta transmetojë virusin, lejimi i udhëtimit lirshëm të atyre që janë vaksinuar është një veprim i rrezikshëm. Ky duhet të jetë një nga shqetësimet më të mëdha të qeverive dhe sektorëve të kujdesit shëndetësor, të cilat janë përsëritur vazhdimisht nga valët e njëpasnjëshme të pandemisë, secila më e madhe se sa e fundit, dhe secila që kap në befasi qeveritë, njerëzit dhe sistemet shëndetësore. Sfida tjetër dhe shumë më serioze, është se pasaportat e vaksinave injorojnë jo vetëm pabarazinë e madhe në qasjen ndaj vaksinave që ekziston tashmë në botë, por ato madje mund të vazhdojnë që ta rrisin ndjeshëm atë. OBSH, si dhe dhjetëra organizata joqeveritare, kanë ngritur alarmin se sa shumë e pabarabartë ka qenë deri më tani qasja tek vaksina,pasi disa vende të pasura dhe të zhvilluara kanë përvetësuar pjesën më të madhe të tregut, duke lënë vendet e varfra të presin në radhë të gjata për të marrë dozat e tyre.

Megjithëse OBSH-ja ka bashkëpunuar me disa vende për të filluar një program vaksinimi për vendet më të varfra, ai po ecën shumë ngadaltë dhe nuk ka shumë fonde. Për pasojë, ndërsa SHBA-ja, Britania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë vaksinuar më shumë se gjysmën e popullsisë së tyre, shumë vende të tjera sapo kanë filluar programet e tyre të vaksinimit. Për më tepër, shumica e kombeve të pasura, veçanërisht Mbretëria e Bashkuar, po diskutojnë tashmë t’u japin çdo vit qytetarët e tyre doza përforcuese, derisa të ketë qartësi mbi efikasitetin afatgjatë të vaksinave. Kjo do të përkthehet në mungesa të vaksinave për të paktën edhe disa vjet, derisa të krijohet kapaciteti i duhur prodhues për të përballuar kërkesën globale.
Kjo do të godiste sërish vendet e varfra, duke i mbajtur ato të privuara për shumë më gjatë nga vaksinat jetë-shpëtuese. OBSH ka shprehur gjithashtu shqetësimin e saj për këtë çështje, duke thënë se në funksion të disponueshmërisë së kufizuar të vaksinave, vaksinimi preferencial i udhëtarëve mund të rezultojë në furnizime jo të duhura për popullatat prioritare të konsideruara si më të rrezikuara nga forma e rëndë e Covid-19.

*Ranvir S. Nayar menaxher i Media India Group, një platformë globale e cila përfshin botimin, komunikimin dhe shërbimet e konsultimit me bazë në Evropë dhe Indi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë