Treg

A është ky fundi i kriptove?

Rënia nga qielli ishte e shpejtë dhe e rëndë. Vetëm dy javë më parë, Sam Bankman-Fried ishte në stratosferë. FTX, platforma e tij e kriptomonedhave, e treta më e madhja, vlerësohej me 32 mld dollarë; pasuria e tij, 16 mld dollarë. Për “aventurierët e kapitalit”, ai ishte një gjeni financiare që mund të habiste investitorët ndërkohë që luante lojëra, i destinuar për t’u bërë ndoshta trilioneri i parë në botë.

Për Uashingtonin, ai ishte fytyra e pranuar e kriptos, komunikimi me ligjbërësit dhe përpjekjet e financimit për të ndikuar në rregullimin e tij.

Sot nuk ka ngel asgjë përveç se 1mln kreditorë të acaruar, dhjetëra firma kriptosh të luhatura dhe një përhapje e hetimeve rregullatore dhe penale. Shpërthimi me shpejtësi të lartë i FTX i ka dhënë një goditje katastrofike një industrie me një histori dështimesh dhe skandalesh. Asnjëherë më parë kriptomonedhat nuk janë dukur kaq kriminale, të kota dhe të padobishme.

Sa më shumë detaje dalin nga FTX, aq më shokuese bëhet përralla. Platforma thoshte më parë se asnjë nga asetet e klientëve nuk do të vendosej si aset i tregtueshëm.

Ashtu si në fundin e çdo manie, pyetja është nëse kripto do të jetë më e dobishme për ndonjë gjë tjetër, përveç spekulimeve dhe vjedhjeve. Premtimi qe për një teknologji që do ta bënte bashkëpunimin financiare më të shpejtë, më të lirë dhe më eficiente.

Çdo skandal i ri që shpërthen e bën më të mundshëm që inovatorët e vërtetë të tremben dhe industria të zvogëlohet. Megjithatë, mbetet një shans, megjithëse është në rënie, që një ditë të shfaqet e qëndrueshme. Ndërsa kriptomonedha bie në Tokë, kjo mundësi e vogël duhet të mbahet gjallë.

Përpos rënies së javës së shkuar, duhet të mbahet mend potenciali i teknologjisë në këtë fushë. Bankat konvencionale kërkojnë një infrastrukturë të gjerë që të mbajnë të lidhur besimin midis të huajve. Kjo është e shtrenjtë. Në të kundërt, blloqet publike janë ndërtuar në një rrjet kompjuterash, duke i bërë transaksionet e tyre transparente dhe, në teori, të besueshme. Funksionet e ndërveprueshme, me burim të hapur mund të ndërtohen në krye të tyre, duke përfshirë kontrata inteligjente vetë-ekzekutuese që garantohen të funksionojnë siç janë shkruar. Një sistem argumentesh dhe rregulla që i përcaktojnë ato, mund të ofrojnë kolektivisht një mënyrë të zgjuar për të nxitur kontribuesit me burim të hapur. Dhe aranzhimet që do të ishin të shtrenjta ose jopraktike për t'u zbatuar në botën reale bëhen të mundshme, duke i lejuar dhe konsumatorët të mbajnë për vete një pjesë të fitimit.

Zhgënjimi është se, 14 vite pas shpikjes së blockchain-it të Bitcoin, pak nga ky premtim është realizuar.

Simpatia e kriptove tërhoqi talentin nga të diplomuarit e zgjuar te profesionistët e Wall Street-it, dhe kapitalin nga firmat VC, fondet e pasurisë sovrane dhe pensionet. Sasi të mëdha parash, kohe, talenti dhe energjie janë përdorur për të ndërtuar sa shumë kazino virtuale. Ekzistojnë versione efikase dhe të decentralizuara të funksioneve kryesore financiare, të tilla si shkëmbimet valutore dhe kreditimi. Por shumë konsumatorë, të frikësuar se mos humbasin paratë e tyre, nuk u besojnë atyre. Në vend të kësaj, ato përdoren për të spekuluar mbi argumentet e paqëndrueshme. Pastruesit e parave, shmangësit e sanksioneve dhe mashtruesit janë të shumtë.

Duke u përballur me këto, një skeptik mund të thotë se tani është koha që ndodhin rregullimet. Por në një shoqëri kapitaliste duhet t’i lejojë investitorët që të ndërmarrin rreziqe duke ditur se do të kenë humbje nëse bastet e tyre shkojnë keq.

Edhe pse kripto ka shpërthyer, përhapjet në sistemin më të gjerë financiar kanë qenë të menaxhueshme. Të gjithë kanë humbur para, por asnjë në mënyrë katastrofike.

Mbi të gjitha, skeptikët duhet të dinë se askush nuk i parashikon cilat risi do të jenë të frytshme dhe cilat jo. Njerëzit duhet të jenë të lirë t’i përkushtojnë kohën dhe paratë  e tyre, në energjinë nukleare, raketa, metaverse apo çdo lloj teknologjie tjetër që ndoshta nuk rezulton aq e mirë. Kripto nuk është më ndryshe. Më zhvillimin e ekonomisë virtuale, aplikacione të dobishme të decentralizuara mund të shfaqen ende, kush e di? Teknologjia themelore vazhdon të përmirësohet. Një përmirësim në blockchain e Ethereum në shtator uli rrënjësisht konsumin e tij të energjisë, duke i hapur rrugën atij për të trajtuar me efikasitet vëllime të larta të transaksioneve.

Në vend që të “mbi-rregullojnë” apo të dënojnë kriptot, rregullatorët duhet të drejtohen nga dy principe. Njëra është që të sigurohet që vjedhja dhe mashtrimi minimizohen, si në çdo aktivitet financiar. Tjetra është të mbajnë sistemin financiar tradicional të izoluar nga dëmet e mëtejshme të kriptove. Ndonëse blockchains janë ndërtuara pikërisht për t’i shpëtuar rregullatorëve, këto parime synojnë rregullimin e institucioneve që veprojnë si portierë për kriptosferën. Të kërkuarit platformave të këmbimit të mbështesin depozitat e konsumatorëve me asete është një hap i domosdoshëm.

Hapi i dytë janë rregullat e zbulimit që tregojnë nëse, të themi, një hua gjigante dhe e kolateralizuar në mënyrë të dyshimtë është dhënë në krahun tregtar të bursës. Monedhat e qëndrueshme, të cilat synojnë të mbajnë vlerën e tyre në monedhën e botës reale, duhet të rregullohen sikur të ishin instrumente pagese në banka.

Sa më shumë skandale pasojnë, aq më shumë përlyhet e gjithë ndërmarrja dhe aspiratat e saj. Joshja e inovacionit nuk do të thotë asgjë nëse investitorët dhe përdoruesit kanë frikë se paratë e tyre do të zhduken në ajër. Që kripto të ngrihet përsëri, duhet të gjejë një përdorim të vlefshëm që lë pas dredhitë. /TheEconomist


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë