Shendet

A është e vërtetë që të gjithë duhet të marrim kreatinë?

Nga Gazeta ‘Si’– Dikur përdorej kryesisht nga bodybuilder-at dhe sprinterët, por sot kreatina po promovohet si diçka që ndihmon jo vetëm performancën fizike, por edhe trurin dhe plakjen e shëndetshme. Por a duhet ta marrim të gjithë? Jo domosdoshmërisht.

“Ka prova mjaft të forta që kreatina është efektive,” thotë Bethan Crouse, nutricioniste sportive në Loughborough University.

“Nga këndvështrimi sportiv, është një nga suplementet më të studiuara dhe që ka ndikim real në performancë.”

Kreatina ndihmon trupin të prodhojë energji më me efikasitet gjatë aktiviteteve të shkurtra dhe intensive. Ajo mbështet prodhimin e ATP-së, e njohur si “monedha energjetike” e trupit. Rezultati është më shumë fuqi shpërthyese dhe aftësi më e mirë për të përballuar ushtrime të përsëritura me intensitet të lartë, si sprintet.

Së fundmi, vëmendja ndaj kreatinës ka kaluar edhe përtej palestrës. Studimet e para sugjerojnë se ajo mund të ketë rol edhe në funksionin njohës të trurit, madje disa kërkime tregojnë se mund të ndihmojë në mbrojtjen nga rënia njohëse me kalimin e moshës.

“Disa studime më të mëdha e kanë sjellë këtë temë në fokus,” thotë Crouse. “Me plakjen e popullsisë, ka interes për çdo gjë që mund të ndihmojë shëndetin e trurit.”

Megjithatë, ajo thekson se kërkimet për përfitimet e kreatinës në tru janë ende në zhvillim.

“Të thuash se ‘çdokush duhet të marrë kreatinë’ është ende e tepruar,” shprehet ajo. “Nëse je serioz me sportin, ose ke një regjim ushqimor shumë të mirë dhe kërkon të përmirësosh performancën, atëherë ia vlen ta konsiderosh. Por për popullsinë e përgjithshme nuk është një domosdoshmëri.”

Kjo edhe sepse ekzistojnë mënyra më të provuara dhe më të lira për të mbështetur shëndetin fizik dhe atë mendor. Peshqit e yndyrshëm si salmoni lidhen vazhdimisht me shëndet më të mirë të trurit, ashtu si edhe burimet bimore si farat e lirit dhe farat chia.

Për shumicën e njerëzve, kreatina mbetet një shtesë opsionale, jo një nevojë thelbësore./ The Guardian


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë