Ekonomi

A e ka fajin “Doing Business” për ekonominë e përkeqësuar?

Sabina Veizaj - Raporti i Bankës Botërore “Doing Business 2020”, do ta rendiste dje Shqipërinë në vendin e 82-të mes 190 vendeve të botës. Me një rënie prej 19 vendesh nga viti i kaluar.

Duhet thënë se në 6 vitet e fundit Shqipëria nuk ka pasur një renditje të qëndrueshme në këtë raport, i cili analizon disa tregues të ekonomisë që lidhen me të bërit binzes.
Por me rënie performance në të bërit biznes kanë rezultuar edhe vendet e rajonit, përveç Serbisë dhe Malit të zi, të cilët repektivisht; Serbia është përmirësuar me 4 vende, kurse Mali i zi cili gjendet në vendin e 50 si për këtë vit, ashtu edhe vitin e kaluar.
Në renditjen e “Doing Business 2020” Maqedonia e Veriut ka humbur 7 vende nga viti i kaluar, Kosova 13, Bosnje dhe Herzegovina 1.

Dy vendet e para të listës, ashtu si vitin e kaluar e mbajnë respektivisht Zelanda e Re dhe Singapori, kurse të tretin dhe të katërtin Danimarka dhe Hong Kongu.

Edhe Italia ka rënie të performancës së të bërit biznes, duke rënë me 7 vende nga një vit më parë.

Por Ministrja e Ekonomisë Anila Denaj do ta justifikonte renditjen e djeshme të Shqipërisë me ndryshimet e metodologjisë.

Anila Denaj, Ministre për Ekonominë dhe Financat

Ndryshimet e metodologjisë të lehta, do të sqaronte ajo, që kanë ndikuar veçanërisht në renditjen e indikatorit “Mbrojtja e Aksionerëve Minoritare” e kanë pozicionuar Shqipërinë në vendin e 111 në renditje, pavarësisht mungesës së ndonjë regresi. Konkretisht, ky indikator ndikohet nga fakti që Shqipëria nuk ka mbi 10 kompani të listuara në tregun e letrave me vlerë dhe merr 0 pikë, pavarësisht se ka një bursë operacionale në treg.

Indikator në rënie me impakt negativ është marrja e lejes së ndërtimit, që sipas Denajt, ku metodologjia e ndryshuar nuk konsideron si prioritare faktin që Shqipëria zbaton një proces online të marrjes së lejes së ndërtimit dhe shkurtim efektiv të kohës në marrjen e lejes.
“Por pesha më e madhe në këtë indikator i është dhënë rritjes së kostos si pasojë e rritjes së taksës në infrastrukturë për pushtetin vendor. Ky ndryshim ndikon”, do të shpjegonte ministrja.

Por Arben Shkodra nga Dhoma e Prodhuesëve shkon përtej këtij diskutimi. Shkodra mendon se raporti “Doing Business” është një çështje periferike për debat. Fokusi për të, duhet të jetë agravimi real i ekonomisë së vendit.

Ai sqaron për Gazetën “Si” se asnjë biznes nuk është pyetur në Shqipëri për të hartuar raportin “Doing Business”.

Arben Shkodra, Dhoma e Prodhuesëve

“Ky raport hartohet nga ekspertë, studiues, freelancers që nuk e njohin dhe nuk e prekin gjendjen reale të biznesit shqiptar”, thotë Shkodra.

Ai merr si shembull treguesin e aksesit në energji, që sipas “Doing Business 2020” ishte përmirësuar krahasuar me një vit më parë. Por ndërkohë - sqaron Shkodra për Gazetën “Si” - turizmi ka vuajtur tmerrësisht nga ndërprerja e energjisë elektrike, po ashtu edhe nga energjia me cilësi.

Po ashtu edhe prodhuesit kanë vuajtur dhe vazhdojnë të vuajnë - sipas Shkodrës - për energji elektrike, kundrarrymë që ka shkaktuar prishjen e shumë pajisjeve, etj.
Çdo vend i Ballkanit, thotë ai, ka specifikën e vetë e kësisoj për çdo vend duhen marrë parasysh tregues sipas kontekstit të secilit vend.

“Por Banka Botërore treguesit i mat për të gjithë globin. Ne duhet ta marrim raportin e të ballafaqohemi. Raporti është thjesht një hapësirë, ekonomia jonë është përkeqësuar shumë dhe kjo vjen nga shtesa rastësore që pati ekonomia nga shtimi i reshjeve e rrjedhimisht edhe energjisë elektrike. Po ashtu edhe të mineraleve të papërpunuar që këtë vit nuk mund të jenë në bursë”, sqaron Shkodra. “Nuk ka rritje të bizneseve, ata nuk janë aspak entuziastë, druhen të investojnë, paguajnë më shumë kosto se sa taksa. Në fund të vitit për procedura, tarifa, kontrabandë, korrupsion, rezulton që këto kosto peshojnë më rëndë se sa taksat”, thotë ai.

Ajo që e zgjidh situatën - sipas Shkodrës - është procesi i derregullimit që si rrjedhojë do të bëjë që biznesi të jetë autonom në aspekt me varësinë ndaj shtetit për burokracira.
Ekonomia e Shqiprisë është parashikuar me ulje për 2019-ën nga FMN, Banka Botërore dhe Standard & Poor’s.

Të dhënat e INSTAT tregojnë për rënie të eksporteve, largim të turistëve të atyre kombësive që prej vitesh përbënin prurjet e qëndrueshme për turizëm në vend. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë po ashtu se familjet shqiptare marrin kredi për t'u ushqyer dhe 70% e pagës së shqiptarëve shkon po për ushqim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë