Ne rrjet

A duhet t’i besojë Italia këtij njeriu?

I veshur me një këmishë jeshile, këpucë sportive dhe një bluzë të hedhur krahëve, Matteo Salvini mbaroi së piri cigaren dhe iu bashkua truprojave dhe ndihmësve të tij. Politikanët në Itali priren të vishen me kostum në pothuajse të gjitha daljet publike, në mënyrë që të dallohen nga pjesa tjetër e mbështetësve, por ky nuk është rasti i tij.

"Pse jeni kundër emigrantëve?", e pyeta kur sapo mbaroi cigaren.

"Unë jam kundër emigrantëve të paligjshëm- më korrigjoi- Shumë prej tyre janë të rrezikshme për Italinë dhe Europën".

Fjalët e tij duket se u mbështetën gjerësisht nga elektorati. Partia e Salvinit doli më mirë se sa pritej në votime. Në qershor, ai u emërua zëvendëskryeministër dhe ministër i brendshëm i qeverisë së koalicionit me lëvizjen populiste Pesë Yjet. Dy partitë zgjodhën si kryeministër Giuseppe Conten, një profesor të panjohur për publikun. Ndërkohë, Salvini përfundoi duke u bërë figura më e fuqishme në qeveri.

Ky është kulmi i karrierës së tij politike, të cilën e filloi kur ishte adoleshent. Ai hyri në politikë si një separatist i krahut të majtë, për t’u shndërruar më pas në zëdhënësin kryesor të nacionalistëve italinë. Salvini u bashkua me Lega Nord duke kërkuar pavarësinë e disa rajoneve nga qeveria italiane. Ai argumentonte në atë kohë se Veriu po mbante përgjegjësi ekonomike për të gjithë Jugun e prapambetur të Italisë, duke i akuzuar banorët e këtij rajoni si të pistë dhe dembelë. Alessandro Morellli, miku i ngushtë i Salvinit, është tanimë një nga anëtarët më të rëndësishëm të Lega Nord në Parlamentin italian.

"Ne përfshiheshim gjithmonë në politikat bazë- thotë ai- Ishim gjithmonë pranë njerëzve, madje edhe kur ata nuk i përkisnin krahut tonë politik.” Në vitin 1993, në moshën 20 vjeçare, Salvini u zgjodh si përfaqësues në këshillin e qytetit të Milanos. Gjashtë vjet më vonë, ai nuk pranoi t’i shtrëngonte dorën Presidentit italian, Carlo Azeglio Ciampi.

"Jo faleminderit- i tha duke e parë në sy- Ti nuk më përfaqëson."

fabrizia ieluzzi dhe Salvini 

Retorikat anti-jugore të Salvinit shkatërruan madje edhe martesën e tij me Fabrizia ieluzzin, e cila është me origjinë nga Puglia. Çifti u divorcua mes zhurmës dhe debateve në vitin 2010. Salvini vazhdoi të shërbente si anëtar i Parlamentit Europian, por nuk donte ta kalonte jetën si një politikan i thjeshtë. Duke parë se shkëputja e Veriut nga Italia nuk kishte gjasa të ndodhte, Salvini kuptoi se duhet ta shndërronte Lega Nord në një parti kombëtare. Në vitin 2013 , ai fitoi lidershipin e saj dhe vendosi se armiku kryesor nuk do të ishte më shteti italian, por Bashkimi Europian."Kuptuam se armiku nuk ishte vetëm Roma, por edhe Brukseli- thotë Morelli-  BE-ja ishte në të vërtetë armiku ynë politik".

Salvini dhe emigrantët

Salvini hoqi e ktheu partinë e tij në një lëvizje kombëtare, por në thelb, ruajti politikat populiste të partisë, duke piketuar gjithnjë një armik që “kërcënonte” popullin. Përveç Europës, ai identifikoi një kërcënim të dytë: emigracionin. Që nga viti 2014, më shumë se 640,000 emigrantë kanë zbarkuar në brigjet e Italisë. Disa prej tyre janë nisur drejt vendeve të tjera europiane, por shumica qëndruan.

"Ai është një kameleon, një politikan që ndryshon ngjyrën dhe formën sipas momentit politik- thotë Matteo Puçiarelli, autori i librit “Historia e vërtetë e Matteo Salvinit”- Sot ai luan rolin e sherifit të krahut të djathtë. Por, duke e njohur personalisht, e di se kjo nuk është natyra e tij e vërtetë. Disa nga gjërat që ai thotë në publik janë shqetësuese dhe të frikshme, por ana njerëzore e Salvinit është ndryshe.”

Ndër të tjera, Salvini ka deklaruar se emigracioni i organizuar synon zëvendësimin e popullit italian. Ai e trashëgoi karakterin politik nga populisti më i madh i vendit, Silvio Berluskoni. Ish-kryeministri arriti majat duke ndërtuar nga fillimi një lëvizje të re politike dhe  Salvini vendosi të bënte të njëjtën gjë. Në atë kohë, Italia udhëhiqej nga Matteo Renzi, një politikan që e paraqiste veten si “Obama” i Italisë. Pa dyshim që në Itali kishte mjaftueshëm vend për një anti-Renzi, për dikë që nuk e kalonte gjithë kohën duke udhëhequr seminare rreth globalizimit.

“Salvini është djali tipik i prindërve italianë, një njeri i thjeshtë, me të cilin mund të flasësh për ndonjë gjë- thotë biografi i tij, Matteo Puçiarelli-  Ai jeton në një banesë të vogël, në një periferi të Milanos. Pëlqen futbollin, gratë e bukura, ushqimin e mirë dhe fotografitë në perëndimin e diellit. Ai është një mashkull tipik italian.”

Matteo Salvini në kopertinën e revistës Oggi'

Salvini filloi të lidhej gjithnjë e më shumë me publikun. Ai gjithashtu kuptoi se politikanët që kalojnë shumicën e kohës duke folur për armiqtë, duhet të tregojnë një sens të madh humori. Në dhjetor të vitit 2014, ai u paraqit gjysmë i zhveshur në kopertinën e revistës satirike 'Oggi', duke veshur vetëm karvatën e gjelbër të partisë së tij. Në kopertinë shkruhej: A do t'i besonit Italinë këtij njeriu?"

Në atë kohë përgjigja ishte ende jo, por partia e tij po fuqizohej gjithnjë e më shumë në sondazhe. Ai vazhdoi të merrte pjesë në një emision radiofonik, duke iu përgjigjur më shumë pyetjeve nga publiku se çdo politikan tjetër italian. Në maj të vitit 2017, ai e filmoi veten duke kaluar një natë në qendrën e refugjatëve në Sicili, e cila është gjithashtu më e madhja në Europë. Fakti që ai fjeti në një nga shtretërit që ishin vendosur në kampin e emigrantëve tërhoqi jo pak vëmendjen.

“Jam gjithnjë e më i bindur se ekziston një përpjekje e vazhdueshme për zëvendësimin etnik të popullit italian me një popull tjetër. Ky nuk është emigrim emergjent, por emigrim i organizuar që synon zëvendësimin e Italisë me njerëz të tjerë, punëtorëve italianë me punëtorë të tjerë”, deklaroi Salvini pas vizitës në kamp.  Deklaratat e ti duket se i referoheshin një teorie konspiracioni të nxitur nga njerëz që besojnë se elitat europiane kanë një plan të detajuar për të zëvendësuar punëtorët e tyre me emigrantë.

Matteo Salvini kalon një natë në qendrën e refugjatëve në Sicili,

"Salvini përdor fjalë dhe ide që janë zhvilluar për herë të parë në qarqet e ekstremit të djathtë- thotë analisti Valerio Renzi- Por ndryshe nga ata, Salvini i përcjell mesazhet duke i përzier më disa batuta dhe paralajmërime apokaliptike.”

“A ha banane- pyeti me shaka një nga telefonuesit e tij në radio- Këto ditë, nëse nuk ha banane, konsiderohesh racist ".

Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2018, Salvini i quajti emigrantët "një ushtri hajdutësh dhe kriminelësh", deklarata që sollën kritika nga të gjithë krahët politikë. Por miqtë e Salvinit thonë se ai është shumë  i zoti në injorimin e kritikave.

"Ai qesh me të gjitha shakatë që qarkullojnë rreth tij- thotë ish-gruaja e tij Fabrizia- Nuk e kam parë kurrë të ofendohet nga shakatë apo kritikat që i bëjnë. Nuk e di si ia bën. “

Menjëherë pas marrjes së detyrës, Salvini njoftoi ambiciet për të krijuar një shoqatë panevropiane të partive nacionaliste, të aftë për të ndryshuar drejtimin e Bashkimit Europian. Kjo e vuri atë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, udhëheqës de facto i lëvizjeve liberale të kontinentit. Nuk do të ishte çudi që Salvini-Macron të përcaktonte të ardhmen e Bashkimit Europian./BBC/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë