Financa Personale

A u duhet sekuestruar edhe rroga borxhlinjve?

Sabina Veizaj-  Marsela në vitin 2011 kishte marrë në një bankë të nivelit të dytë në Tiranë një overdraft dhe një kartë krediti, të dyja sëbashku në shumën 90 mijë lekë, të cilat për rrethana të caktuara nuk pati më aftësi paguese për ti shlyer.

Ajo tregon për gazetën “Si” se çështja kishte kaluar në Përmbarim, por nuk kishte marrë asnjë njoftim paraprak. Ajo vihet në dijeni në momentin që përballet me bllokimin e llogarisë së pagës së saj në një bankë tjetër të nivelit të dytë, që ishte tjetër bankë nga ajo që ishte debitore. Ishte fundvit 2016.

Përmbarimi i kishte dërguar letër zyrtare edhe zyrës së financave ku punonte Marsela për ta vënë në dijeni për rastin.

Për dy muaj, thotë  ajo,  nuk më është lënë asnjë shumë, sikur minimale për të jetuar , ndërsa më duhej të paguaja qiranë, të ushqehesha e të mbaja familjen.

Ajo arriti të marrë një minimum jetik prej 8000 lekësh, vetëm pas një marrëveshjeje që bëri me zyrën e përmbarimit, e cila kishte në shqyrtim dosjen e saj.

Pas kësaj, Marsela me shumë peripeci arriti të bëjë ristrukturimin e kredisë që iu deshën edhe gati 2 muaj të tjera. E vetëm atëherë, tregon ajo, arriti të ketë llogarinë e pagës të hapur.

Kodi i Procedurës Civile Neni 529 përcakton sendet mbi të cilat nuk mund të vihet sekuestroja; si sendet e përdorimit personal të debitorit dhe të familjes së tij si: veshjet, shtresat, mbulesat, mobiljet për aq sa ato janë të nevojshme për jetesën e tyre; ushqimet dhe lëndët djegëse që i nevojiten debitorit dhe familjes, etj.

Në lidhje me sekuestron e pagës së debitorit, neni 533 citon: “Sekuestroja e pagës së debitorit pasi zbritet kontributi për sigurimet shoqërore dhe taksat mbi të ardhurat, përmbaruesi gjyqësor sekuestron pagën e debitorit, por pa cënuar minimumin jetik, të përcaktuar sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.”

Por këtu lind problemi, sepse në Republikën e Shqipërisë ende nuk është i përcaktuar minimum jetik me ligj dhe minimumi jetik që përmendet në nenin 533 vazhdon ende të jetë i debatueshëm në rastet e sekuestros.

Megjithatë zyrat përmbarimore në shumë raste sipas të dhënave që disponon gazeta ”Si” nga një sërë qytetarësh, bën sekuestron e plotë të pagës së debitorit, i cili është klasifikuar me kredi të keqe.

Në vitin 2015 Dhoma Kombëtare e Përmbaruesëve Gjyqësorë Privatë do të hartonte një direktivë për Unifikimin dhe Zbatimin e Përkohshëm të Masës së Sekuestros Konservative mbi Pagën e Debitorit.

Direktiva sugjeronte se, përkohësisht, do të duhet të orientojë dhe sigurojë zbatimin e të njëjtit standard procedurial nga të gjithë subjektet përmbarimore, përgjatë kryerjes së veprimeve ekzekutive mbi pagat (të ardhurat nga pagat) e subjekteve debitore, derisa në një moment të dytë, pas propozimit përkatës, të bëhet prezent një parashikim i qartë ligjor apo nënligjor “për përcaktimin e vlerës së pacënueshme të minimumit jetik” me qëllim zbatimin e plotë të nenit 533 të K.Pr.Civile.

Në direktivë citohej se “Deri sot, për zbatimin interpretativ të kësaj dispozite, subjektet përmbarimore janë ndarë në dy qëndrime: Disa subjekte e kanë identifikuar “minimumin jetik” të barabartë me pagën minimale zyrtare të parashikuar, në masën 22,000 (njëzet e dy mijë) Lekë (në atë kohë). Disa subjekte përmbarimore të tjera e kanë trajtuar “minimumin jetik” të barabartë me 8,000 (tetëmijë) Lekë, referuar ndihmës ekonomike.”

Mandej do të vijonte direktiva “Duke vendosur këtë qëllim primar, pra respektimin e “minimumit jetik”, i cili as më shumë dhe as më pak materializohet me sendet dhe të mirat sipas nenit 529 të K.Pr.Civile, do të shohim se ky “minimum jetik” i përkthyer në vlerë monetare, nuk mundet të barazohet assesi me vlerën prej 8,000 (tetë mijë) Lekë, sa ndihma ekonomike që përfitojnë personat në nevojë.”

Por që prej 2015-ës situata mbetet gati e njëjtë. Këtë situatë e përshkruan qartazi edhe raporti vjetor i 2018-ës i Avokatit të Popullit.

Raporti i Avokatit të Popullit 2018

Avokati i Popullit gjatë raportit të vitit 2018-të vëren një problematikë të përsëritur ndër vite që ka të bëjë me procesin e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë për detyrimin që kanë debitorët privatë për të paguar shuma të caktuara në të holla, ku ende mbetet tërësisht shqetësuese mospërcaktimi zyrtar i minimumit jetik të individit.
“Në këto kushte, në rastin e kryerjes së veprimeve përmbarimore për ekzekutimin e detyrueshëm të titullit ekzekutiv mbi të ardhurat mujore të debitorit, krijohen situata në cënim të interesave jetike të tij.” – citohet në raport.

Për këtë, mospërcaktimi zyrtar i minimumit jetik bën të pazbatueshëmn nenin 533, të Kodit të Procedurës Civile, prej Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor.

Procesi i ekzekutimit të titujve ekzekutiv mbi pasuri të paluajtëshme të sekuestruara për vjeljen e detyrimit në të holla, thotë raporti, has pengesë për shkak të mosnxjerrjes nga ana e Këshillit të Ministrave, të vendimit përkatës për përcaktimin e metodologjisë në caktimin e vlerës së sendit të sekuestruar prej Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor, në përputhje me ligjin në fuqi. Mosnxjerrja e këtij akti nënligjor nuk lejon kryerjen e veprimeve përmbarimore në procesin e ekzekutimit të detyrueshëm të titujve ekzekutiv, në fazën për të cilën përmbaruesi gjyqësor do të duhet të respektojë parashikimin e dhënë.
Një tjetër çështje, e cila sugjerohet nga Avokati i Popullit që mund dhe duhet të jetë objekt shqyrtimi prej Kuvendit të Republikës së Shqpërisë është edhe përcaktimi i normës së strehimit, si send mbi të cilin nuk mund të vendoset masa e sekuestrës në procesin e ekzekutimit të titujve ekzekutiv.

Situata e krijuar, pas zhveshjes së individit debitor nga mundësia e strehimit të tij, me rastin e ekzekutimit të detyrueshëm të titullit ekzekutiv, citon raporti, ka krijuar dhe krijon premisa për uljen në mënyrë të skajshme të standardit të jetesës për individin debitor, kur ai e ka poseduar banesën me familjen e tij. Kategoria e individëve debitor, familjeve të tyre, të cilëve ju është hequr pronësia mbi pasurinë e vetme të paluajtshme, pra banesën e tyre, si rrjedhojë e ekzekutimit të titujve ekzekutiv kanë qenë dhe janë të ekspozuar ndaj humbjes së standardit minimal për strehim, i synuar për t’u arritur në objektivat socialë të shtetit të parashikuara në nenin 59, të Kushtetutës.

Me synimin për të siguruar ushtrimin efektiv të së drejtës për strehim, Avokati i Popullit gjykon se objektivi social i plotësimit të nevojave të shtetasve me strehim minimal, mund dhe duhet të gjej shprehjen e vet si objektiv i pacënueshëm me rastin e amendimit të nenit 529, të Kodit të Procedurës Civile, i ndryshuar, duke parashikuar në të, përjashtimin nga sekuestrimi i normës së strehimit që duhet të ketë një individ në banesë.

Po kështu, çështja e përcaktimit të ndihmës ekonomike, apo ndihmës për trajtimin shëndetësor të debitorit, si send mbi të cilën nuk mund të vendoset masa e sekuestros në procesin e ekzekutimit të titujve ekzekutiv, mund dhe duhet të jetë objekt shqyrtimi legjislativ nga ana e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Në procesin e shqyrtimit të kësaj çështjeje, institucioni i Avokatit të Popullit ka përgatitur dhe i ka dërguar një rekomandim Ministrit të Drejtësisë për amendimin e nenit 529, të K.Pr.C. Edhe pse janë pranuar në parim rekomandimet, marrja e nismës për amendim ende nuk është kryer.

Gjatë vitit 2017 Avokati i Popullit ka marrë në shqyrtim 24 ankesa ndaj Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor Shtetëror dhe 16 ankesa ndaj Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor Privat. Gjatë vitit 2018, janë marrë në shqyrtim 32 ankesa ndaj Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor Shtetëror dhe 11 ankesa ndaj Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor Privat.

Prandaj, nëse je debitor ndaj një banke dhe ke humbur aftësinë paguese për shkak të rrethanave të caktuara jetësore, çështja të ka kaluar në përmbarim i cili përmes bankës të ka konfiskuar llogarinë e pagës mujore dhe pronën e vetme të familjes, nuk duhet të qëndrosh duarkryq dhe të qash mbi hallin që të ka zënë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë