Mendim

A duhen ndaluar fëmijët të përdorin telefonat në shkollë?

Nga Xhuliana Toci-Duke filluar nga viti i ri shkollor, studentët dhe mësuesit shqiptarë nuk do të lejohen të mbajnë telefonat celularë gjatë orës së mësimit. Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Lindita Nikolla, nënshkroi një vendim të prerë këtë të premte, duke ndaluar rreptësisht përdorimin e telefonave celularë gjatë procesit të mësimit, si nga nxënësit ashtu dhe mësuesit. Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe pritet të zbatohet që nga 17 shtatori. Sipas rregullave të reja, celularët do të ndalohen vetëm gjatë orëve mësimore por jo gjatë festave apo aktiviteteve të tjera.

Nëpërmjet nënshkrimit të këtij vendimi, Shqipëria u bë vendi i dytë pas Francës që ndaloi përdorimin e telefonave celularë në ambientet shkollore. Një hap i tillë u ndërmor fillimisht nga qeveria e Presidentit Emmanuel Macron, si një strategji kyçe për të ulur varësinë e brezit të ri nga interneti dhe pajisjet inteligjente. Pak pasi qeveria franceze paralajmëroi ndalimin e celularëve, në maj të këij viti, Gjimnazi “Petro Nini Luarasi” në kryeqytet, ndaloi përdorimin e telefonave për një javë rrjesht. Disa dollape të instaluara në ambientet e gjimnazit shërbyen si kasaforta ku u vendosën celularët e gjithë nxënësve deri në përfundimin e orarit mësimor. Në faqen gjimnazit në Facebook, thuhej se dollapet ishin instaluar me mbështetjen e plotë të prindërve. Qëllimi është i qartë: Mbarëvajtja e procesit mësimor dhe vëmendja e shtuar e nxënësit në shpjegimin e mësimit, edhe pse mbetet për t’u parë se sa efektive do të jetë kjo nismë në edukimin e gati 1000 gjimnazistëve që ndjekin studimet pranë këtij gjimnazi.

Shkollat lejojnë që nxënësit të mbajnë telefonat celularë në çanta, në rast se prindërit kanë nevojë të komunikojnë me fëmijët e tyre. Zakonsht ata përdorin pushimin e madh për të lundruar në internet, por vetëm disa prej tyre futin telefonat në çantë dhe mundohen të ndjekin mësimin kur hyjnë në klasë. Një pjesë e konsiderueshme e nxënësve shqiptarë përdorin telefonin si makinë llogaritëse, ose për t’u bërë fotografi detyrave të shtëpisë. Të tjerë regjistrojnë orën e mësimit, ose mundohen të gjejnë online përgjigjet e detyrave të klasës.  Tanimë ka ardhur koha që ata duhet të jenë të rrethuar mesues që t’i ndihmojnë të jetojnë me përgjegjësi. Telefoni dhe rrjetet sociale nuk janë gjithçka. Madje ndalimi i celuravë në shkolla, nuk duhet të jetë një imponim por një bindje. Në fund të fundit, për çfarë duhet të kërkojë informacione në Google një nxënës gjatë orës së mësimit, kur ka mësuesin përballë dhe mund ta pyesë atë në mënyrë të drejtëpërdrejtë

A duhet t’ua ndalojmë celularët fëmijëve?

Vendimi i Macron ka shkaktuar një debat të jashtëzakonshëm jo vetëm në Francë, por në mbarë Europën. Shumë media perëndimore argumentojnë se shkollat ​​nuk kanë gjasa ta presim mirë dekretin e qeverisë. Ekspertët nga ana tjetër deklarojnë se interneti nuk është një gjë e keqe, është një burim i mrekullueshëm për fëmijët, por ai nuk është krijuar për ta dhe përdorimi i tepruar ose keqpërdorimi i tij paraqet një sërë problemesh për brezin e ri. Por a duhet t’ua ndalojmë plotësisht telefonat? Absolutisht që jo. Ndoshta duhet të zvogëlojmë kohën që ata rrinë në internet, veçanërisht kur janë në shkollë. Ashtu si Franca, edhe qeveria shqipare nuk duhet të imponojë një ndalim të përgjithshëm, por ama duhet të vendosë disa rregulla. Nxënësit e moshës nga 11 deri në 18-vjeç mund t’i marrin me vete telefonat celularë dhe mund t’i përdorin gjatë pushimit të madh, por në momentin që përdorimi i tyre kthehet në problem, duhet t’u konfiskohen. Tanimë është detyra e shkollave t’u mësojnë nxënësve si të jetojmë pa lejuar që telefonat të dominojnë jetën e tyre. Në vend që të kominukojnë me njëri-tjerin nëpërmjet rrjeteve sociale, ata duhet të mësojnë të bisedojnë dhe të lidhen emocionalisht me njëri-tjetrin.

Të rriturit kanë frikë se përdorimi i telefonave celularë ka dalë jashtë kontrollit. Edhe nëse një shkollë ndalon telefonat, fëmijët shkojnë në shtëpi dhe rrinë në telefon gjatë gjithë mbrëmjes.  Tani për tani asnjë nga fëmijët nuk përdor në mënyrë obsesive telefonin në shtëpi, sepse e përdorin kur janë në shkollë. Por kur të mos kenë mundësi të lundrojnë në rrjetet socale përgjatë kohës që janë në mësim, me siguri do të abuzojnë gjatë mbrëmjes. Dhe pikërisht, në errësirë, duket se luhen të gjitha “lojërat e pista” në internet: ngacmimet seksuale nëpërmjet mediave sociale, shpërndarja e materialeve pornografike dhe shpërndarja e të dhënave personale. Kur qeveria e Macron njoftoi planin, një grup prindërish e duartrokitën. Policia e mbështeti, sepse qindra fëmijë nuk i kushtonin vëmendje mësimeve, duke lundruar në internet. Sigurisht, fakti që edhe qeveria shqiptare vendosi ndalimin e celularëve është një lajm i mirë, por kjo nuk do ta eleminojë internetin nga jeta e tyre, pasi ata janë brezi i parë në histori që po rritet me një realitet dixhital. Tani për tani ata duhet të mësojnë të bashkëjetojnë me internetin, pa u bërë të varur nga ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë